Përpjekje e re për zgjedhjen e drejtorit të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë

Këshilli drejtues i Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë pritet të zgjedhë drejtorin e ri në mbledhjen e sotme pasi tentativa paraprake gjatë verës dështoi, transmeton Portalb.mk.

Anëtarët e Bordit drejtues do të duhet të zgjedhin ndërmjet tre kandidatëve të cilët kanë aplikuar në shpallje, përkatësisht drejtoreshës së deritanishme Natasha Gaber-Damjanovska e cila ka aplikuar për mandat të dytë katërvjeçar, gjyqtarit të Gjykatës Themelore Penale Shkup Nenad Saveski dhe gjyqtarja e Gjykatës Themelore Civile Shkup Emilia Shopar- Jovanova.

Në shpalljen paraprake gjatë verës, nga të paraqiturit aktual vetëm Gaber-Damjanovska kishte paraqitur kandidaturë. Kundër-kandidatja e saj ishte gjyqtarja Olja Ristova nga Gjykata Penale. Mirëpo, në seancën e 30 gushtit, anëtarët e Bordit drejtues nuk e zgjodhën drejtorin. Edhe pse asokohe u tha se të dy kandidatët i plotësonin kushtet për këtë pozitë, asnjëri prej tyre nuk mori numrin e duhur të votave.

Në ndërkohë, ka pasur ndryshim në përbërjen e Bordit drejtues, ndërsa javën e kaluar, pas skadimit të mandatit të Gaber-Damjanovskës më 30 nëntor, funksionin ushtrues detyre drejtor të Akademisë e mbajtën dy persona të cilët sipas ligjit janë anëtarë të Bordit drejtues.

Fillimisht, në seancën konstituive të Bordit të ri drejtues më 29 nëntor, për u.d Drejtor është emëruar gjyqtari Zoran Gerasimovski, i cili është edhe anëtar i Këshillit Gjyqësor. Mirëpo, ai të hënën (5 dhjetor) njoftoi se pas indikacioneve nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) se ka pasur konflikt interesi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës. Të njëjtën ditë, në seancën e Këshillit drejtues, në këtë pozitë përkohësisht deri në zgjedhjet e sotme është emëruar Besir Aliu, prokuror nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button