NP “Parkingu i Qytetit” të Tetovës me rregulla të reja, nuk do të lejohet parkimi në hapësirat publike

Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” të Tetovës sot ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën i ka shpalosur risitë për funksionin e kësaj ndërmarrje. Risia e parë është futja e biletës plotësuese, ndërkaq e dyta është plotësimi i rregullores për vendosjen e bllokuesve të automjeteve në vendet publike, gjegjësisht që nuk janë të destinuara për parkim, si dhe për procedurën e heqjes së bllokuesve nga automjetet, njofton Portalb.mk.

“Nëse shfrytëzuesi i vend-parkimit e tejkalon kohën e planifikuar të parkimit dhe të njëjtën nuk e vazhdon (pra, nëse një mundësi e tillë parashikohet nga sistemi i tarifimit të shërbimit të parkimit), pastaj në rastin e parkimit të automjeteve në vendet e parashikuara për parkimin e automjeteve të personave me nevoja të veçanta nga persona që nuk i përkasin kësaj kategorie, apo shkel kushtet për shfrytëzimin e vendparkimit për të cilin është i detyruar të paguajë biletë shtesë”, thonë nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Ata njoftuan se urdhri i biletës plotësuese do të lëshohet nga kontrollori, ndërkaq shuma e biletës do të kushtojë 1.500 denarë, ndërkaq nëse paguhet brenda 24 orëve, 750 denarë. Nëse bileta nuk paguhet brenda 8 ditëve, atëherë NP Parkingu i Qytetit do të nisë procedurë, në të cilën do të përfshihen dhe kosto shtesë lidhur me pagesën e detyrueshme dhe kamata.

Me këtë Tarifë ndryshon edhe tarifa për vendosjen e bllokuesit të rrotave në të gjitha zonat, e cila nga 1000 denarë do të ulet në 750 denarë.

“Risia e dytë ka të bëjë me vendosjen e bllokuesve në të gjitha hapësirat publike nën juridiksionin e Komunës së Tetovës. Këtu përfshihen: rrugët shërbyese dhe banesore në territorin e Komunës së Tetovës, trotuaret, parkingjet publike, shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta, sheshet, shëtitoret e ndryshme, tregjet, në pjesët e gjelbra të rrugëve, parqet, hapësirat rekreative si dhe në vende e pjesë të tjera të paorganizuara”, thanë nga NP Parkingu e Qytetit.

Ata informuan se do të kërkojë asistencë nga policia e trafikut gjatë vendosjes së bllokuesve dhe largimit të automjeteve nga vendet që nuk janë të destinuara për parkim. Në rast të mungesës së asistencës nga policia e trafikut, NP “Parkingu i Qytetit” – Tetovë do t’i dorëzojë policisë së trafikut listën e targave të automjeteve të bllokuara dhe të hequra deri në fund të orarit të punës ose më së voni në ditën e ardhshme të punës për veprime të mëtutjeshme.

Kujtojmë që në janar të këtij viti, Komuna shpalosi planin për krijimin e parkingjeve të reja për këtë vit. Ky plan parashihte 3.090 vende të reja parkimi edhe atë (zonale 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890). Ky plan ishte i ndarë në pesë faza. Në tre- mujorin e parë, plani nuk u realizua siç u premtua. As në tre-mujorin e dytë plani nuk u realizua sipas premtimit. Edhe në tre-mujorin e tretë parkingjet nuk u realizuan sipas planifikimit. Në këtë periudhë është bërë zgjerimi i parkingut zonal, që nuk nënkupton vende të reja parkimi, si dhe po punohet për disa parkingje të mbyllura. Parkingje dhe garazhe në kate nuk ka ende. Aktualisht, sipas SPB-së në Tetovë ka të regjistruara rreth 44 mijë vetura.

Gjatë konferencës për shtyp për një-vjetorin e tij në Komunë, Kasami deklaroi se kanë siguruar më shumë se 500 vende të reja parkimi, nëpërmjet ndërtimit të parkingjeve të hapura dhe të mbyllura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button