U publikuan fituesit e Primareve në PD

55 mijë e 281 anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike zgjodhën me votën e tyre kandidatët në 56 bashki, të cilët do të garojnë në garën elektorale të 14 Majit për zgjedhjet lokale, raporton Klan. Ashtu siç pritej, surprizat më të mëdha i ofroi beteja për Tiranën, ku përballë njëri-tjetrit garuan 7 kandidatë, nga të cilët vetëm dy arritën të merrnin numrin më të madh të votave, por pa siguruar fitoren.

Deputeti Belind Këlliçi mori 4040 vota, kundrejt 2196 votave që siguroi kandidati tjetër në garë, mjeku Ilir Alimehmeti. Për shkak të balotazhit, pasi asnjë prej kandidatëve nuk arriti të sigurojë 50+1% të votave, gara mes dy kandidatëve do ripërsëritet të dielën e 11 Dhjetorit.

Por Tirana nuk është e vetmja bashki që shkoi në balotazh. Bashkë me të janë edhe 7 të tjera. Për pasojë të dielën procesi do të përsëritet në Fier, Dibër, Mat, Krujë, Mirditë, Sarandë dhe Librazhd.

Sakaq, jo zyrtarisht janë shpallur edhe fituesit e këtyre Primareve. Në Elbasan ndonëse i vetëm në garë, Luçiano Boçi u konfirmua nga vota e anëtarësisë dhe simpatizantëve për të qenë kandidat i demokratëve në zgjedhjet e 14 Majit.

Në Shkodër, edhe Bardh Spahia, i vetëm në garë mori të njëjtin votëbesim, duke kërkuar një rikonfirmim të dytë në krye të bashkisë për qytetin verior.

Në një tjetër bashki të madhe siç është ajo e Durrësit, fitues në primare u shpall ish-deputeti Igli Cara. Në Korçë, Ledina Aliaolli, edhe kjo një ish-deputete u konfirmua si kandidate në 14 Maj. Në Bashkinë e Vlorës fitues u shpall Hysni Sharra, në Lushnjë Eduard Sharka, në Berat fitues doli Zija Ismaili, në Gjirokastër Dorjan Lani, në Lezhë Pashk Gjoni, ndërsa demokratët e Tropojës e Kukësit vendosën me votën e tyre kandidatë fitues Besnik Dushajn dhe Atmir Sinamatin.

Në katër bashki, atë të Kuçovës, Prrenjasit, Memaliajt dhe Skraparit fitues dolën kandidatët e Partisë së Lirisë që u bënë pjesë e Primareve të demokratëve.

Ndërsa katër bashki të tjera, siç është ajo e Himarës, Dropullit, Finiqit dhe Pustecit i janë lënë zona të lira kandidatëve të minoritetit grek dhe atij maqedonas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button