Poezi e përjetimeve të thella estetike

Vështrim për librin poetik Akuj të Daim Miftarit, shtypur nga Fokus Print – Shkup, 2018

Përmbledhja poetike AKUJ e shkruar nga poeti Daim Miftari, paraqitet para lexuesit tonë si një poetikë moderne, e thellë, plotë filozofi jetësore, me një ritëm të bukur melodik e plot thyerje të vargut, e cila ndahet në tri cikle poetike: Në shtëpinë e fëmijërisë; Dorë e zezë dhe Duar të pamëshirshme, ku gjatë leximit të kësaj përmbledhje poetike marrim në shqyrtim çështje të rënduara nga jeta e vet autorit, po ashtu edhe nga fenomenet që e rrethojnë dhe e shoqërojnë atë. Aty gjejmë pasionin e tij për rrugët e lira të jetës e që përballet me pengesat e saj, ku ne shohim konfliktin e dashurisë me pasionin. Te këto vargje poetike diktohet qartë eksplorimi paradoksal me ëndrrat dhe dëshirat e jetës. Poeti, përmes figurave të shumta stilistikore, kërkon të shtjelloj prirjet e jetës së njeriut për mirëqenie, solidaritet dhe veçmas një dëlirësi absolute shpirtërore në mjediset tona shoqërore. Kjo formë poetike, si një lloj antitezë, kërkon që prirjet tona kulturore për barazi dhe dëlirësi absolute, del shpesh nga kornizat e përcaktuara ditore e që nuk i zbaton plotësisht rregullat e imponuara nga shoqëria kur jeton dhe vepron autori. Lojërat tjera të jetës autorin nuk e gëzojnë në mënyrë absolute, pa i nxjerrë në dukje idealet që i ngrenë vullkane në brendinë e shpirtit të tij. Libri nxjerr në pah edhe shumë fenomene të tjera, herë-herë të pakapshme, pasi, sado që autori tenton të ndezë një zjarr, ai është i vetëdijshëm se atij zjarri i duhet edhe ajër dhe tregohet i kujdesshëm që të mos e ndeze flakën në erë, se ajo pastaj e kaplon dhenë. Kësisoj, libri Akuj përfshin më vete një mori ndjenjash, të cilat ndriçojnë rrugëtimin dhe mënyrën jetësore se si të dashurohet edhe në kohërat e mistershme. Ky intimitet na del i fuqishëm edhe kur jeta dhe dashuritë janë të lënduara.

Nëse nuk do të isha unë

tjetër kush i njëjtë si unë

mund t’i vuante,

shtirjet, padrejtësitë,

hakmarrjet, babëzitë,

humbjet dështimet,

tradhtitë

duke ua hapur

rrugën shpesh

Si atyre

që dot nuk merremi vesh.

( f. 14)

Poezia e Daim Miftarit ka një reflektim të theksuar estetik te lexuesi i mirëfilltë. Jo rastësisht Fridrih Hugo fliste për ndikimin estetik të letërsisë te njeriu, i cili kishte parasysh përjetimin estetik dhe emocional të njeriut gjatë leximit të një vepre artistike.  Këtë përjetim emocional, Aristoteli  padyshim do ta quante katharsis, që nënkupton spastrim të shpirtit, ngritjen morale dhe përjetimin e fort emocional. Pra, te përmbledhja poetike Akuj, e cila që në titull flet për një metaforë të fuqishme, ne përjetojmë ndjesi të thella emocionuese, veçmas për nga përjetimi estetik që ngërthen në vete kjo vepër letrare. Përveç ndjesive të bukura për nga rritmi, ndjesitë shkojnë edhe deri te dhembja e urrejtja ndaj fenomeneve ulëta e  të dobëta shoqërore, që jo rrallë i trajton poeti. Pra, kjo poezi ka kodin e vet të veçantë ligjërimor, që përdoret nga poeti Daim Miftari, i cili mbështetet edhe në ndërtime fonologjike të veçanta dhe kësisoj ndërton edhe krijim artistik të veçantë, që për bindjen tonë, kjo poezi udhëton drejt postmodernes.

Në ballkon

taketukja e stërmbushur

e duhanit

erëmon mendime të djegura

të natës që shkoi

…………………………………..

Gruaja më kujton

për gjërat

që mungojnë

ushqimet që duhet blerë.

duhet ta lyejmë apartamentin

thotë,

Janë zverdhur muret,

tavani, i ka mbështjellë myku

dhomat …

(f.18)

Në traditën e shkrimeve kritike, në vazhdimësi ekziston debati i pafund sa i përket ndikimit dhe rolit që ka arti letrar në mjediset shoqërore kudo në botë. Për këtë shkak edhe Platoni haptas kishte shfaqur revoltën ndaj shkrimtarëve, veçmas poetëve, për të cilët kërkonte që ata të largoheshin nga shteti i tij ideal, si prishës të moralit, pasi, sipas tij ndikonte në lëvizjen e ndjenjave dhe pasioneve të lexuesve. Nga ana tjetër, shkrimtari me famë botërore J. L. Borges, te letërsia e sheh shpirtin e njeriut dhe librin e quan atributin më te madh të kënaqësisë shpirtërore të njerëzimit mbarë. Pra, nuk i përmendëm këta dijetar e krijues botëror rastësisht, pasi edhe te poezia e Daim Miftarit duket qartë se ai shkruan për shpirtin e njeriut dhe me plot katharsis, me të cilën lexuesi plotëson zbrazëtirën shpirtërore, pasi ky autor nuk shkruan dhunshëm, sa për të thënë se edhe unë shkrova diçka. Edhe pse temat dhe motivet krijuese burojnë nga bota shpirtërore e poetit, të nxitura edhe nga rrethi shoqëror dhe natyra që e rrethon, e cila lehtë interpretohet si një esencë e veçantë e botës së madhe të letërsisë. Në njëfarë mënyre, kjo poezi, me kaq thellësi sa poetike, po aq edhe estetike, mëton të ndërmjetësoj midis krijuesit dhe kolektives. Pikërisht ky aspekt e bënë poezinë e Daimit një univers të veçantë dhe autonom letrar, për të cilin shpresojmë se ky art poetik do të qëndroj i fuqishëm nëpër kohë. Ja, te poezia Gjyshi (gjyshërit u takojnë krejt botës), poeti shkruan:

I shkoi dheut edhe gjyshi,

Dhe lot u bë

Në sytë e mi

…………………………

Vdekja

Si bori treni në stacion,

Ulërinte…

(f.21)

Poezia në fjalë e poetit, si një paradigmë e shkrimit imagjinues, konceptohet si një përjetësi e amshueshme përmes fjalëve të krijuara jo vetëm me kuptime filozofike, por edhe tejet të ndjeshme. Thënë ndryshe, brenda kësaj poezie ka një çik transcendentale, e cila fuqishëm e ruan pushtetin imagjinues të poetit. Misticizmi i padukur i kësaj poezie, por i ndjeshëm në shpirtin e autorit dhe të lexuesit si qenie mistike, Shkrimtari ndërton botëra të ndryshme, të cilat lexuesi gjithmonë i admiron, i jeton dhe bashkë me to frymëzohet. Jo rastësisht F. Hegel për artin letrar shkruante se ai vjen nga shpirti i njeriut dhe ekziston për shpirtin e tij. Edhe ky autor, për të cilin  sot po flasim, është një krijues i veçantë nga bashkëmoshatarë e tjerë, i cili, duke përdor shumë kategori estetike, si të bukurën, të shëmtuarën, të madhërishmen,  simpatiken, brenda një simbioze letrare, tenton ta fitoje të përjetshmen. Me gjithë dramatiken që ka kjo poezi, autori insiston që ajo të përshtatet me nevojat e lexuesit dhe për fisnikërimin e shpirtit të tyre dhe për të krijuar katharisin e përhershëm ndaj lexuesit të tij. Pikërisht ky katharthis e bën autonome përmbledhjen poetike Akuj, e cila i përmbys ligjet e ngurta të kohës. Kjo poezi, si e tillë, e sheh në pikëpyetje jetën e njeriut dhe e sheh të pasigurt, me siguri duke u frymëzuar nga rrethanat e ngurta që e dedikojnë jetën njerëzore në tërësi:

E pasigurt deri në fund

se si mund të kishte qenë,

sikur të mos kishin ndodhur

ato që ndodhën

dhe e bënë atë të jetë

ajo që është.

(f.30)

Poezitë e cikli i dytë, Dorë e zezë, janë poezitë më të ndjeshme dhe më mbresëlënëse, ku dhembja, malli për trojet shqiptare, takimi me atdheun dhe krenaria ecin bashkërisht me një rrugë të vetme e që kërkojnë diellin e shpirtit të përhershëm. Te ky cikël poetik, përjetimet estetike nuk janë shtrirë vetëm në mrekullitë e natyrës, por ndjehen thellësisht edhe nga shpirti i njeriut edhe kategoritë estetike që burojnë nga veprat artistike të krijuara nga vet njeriu. Ata kanë përjetuar edhe veprat e bukurën të njeriut, që janë krijuar nga mendja dhe dora e tij, përmes së cilave, një pjesë kanë përjetuar bukurinë fizike e shpirtërore të njerëzve, pa lënë anash edhe të ulëtën, të shëmtuarën, të madhërishmen e tragjiken etj. Ka ndodhur kur te njeriu kanë parë të bukurën shpirtërore që fshihet mbrapa shëmtive fizike, ose edhe e kundërta, e kanë përjetuar të shëmtuarën shpirtërore te njerëzit që fizikisht janë dukur të bukur. Pra, te ky rast i poezisë në fjalë, është një përjetim i veçantë, ku përballet e bukura me të ulëtën, ku vihet në pyetje edhe fryma ekzistencialiste.

Po takohem me ty, Shqipëri

Si fëmija përherë të parë

Me nënën e vet

……………………………………….

Në fytyrë gjurmët  që vuajtja i ka lënë

ëndrra të fikura

si bishta cigaresh shkelur me këmbë,

buzëqeshje të rrahura

nga shuplaka të rënda fati

(f. 33)

Kur i përjeton këto vargje poetike, të duket sikur edhe dikush pranë teje i lexon të njëjtat vargje dhe sikur lind një këngë polifonike plot trazime shpirtërore, histori vuajtjesh, nostalgji dhe krenari shekujsh.  Kështu krijohet përshtypja se, poezia në lexim të parë është  vetmitare,  por mënyra se si ky art poetik lind, zhvillohet dhe rruga se si ngjizet për të shkuar  më tej te shpirti i madh i artit letrat, tregon një botë pafund ndjesish dhe mbi të gjitha mbetet një mistikë e thellë dhe një mister më vete. Autori i njeh mirë këto fenomene që ndodhin në fushën e artit poetik. Ai është mjeshtër i fjalës artistike dhe nuk pranon në vargun e tij fjalë të kota. Ai në këtë rast është i kthjellët për gjithçka që dëshiron të thotë, kësisoj  i gjen të gjitha mjetet e duhura për ta shprehur botën e tij të brendshme poetike. Është fare i qartë në tërë kompleksitetin e të mirave dhe të këqijave të kësaj bote që ai mundohet t’i trajtoje poetikisht, tema e motive që janë me bollëk në botën kur ne jetojmë e veprojmë si kolektivitete të caktuara. Ajo më e bukura dhe më estetikja e kësaj poezie është  gjithmonë intenca e poetit që të shkruaje pak, por të thotë shumë.

Njerëzit e mi,

m’i  vret,

një dorë e zezë.

o Zot.

( f. 45)

Kjo poezi ka fluiditet të madh, ku gjithmonë gjatë leximit të saj gjejmë diç që lexuesi e ndjen nga afër, si vuajtjen, trishtimin, kënaqësitë e herëpashershme dhe gjithmonë me një vetëpërmbajtje: “ Mos u brengos për mua, Kosovë. / Ta gëzosh pavarësinë, / e përvuajtura ime. / Jam mësuar unë, /të jem i huaj në shtëpinë time” (f.36.). Duket qartë se këto vargje poetike prodhojnë njëlloj afiniteti dhe ngrohtësi të rrallë ndjenjash, por jo pa ngarkesë metaforike e me plotë simbolikë  bindëse, që veprojnë në funksion të vargut të lirë poetik. Madje, poezia e Daim Miftarit vjen shumë e natyrshme, që na lë përshtypjen sikur këto vargje kanë një përplasje midis përjetimeve të çastit dhe përvojës së lodhshme jetësore. “Ndjesë koka ime, jam sjell / keq shpesh me ty, sa e sa …” gati se një shprehje e veçantë dhe e pazakontë në letrat tona poetike

Duke e parë dhe vështruar me kujdes edhe ciklin e tret Duar të pamëshirshme të  vëllimin poetik AKUJ të Daim Miftaririt, mund të thuhet lirshëm se ky poet i majave të larta poetike, artin e tij e krijon në mënyrën e tij të pavarur, bashkë me stilin e tij krijues dhe që dëshmon se poeti në tërësinë e tij krijuese është vetvetja. Kjo është edhe një dëshmi se bota e njeriut lëviz bashkë me dritën dhe hijet që e rrethojnë, me galerinë e virtyteve të larmishme, bashkë me kompleksitetin e kësaj bote, sa e bukur, po aq edhe e vrazhdë.  Kjo qasje meditative-lirike, me theks të veçanta edhe filozofike, tregon se poeti ka botë të pasur poetike, i cili endet midis kujtimeve të thella, veçmas për nënën, përjetime këto që kanë lënë vragë në shpirtin e poetit, ku edhe lexuesi përjeton mbresa dhe emocione të çastit. Te poezia Duar të pamëshirshme , e cila edhe mban titullin e ciklit të tret, autori katharsisin e tij shpirtëror tenton ta nxjerrë përmes dhembjes së thellë që ka për nënën:

Vdekja i shkon vërdallë

ia vështron brazdat

e ballit.

flokët e bardha

ia ledhaton

fije për fije

 

mua, dimër i bjeshkës

më zbret

nëpër damar.

(f. 53)

Poeti lundron midis lumenjve të lotëve duke e kujtuar nënën që e deshi më shumë se jetën e tij. Këto akte mbresash dhe emocionesh pafund, përbëjnë aktin më të lartë përjetues e që shndërrohet në një katharsis të vërtetë.  Kjo filozofi jetësore e të bukurës përballë dukurive të ulëta e të shëmtuara jetësore, pastaj shmangja e autorit nga arketipi social i traditës sonë krijuese, dhe format e reja moderniste që sjellë kjo  poezi, të cilat duken shumë të shëndetshme, na çojnë të mendojmë se kjo poezi ecën drejt nga rrugëtimi modern dhe postmodern, por jo si rryma të veçanta letrare, pasi kritika e mirëfilltë letrare ende nuk ka bërë një përcaktim të tillë ndarës si drejtime më vete letrare. Ky modernitet paraqitet plot risi, pasi kjo ngjyrë poetike është plot sharm dhe me plot figura të gjalla e që nuk vdesin asnjëherë, thënë në kuptimin metaforik e simbolik të fjalës.

Ti e vdekur tashmë.

Ndërsa mua

më bëhet se më pret.

Kokën mbështetur ke

Në qelqin e dritares.

(f.58)

S’do mend se Daim Miftari, me përmbledhjen e katërt poetike Akuj, përbën një arritje kualitative në zhvillimin e tij poetik. Poezia e tij duket se burimin dhe ndjeshmërinë substanciale e ka të lindur nga një lirizëm spontan. Ndoshta kjo e bënë që poezia të kultivohet në një shtrat të krijimit artistik, sa lirik, po aq edhe dramatik, që sjellë me vete mesazhe nga më të ndryshmet dhe shumë kuptimplota, si nga ana e ndjeshmërisë, ashtu edhe nga ajo konceptuare e shkrimore. Gjithë këto tregojnë se kjo vepër poetike është dinjitet, ku zotërojnë poezi të shkruara me një temperit të veçantë krijues, poezi që befason në aspektin lirik dhe veçmas mesazhet e fuqishme që burojnë nga teksti dhe nënteksti i tij poetik. Pa u hamendur, duket qartë se kjo poezi në fokus ka këndvështrimin modern të shqyrtimit të objektit lirik. Veçmas dallohet me thyerjen e vargut, që e bënë të nevojshme aktin, ndoshta  të shenjtë në krijimin e kësaj e poezie. Ky modernitet duket jo vetëm në ndërtimin strukturor të kësaj poezie, por edhe në krijimin e ideve dhe mesazhet që burojnë nga ky këndvështrim letrar. E veçanta e kësaj përmbledhje poetike është befasia e këndshme, që përmes këndit poetik, ai sjell edhe befasinë artistike, të përcjellë me mjete të rëndomta krijuese. Përmes freskisë së figurave dhe kontrapunkti që vjen nga origjinaliteti i tij poetik, më vonë krijohet në një figurë bazë, siç mundet të jetë akullnaja që njerëzimi gjithmonë i ruajti në zemrën e tij si relikt i ftohtësisë jetësore të historisë njerëzore.

Për në fund, ajo që e bën të bukur e të veçantë poezinë e Daim Miftarit është vokacioni poetik shumë ngjyrësh, ritmi gjithmonë i ndezur dhe vrulli i fjalës dhe i ndjenjës gjatë të menduarit.  Po aq të fuqishme e bëjnë këtë poezi edhe përjetimet e thella që mbart në vete, emocionine pafund, imazhe të shumta, teksti dhe nënteksti i përshtatur bukur dhe pa teprime patetike. Ai paralajmëron prapështitë e kohës me të cilat përballet njeriu i kohës së tij, përcjell filozofinë ku përballet e mira me të keqen, si kategori të veçanta estetike. Poezia është plot thyerje dhe digresione, pasi e tillë është edhe vet jeta, ku jeton dhe vepron edhe vet autori, bashkë me popullin e tij. Kjo është jeta e veprës poetike Akuj, ku fokusohet përvoja jetësore,  depresioni kolektiv, shmangja e domosdoshme, tranzicioni i sëmurë, ankthet në jetën tonë të përditshme, kriza urbane, që i ka humbur konturet e jetës reale në luftë me paragjykimet pa fund të shoqërive tona. Ai me dinjitet paraqet një peizazh të thyer të shpirtit njerëzor, e veçmas atij kombëtar, dhe nga ana tjetër gjithmonë mbetet në rrugëtimin e gjërave të bukura, për të cilat edhe duhet jetuar.

Nga krejt kjo që thamë, duket se poeti Daim Miftari rrugëton bindshëm me poezinë e tij drejtë postmodernes, identifikohet me artin poetik dhe me një fjalë ai është i pushtuar nga magjia e fjalës poetike dhe kjo na bind dhe na jep shpresë se kjo poezi do të eci drejt majave të letërsisë sonë kombëtare e më gjerë, pasi ai krijon vargje shpirti, krijim të mirëfilltë poetik, me elegancë të madhe dhe modernitet të duhur.

Shkruan:

Ejup Ajdini

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button