Il Messaggero: Italianët emigrantë në Shqipëri

Në sytë e italianëve, Shqipëria ka ndryshuar, nuk është më vendi i vogël i trazuar i Ballkanit burim i drogës, prostitucionit dhe krimit, por një vend që po u ofron mundësinë për një jetë të re mijëra italianëve.

E përditëshmja italiane, “Il Messaggero” në një artikull të 5 qershorit shkruan : “Kanë kaluar pak më shumë se 20 vjet, por duket si një shekull larg. Ishte vera e vitit 1991 kur anija “Vlora” e tejmbushur me shqiptarët të dëshpëruar u ndal në portin e Barit. Sot nuk vijnë më ngarkesa të tilla nga ana tjetër e Adriatikut. Shqiptarët udhëtojnë ligjërisht dhe janë jo pak, por rreth 500 mijë në Itali. Në këmbim, edhe italianët, gjithnjë e më shumë po kalojnë Adriatikun në drejtim të kundërt, në kërkim të një vendi pune dhe një jetë të re”, shkruan gazeta italiane.

Më tej citohen të dhënat e qeverisë shqiptare ku rezultojnë rreth 19 mijë italianë të pajisur me leje pune në Shqipëri, në call center, restorante e aktivitete të tjera. Por ajo që vihet re së fundmi, vazhdohet në shkrim, është se për shkak të krizës, gjithnjë e më shumë po udhëtojnë drejt Shqipërisë pensionistë për koston e ulët të jetës.

Por përvec atyre të shtyrë nga kriza ekonomike, ka edhe nga ata që janë të lidhur emocionalisht me Shqipërinë, shumë kanë bashkëshortin ose bashkëshorten shqiptare, vijon shkrimi, duke u mbyllur me dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u integruar në BE dhe përgjigjen e Komisionit për dhënien e statusit të vendit kandidat.(TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button