Borrell: Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të planit franko-gjerman

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se Beogradi dhe Prishtina kanë marrë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plani franko-gjerman për dialogun, transmeton REL.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Serbi dhe sot në Kosovë. Ata [Kosova dhe Serbia] tani duhet të angazhohen në diskutime serioze sepse në këtë moment ekziston një mundësi e madhe”, tha Borrell në Tiranë, ku po merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, më 6 dhjetor ka vizituar Prishtinën, ku është takuar me kryeministrin, Albin Kurti. Ndërsa një ditë më herët, ai qëndroi në Beograd, ku takoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në Prishtinë ai tha se zyrtarët në Bruksel janë duke punuar që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.

Plani franko-gjerman thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

Portali informativ Euractiv, publikoi më 9 nëntor një dokument, për të cilin tha se është draft i propozimit franko-gjerman.

Dokumenti i publikuar përmban 9 nene.

Fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë ekonomi, shkencë, gjyqësor, fushën e mbrojtjes etj. E, po ashtu, edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme si dhe e fundit, pajtimi i palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.

Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button