Rama për samitin BE-Ballkani Perëndimor: Është një vlerësim strategjik për Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një bashkëbisedim në rrjetet sociale, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, duke u fokusuar në çështjet rreth samitit, protestën e paralajmëruar nga deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama e ka konsideruar samitin një ngjarje historike, sipas tij, më e rëndësishmja në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Është një kthesë strategjike në historinë e BE-së të shumë viteve të fundit, kjo kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor dhe modestish duhet ta them që kemi luajtur rolin tonë për të ardhur në këtë kthesë dhe kemi dhënë një sërë provash se jemi gati për t’u vlerësuar dhe konsideruar ndryshe dhe këtu kam parasysh, jo vetëm Shqipërinë, por Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Rama.

Kryeministri Rama shtoi se samiti është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë.

“Jemi gjithmonë e më shumë të përfshirë në një proces ku mbështetja financiare e BE-së bëhet gjithnjë e më e konsiderueshme dhe ne do bëjmë çdo përpjekje që ajo të zgjerohet pavarësisht se në ndërkohë duhet të vazhdojmë me procesin e integrimit të plotë dhe çka po insistojmë shumë fort nga ana jonë, si Shqipëri”, theksoi ai.

I pyetur në lidhje me paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të udhëtojë për në Tiranë më 6 dhjetor për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Rama tha: “Unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit, jua them këtë me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht”.

Rama foli edhe në lidhje me protestën e paralajmëruar nga deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, ditën e samitit, ku theksoi se “perimetri i sigurisë së samiteve ndërkombëtare nuk negociohet me askënd, askund”.

“Natyrisht që ndodh që forca të caktuara, organizata të caktuara, grupime të caktuara që janë kundër këtyre samiteve, të bëjnë protesta. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë në të gjitha rastet, në të gjitha vendet, kudo qoftë e kurdo qoftë”, thekoi Rama.

Më 6 dhjetor në Tiranë do të organizohet samiti Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e BE-së dhe rajonit.

Ndërkohë, ditën e samitit, është paralajmëruar nga deputetë të Partisë Demokratike mbajtja e një proteste në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button