RMV, dy milionë euro të mbledhura nga shitja e qeseve plastike, paratë do të përdoren për blerjen e kontejnerëve për komunat

Për një vit janë mbledhur 2 milionë euro nga shitja e qeseve plastike. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga ambalazhi në dhjetor të vitit të kaluar, qeset për pazar në markete dhe dyqane tarifohen nga 15 denarë. Tarifa prej 15 denarë për qeset e biodegradueshme regjistrohet dhe transferohet në fond të veçantë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

Paratë, siç ka paralajmëruar ministri i Mjedisit Naser Nuredini, do të përdoren për blerjen e 5 mijë kontejnerëve që do t’u shpërndahen komunave.

“Deri në fund të shtatorit në Fondin për menaxhimin e mbeturinave janë mbledhur rreth 96 milionë denarë dhe sipas asaj dinamike presim që deri në fund të vitit të grumbullohen 120 milionë denarë. Programi parashikon financimin e blerjes së 5000 kontejnerëve dhe mjeteve për seleksionimin e mbeturinave për familjet, të cilat do t’i ndihmojnë komunat të sigurojnë kushte për ngritjen e sistemit të menaxhimit të mbeturinave. Do të përdoret një metodologji e veçantë, gjegjësisht kusht do të jetë që komunat të kenë nënshkruar marrëveshje me trajtuesit kolektivë të mbeturinave”, tha Nuredini.

Ministria do të realizojë edhe një fushatë për zhvillimin e shprehive pozitive për selektimin e mbeturinave në amvisëri.

Nuredini thotë se ky projekt ka dhënë rezultate. Edhe pse në fillim ka pasur abuzime, tashmë qytetarët e kanë fituar zakonin e blerjeve me qese prej pëlhure apo kartoni. Sipas vlerësimeve, përdorimi i qeseve plastike është reduktuar për dhjetë herë.

Në një deklaratë të Iniciativës për ndalimin e plastikës një-përdorimëshe, thuhet se ashtu si me ndalimin e parë në vitin 2013, pas ndalimit të vitit 2021, përdorimi i qeseve plastike vazhdoi, sikur ligji të mos ekzistonte dhe as problemi i ndotjes nga plastika.

Sipas Entit të Statistikave, në vitin 2021 prodhoheshin sasi enorme prej 5800 ton qese plastike dhe thasë, gjegjësisht 16 tonë çdo ditë, ndërsa ky prodhim dhe konsum i tepruar i qeseve plastike me një ritëm të pandërprerë, siç thuhet në njoftim vazhdoi edhe këtë vit.

Sipas Iniciativës i vetmi hap pozitiv që është bërë është në aspektin e të ashtuquajturës qese plastike të biodegradueshme që shiten në arkë.

“Edhe pse përdorimi i këtyre qeseve ka vazhduar, ulja është evidente”, thuhet në njoftim.

Por ky përmirësim, siç thotë Iniciativa, nuk reflektohet në përdorimin e qeseve të tjera plastike.

Ndryshe prej 1 dhjetorit të vitit 2021, u vendos ndalesa e përdorimit të paketimeve plastike për një përdorim në zonat e mbrojtura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button