RMV, pjesa më e madhe e nxënësve të shkollave të mesme, për bursa aplikuan në mënyrë elektronike

Digjitalizimi gjatë aplikimit për bursa të nxënësve për vitin shkollor 2022/2023 ka ndikuar që këtë vit për herë të parë të mos ketë radhë të gjata nxënësish dhe prindërish, gjegjësisht kujdestarësh që presin para Ministrisë për të dorëzuar dokumentet e nevojshme, thonë nga Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), transmeton Portalb.mk.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri theksoi se shumica e aplikacioneve të pranuara për bursa të nxënësve kanë qenë në formë elektronike, që për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është një sinjal se nxënësit e shkollave të mesme ndjekin zhvillimet moderne në fushën e TIK teknologjisë dhe pranojnë mënyrat moderne të komunikimit.

“Besoj se trendi i sivjetshëm për aplikim elektronik për bursa nxënësish do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, i cili dalëngadalë do ta braktisë sistemin e vjetër të aplikimit duke dorëzuar dokumentet në letër në MASh”, thotë Shaqiri.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shtojnë se digjitalizimi i aplikacionit për bursa nxënësish lehtëson shqyrtimin e dokumenteve të marra dhe është më i lehtë krijimi i listave të renditjes, gjë që shkurton edhe kohën e gjenerimit të zgjidhjeve për fitimin e të drejtës për bursë.

Nxënësit e vitit të kaluar shkollor kanë mundësinë të aplikojnë për bursa shtetërore përmes portalit të “e-shërbime”, ndërsa aplikimet elektronike për bursa studentore janë bërë të disponueshme një vit më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button