Transportuesit privat në protestë, qarkullimi në Shkup pothuajse i pamundur

Organi koordinues i transportuesve privatë sot prej mëngjesit ka bllokuar bulevardin “Ilinden” nga semaforët pranë Qeverisë deri te semaforët pranë MI-DA në të dy drejtimet, por vetëm korsitë e djathta të rrugës, transmeton Portalb.mk.

Në ndërkohë që po zhvillohet protestë, në qytet po kryhen aktivitete ndërtimore në disa rrugë kyçe, gjë që rëndon edhe më tej trafikun. Kështu është bllokuar qarkullimi në bulevardin Kuzman Josifovski Pitu, përballë Bankës Popullore. Aty bulevardi është gërmuar në të dy drejtimet e lëvizjes dhe nga mëngjesi i sotëm është plotësisht e ndaluar lëvizja në njërën anë të bulevardit.

Printskrin nga Google Maps për situatën momentale të trafikut në qytet. Të gjitha linjat portokalli, të kuqe dhe vjollcë tregojnë trafik të rënduar.
Printskrin nga Google Maps për situatën momentale të trafikut në qytet. Të gjitha linjat portokalli, të kuqe dhe vjollcë tregojnë trafik të rënduar.

Po ashtu, në bulevardin Metropolitan Teodosij Gologanov trafiku është i vështirësuar për shkak se po zhvillohen aktivitete ndërtimore për një kohë të gjatë. Po punohet edhe në rrugën “Anton Popov”, e cila lidh Komunën Kisella Vodë me Qendrën, si dhe në rrugën “Vodnjanska”, gjegjësisht “Todor Aleksandrov”.

Transportuesit privatë nuk thonë nëse protestat dhe bllokadat do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, por theksojnë se sigurisht që do të vazhdojnë edhe nga e hëna nëse nuk ka zgjidhje problemi dhe se do të radikalizohen.

“Përpara Qytetit nesër do të parkohen rreth 200 autobusë, që kryetarja Danela Arsovska të shohë se numri nuk është siç thotë ajo. Dikush dëshiron të defokusojë opinionin dhe të thotë se nuk ka probleme, se e mbulojnë problemin e qytetit, por të gjithë e shihni se çfarë po ndodh”, tha dje Lenin Jovanovski nga “Sloboda prezov”.

Kjo, siç apeloi Jovanovski, është njoftim nga ndërmarrjet private se protestat mund të intensifikohen dhe të radikalizohen.

Autobus, foto: Meta.mk
Autobus, foto: Meta.mk

“Nervozizmi po rritet, janë të shqetësuar, dërgojnë deklarata dhe situata është shumë e tensionuar, prandaj apelojmë që të gjitha institucionet, edhe ato shtetërore, të përfshihen si ndërmjetës në zgjidhjen e këtij problemi, që kjo situatë të mos përshkallëzohet“, apeloi Jovanovski.

Nëse nuk ka zgjidhje, të hënën këta 200 autobusë do të rigrupohen dhe do të bllokojnë qarkullimin nga ora 06:00, do të ketë bllokadë të plotë në udhëkryqin te “Mavrovka”, në udhëkryqin në “Kryqin e kuq” dhe në rrugën “Ilindenska”, shtoi ai.

Jovanovski edhe një herë i hodhi poshtë akuzat e Arsovskës se kompanitë private të transportit nga “Sloboda prevoz” në pesë vitet e fundit, gjegjësisht nga viti 2017 e deri më sot, nuk kanë raportuar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin për dy shoqatat, dhe në të njëjtën kohë nga Ndërmarrja e Transportit Publik i paguan fakturat për kilometrat e kaluara për një euro për kilometër.

Jovanovski përsëriti se “Sloboda prevoz” nuk ishte ajo që shiste bileta transporti. Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) është ekskluzivisht përgjegjëse për blerjen, shitjen dhe grumbullimin e biletave. Asnjë kompani private nuk shet bileta në autobusët e saj në asnjë mënyrë, theksoi ai.

Qyteti i Shkupit dje përmes një komunikate për media ka njoftuar se është duke e shkëputur kontratën me shoqatën e transportuesve privatë “Sloboda prevoz”. Shkak për zgjidhjen e kontratës, siç thuhet në njoftim, është bërë mospërmbushja e detyrimeve që rrjedhin prej saj.

“Në këtë rast bëhet fjalë për detyrimin për ofrimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të shërbimit publik për transportin e udhëtarëve. Fatkeqësisht, “Sloboda prevoz” për më shumë se dy ditë radhazi nuk e ka përmbushur këtë obligim kontraktual, për çka për mosrespektim të kontratës, e njëjta është ndërprerë”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e dytë që transportuesit privat dalin në protestë. Të hënën, transportuesit privatë bllokuan udhëkryqin te “Mavrovka”. Kjo protestë zgjati një ditë dhe përfundoi për shkak të vizitës treditore të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Portalb.mk paraprakisht informoi se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Sot Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”

D.m.th. të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Portalb.mkështë ndër mediat e para që ka shkruar për problemin me transportuesit privat, i cili pastaj u shndërrua në problem kryesor të qytetit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button