Agjenda e zgjerimit të BE-së: Rikthim në rrugën e duhur, apo reprizë e asaj që kemi parë tashmë

Teksa i afrohemi fundit të këtij viti të trazuar në të cilin rendi ndërkombëtar u shkatërrua brutalisht nga pushtimi brutal i Ukrainës nga Presidenti Putin, rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të shikojë mbrapa me kënaqësi, në mënyrë të moderuar por të hidhur që agjenda e zgjerimit më në fund është kthyer në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një numri më të madh të takimeve me liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vitet e kaluara, kurse numri i liderëve të BE-së që vizitojnë rajonin shënon rritje.

Negociatat e anëtarësimit vazhduan me Malin e Zi dhe Serbinë, ndonëse me ritëm kërmilli, ndërkohë që sapo kanë filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

A shënon ky dinamizim aktivitetesh një ndryshim cilësor në angazhimin e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, apo është më shumë një qasje e diktuar nga ndikimi që ka shkaktuar lufta e Rusisë?

Nuk ka dyshim se agresioni rus ka minuar të gjithë arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian dhe më gjerë. Kjo e ka bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe më të brishtë dhe të prekshëm ndaj dezinformatave të shtuara ruse dhe aktiviteteve të tjera keqdashëse. Refuzimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë për t’u bashkuar me BE-në në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ka treguar kufijtë e ndikimit të BE-së që ka në fqinjësinë e saj të afërt. Serbia madje arriti edhe të zgjasë vlefshmërinë e marrëveshjes së furnizimit me gaz nga Rusia.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që siguria dhe energjia kanë qenë në qendër të diskutimeve të fundit midis BE-së dhe rajonit, në mënyrë që të inkurajohet diversifikimi i energjisë dhe reduktimi i varësisë nga Rusia dhe Kina.

Në të njëjtën kohë, mbetet një çështje e hapur nëse BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë vërtet të përkushtuara për zgjerimin dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në një mënyrë që do të respektojë plotësisht kriteret e anëtarësimit dhe pa asnjë parakusht që mund të imponohet nga ndonjë vend anëtar individual.

Fatkeqësisht, rasti i Maqedonisë së Veriut nuk jep një shembull të mirë në këtë kuptim.

Marrëdhëniet e ngatërruara mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Nëse ka një çështje për të cilën nuk mund të fajësohet qeveria maqedonase, ajo është këmbëngulja në vendosmërinë e saj për të arritur qëllimin e anëtarësimit në BE, pavarësisht pengesave të vazhdueshme që i qëndrojnë në rrugën e saj. Nëse kjo këmbëngulje është e mjaftueshme për të siguruar sukses në fund të atij rrugëtimi, mbetet për t’u parë. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të pyesë veten nëse për këtë pajtohen edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut? Hulumtimet e fundit të opinionit kanë treguar një rënie të mbështetjes për BE-në dhe një refuzim të fortë të kushteve të vendosura ndaj Maqedonisë së Veriut përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Konferenca e parë ndërqeveritare për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut u mbajt më 19 korrik, më shumë se trembëdhjetë vjet pasi Komisioni Evropian rekomandoi për herë të parë një datë për fillimin e negociatave.

Shumë gjëra kanë ndodhur në trembëdhjetë vitet e fundit – trazira politike dhe reforma të paqëndrueshme në vend. Ndërkohë, disa nga vendet anëtare e kanë kapur/robëruar procesin e zgjerimit në drejtim të ndjekjes së agjendave të tyre të brendshme, ndërsa BE-ja ka dështuar vazhdimisht në përmbushjen e premtimeve të saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, dhe Maqedoninë e Veriut në veçanti.

BE-ja ka prirur ta shikojë rajonin përmes prizmit të ngushtë të stabilitetit dhe menaxhimit të kufijve në mënyrë që të mund të kontrollojë valët e vazhdueshme të emigrantëve, e jo përmes kontekstit më të gjerë të sigurimit të reformave autentike dhe arritjes së qëllimit për anëtarësim në BE. BE-ja gjithashtu mbyll një sy ndaj prirjeve autokratike të disa prej liderëve në rajon dhe vazhdon ta bëjë këtë. Paqartësia e qëndrimit të BE-së ndaj rajonit i inkurajoi edhe më shumë ata që mendonin se BE-ja nuk është serioze në angazhimin e saj ndaj rajonit.

E gjithë kjo kontribuoi në ngecjen e mëtejshme të procesit të reformës, për të mos përmendur eksodin masiv të të rinjve që e kërkojnë lumturinë e tyre në një vend tjetër.

Ka shumë pak prova që sugjerojnë ndonjë ndryshim rrënjësor sa i përket këtij vlerësimi.

Përdorimi i tepruar i vetos dhe i ashtuquajturi Propozim francez i vitit 2022

Paqartësia dhe hipokrizia e vërtetë arriti kulmin me veton e Francës në vitin 2019 kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se vendit iu desh të gëlltiste një pilulë të hidhur duke rënë dakord të ndryshonte emrin e tij kushtetues sipas Marrëveshjes së Prespës që kishte negociuar me Greqinë vitin e kaluar. Kjo hapi derën për veton bullgare që pasoi. Bullgaria refuzoi të lejonte hapjen e negociatave të pranimit derisa qeveria maqedonase të përmbushte disa kushte që lidhen me historinë dhe identitetin.

I ashtuquajturi propozim francez që presidenti Macron paraqiti në fund të presidencës franceze të Këshillit Evropian në qershor të këtij viti u prezantua si një zgjidhje kompromisi.

Meqenëse ky propozim pranoi pothuajse të gjitha kërkesat bullgare, nuk ishte për t’u habitur që qeveria bullgare e pranoi propozimin dhe hoqi dorë nga vetoja.

Për Maqedoninë e Veriut, ishte një goditje tjetër për kombin e saj dhe shkaktoi dhimbje të thellë te qytetarët maqedonas, të cilët e panë atë si një tradhti të premtimeve të Bashkimit Evropian. Shumë e panë atë si një “mollë helmuese” që do të thellonte mosbesimin midis fqinjëve në një rajon ku e kaluara dhe historia është gjithmonë e pranishme. Kërkesa për ndryshimin e kushtetutës maqedonase në mënyrë që të njihet ekzistenca e një komuniteti bullgar në vend ishte një kërkesë veçanërisht skandaloze, sepse nuk kishte asnjë reciprocitet sipas të cilit Bullgaria do të njihte nga ana tjetër ekzistencën e një komuniteti maqedonas në Bullgari, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur në aktvendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Propozimi francez, i cili tashmë është bërë politikë zyrtare e BE-së, krijoi një precedent të rrezikshëm që do të rikthehet të ndjekë BE-në në agjendën e saj të zgjerimit. Kjo tregoi edhe një herë mungesën e BE-së për të kuptuar peshën e madhe që ka historia në rajon dhe ndjeshmërinë në lidhje me çështjet e pakicave, përfshirë edhe ato që janë objekt i aktvendimeve të marra nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Çështjet e pakicave si „armë

Për të qenë fyerja edhe më e madhe, qeveria bullgare vazhdoi, gjatë këtij viti, të mbështesë hapjen e të ashtuquajturave klube kulturore në Maqedoninë e Veriut, të emërtuara sipas figurave kontroverse të Luftës së Dytë Botërore që kanë mbështetur regjimin nazist.

Ky përdorim i çështjeve të pakicave si “armë” nga qeveria bullgare, si dhe imponimi i versionit të saj të historisë, është krejtësisht në kundërshtim me sjelljen që pritet nga një vend anëtar i BE-së dhe është diçka që i shkakton dëme të mëdha kredibilitetit të BE-së. Kjo injoron vetë thelbin e projektit evropian, i cili duhet të jetë një projekt pajtimi.

Heshtja e BE-së për këto çështje është shurdhuese. Në vend që të krijonte kushte për pajtim në rajon, BE-ja padashur hapi dyert e konfrontimit, veçanërisht mes fqinjëve. Kjo krijon një precedent të keq për numrin e madh të mosmarrëveshjeve të tjera dypalëshe ende të pazgjidhura në rajon.

Për të kompensuar ndikimin negativ të këtyre zhvillimeve, BE-ja duhet të ofrojë mbështetje të shtuar financiare për projekte që synojnë afrimin e të dy komuniteteve, ngjashëm me atë që bëri BE-ja kur ish-presidenti Jacques Delors themeloi Fondin e Paqes të BE-së për të mbështetur marrëveshjen e të Premtës së Madhe në Irlandën e Veriut që nga viti 1998. Ai duhet të propozojë iniciativa të rëndësishme që janë për të mirën e shoqërisë në tërësi, si në fushat e arsimit të integruar në shoqëritë multietnike dhe programet e pajtimit, duke përfshirë edhe mësimin e historisë. Mos adresimi i këtyre çështjeve vetëm do të dëmtojë të gjithë procesin në planin afatgjatë.

BE-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht qasjen e saj dhe ta bëjë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor më politik, më dinamik dhe më pak burokratik. Në fund të fundit, ky ishte një nga qëllimet e metodologjisë së rishikuar të negociatave të anëtarësimit të miratuar nga BE në vitin 2020. BE-ja duhet të përshpejtojë procesin në mënyrë që të negociojë me të gjithë rajonin sa më shpejt të jetë e mundur, me përfitimet e anëtarësimit që do t’u prezantohen vetë qytetarëve në vijë të drejtë me përparimin e negociatave dhe zbatimin e reformave, në vend që të presë përfundimin e negociatave.

Ndërkohë, qeveria maqedonase duhet të tregojë përkushtimin e saj real ndaj reformave, jo vetëm formalisht por edhe në jetën reale, si pjesë e ndryshimeve shoqërore. Kanceri i korrupsionit është ende endemik dhe qeveria aktuale po bie gjithnjë e më shumë në zakonet dhe shprehitë e këqija të regjimit të mëparshëm të Nikolla Gruevskit. “Bllokimi” i vazhdueshëm në Parlament mes subjekteve të hershme politike nuk është reflektim i një agjende që përfshin konsensusin, i cili është kusht i domosdoshëm për sukses në arritjen e synimeve të politikës së jashtme të vendit.

Nëse qeveria dëshiron të ketë sukses në përpjekjet e saj dhe të tregojë të njëjtën këmbëngulje si deri tani, do t’i duhet të bashkojë të gjithë shoqërinë dhe organizatat e shoqërisë civile, duke pasur kështu një rol shumë më të madh se sa ka qenë deri më tani gjatë gjithë këtij procesi.

Erwan Fuere – ResPublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button