fbpx

Rama në Itali: Pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, do të doja shumë që t’i zgjidhja problemet e vendit me anë të ngjyrave

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Venecia gjatë  një vizite dy ditore në Itali, është shprehur se pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, do të donte shumë që t’i zgjidhte problemet e vendit me anë të ngjyrave, por kjo nuk është më një opsion.

Në çeljen e pavionit sviceran në Venecia, Rama ka bashkëbiseduar me arkitektë, artistë dhe pjesëmarrës për eksperiencën e tij të ndryshimit:

“Unë e nisa duke thënë që pritshmëritë e larta janë pjesa më e tmerrshme në jetën politike. Pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, unë do të doja shumë që t’i zgjidhja problemet e vendit me anë të ngjyrave, por kjo nuk është më një opsion. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe për shumëçka tjetër që nuk mund të zgjidhet nga ngjyrat, por unë besoj shumë që ajo domethënie që ngjyrat patën për qytetin, ishte një leksion i madh që e bukura mund ta rindërtojë ekonominë dhe që e bukura mund të rindërtojë ndjenjën e jetës së përbashkët, ndenjën e komunitetit dhe të solidaritetit. E bukura mund të sjellë edhe më shumë rregull e ligj, sesa policia dhe forca. Kështu që nuk është thjesht çështje ngjyrash, por më shumë sesa me ngjyrat kjo ka të bëjë me hijeshimin e hapësirës ku jetojmë”, është shprehur Rama.

Gjithashtu Rama është ftuar në Verona, vizitë e cila do të shfrytëzohet për  krijimin e një bashkëpunimi të ngushtë mes saj dhe  Durrësit. Në takimin e zhvilluar me Kryetarin e Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, Kryeministri ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë me qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatro të ndërtuara gjatë perandorisë romake.

Gjatë vizitës së tij, Kryeministri është shoqëruar  nga Ministrja e Kulturës Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako dhe deputetët Gaçi dhe Klosi. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër./ Shekulli

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close