Shkolla shqipe dhe reforimi i sistemit arsimor në Maqedoni

Përpjekjet për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoni kanë nisur në vitet e ’90-ta. Gjer më tani kanë rrjedhur shumë projekte, janë mbajtur shumë seminare, janë shpenzuar shumë para, por e gjitha ka rezultuar me rezultate modeste. Dëshmi për këtë janë projektet: “Bazat e demokracisë”, “Parandalimi i dhunës nëpër shkolla”, “Integrimi ndëretnik”, “Forcimi i bashkëpunimit ndëretnik”…, efektet e të cilëve shihen në protestat ulëritëse të albanofobëve maqedonas kundër qenies dhe gjuhës sonë, në të cilat, mjerisht, marrin pjesë edhe profesorë universitarë, studentë dhe nxënës.

Koha e humbur në kërkim të modeleve bashkëkohore të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove për jetën dinamike të së sotmes ka krijuar vakume të dukshme. Shumëçka nuk është në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të epokës dixhitale, kur gjërat vjetërrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për brezat e mbetur peng vorbullash të krijuara prej insititucioneve të thirrura për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në arsim.

Shi për këtë: Maqedonia ka ngecur prapa të tjerëve në proceset e reformimit dhe sot është disa hapa pas Shqipërisë, ndoshta edhe pas Kosovës, që, përkundër vonesave për shkaqe të njohura, e synon më seriozisht shkollën e sh. XXI.

Në vijim po sjellim disa prej shkaqeve të ngecjes në fjalë:

  • 28 vitet e fundit, që kur u bë shtet i mëvetësishëm, Maqedonia nuk e ka pasur kurrë prioritet çështjen e arsimit, në asnjë nivel të shkollimit. Po ta kishte pasur, do të kishte ndërtuar shkolla moderne, në vend të luanëve me pamje të egërsuar, priftërinjëve mesjetarë ortodoksë që ruajnë urën e lashtë të kryeqytetit multietnik e multikonfesional, anijeve anakronike në Vardarin e shndërruar në shtonë, luftëtarëve me armë dhe me hanxharë të nxjerrë këllëfesh, që, si për t’na e bërë me dije sa bie sahati, u bëjnë karshillëk lagjeve shqiptare, duke pozuar domethënshëm para gjykatave, bibliotekave, universiteteve, televizioneve publike, shtëpive operistike, teatrove, muzeve të Holokaustit…, të cilat kudo dhe kurdo simbolizojnë paqen, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet njërëzish, kulturash, etnishë…
  • Gjatë kësaj periudhe, kanë rrjedhur mbi 60 projekt* me synim reformimi të sistemit arsimor në nivel të shkollimit fillor dhe të mesëm (gjimnazeve dhe shkollave profesio-nale), por gjithçka është braktisur në momentin kur janë harxhuar donacionet e jashtme*, të dhuruara me dedikim konkret, jo për të përfunduar në xhepa hajdutësh.
  • Dështuan dhe seminaret e pafundme, me përfshirje të gjerë të arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme, sepse askush nuk u interesua të vjelë informacionin kthyes nga terreni, për të parë sa dhe si zbatohen në praktikë risitë; askush nuk u lodh për pasojat e informacionit rrëmujë të hedhur në veshët e arsimtarit të zbritur në statusin e shkopit të lypsarit, që jeton për të edukuar me dashuri fëmijët e të tjerëve dhe vdes në këste të përditshme nga pamundësia e shkollimit cilësor të fëmijëve të vet.
  • Asnjë institucion nuk i analizoi seriozisht modelet më të përshtatshme evropiane që mund të gjejnë zbatim tek ne*, askush nuk e pati parasyshë të dhënën se, jo gjithçka e dëshmuar gjetiu, mund të japë rezultate në kushtet dhe rrethanat tona.
  • Fiaskoqe dhe projekti qeveritar për kompjuteri-zimin e tërësishëm të shkollave fillore dhe të mesme, i njohur si: “Kompjuter për çdo nxënës”, që në fakt ishte monitor për çdo nxënës, por që bëri rrush e kumbulla shuma milionëshe me të cilat mund të ishte përparuar arsimi.
  • Si për të kompensuar projektin e dështuar të monitorëve të shnderruar në havele elektro-nike, që pamundësojnë pamjen e fytyrave të nxënësve nga ana e arsimtarit të trajnuar me vite për realizimin e mësimdhënies interaktive, u shpik “Ditari elektronik”, që, natyrisht, nuk e largoi skene ditarin e rëndomtë, por ia doli ta shndërrojë arsimtarin në punëtor administrativ, të cilin më shumë e sikletos qëndrueshmëria e rrjetit të internetit, nëpërmjet të cilit duhet të dërgojë titujt e njësive mësimore në lbirintet e sistemit të drejtuar prej analfabetësh, se sa procesi fisnik i mësimdhënies…
  • Kanë dështuar gjithanshëm testimet eksterne të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, veçmas në shkollat me mësim në Gjuhën shqipe, për shkak të mungesës së teksteve kualitative, mungesës së këshilltarëve pedagogjikë* në shumë lëndë mësimore dhe mungesës së lektorëve shqiptarë, që do t’i bënin tekstet të kuptueshme për nxënësit. Në kësi situate, testet eksterne në shqip dalin të shfytyruara dhe me gabime teknike, gjuhësore e materiale, që do të detyronin çdo shtet normal të anulojë në vend rezultatet diskutabile, jo të degradojë mësimdhënësit me zbritje pagash edhe ashtu mizerje…
  • Të pasuksesshme u treguan edhe testet e maturës, sepse nuk paraqesin kurfarë filtrash për seleksionimin e drejtë të nxënësve, në pajtim me prirjet dhe afinitetet e tyre…
  • Dështim janë dhe tekstet mësimore të të gjitha lëndeve në gjuhën shqipe, të përpiluara 90% prej autorësh maqedonas dhe të mbushura me leshime të qëllimshme përmbajtësore, me të cilët fyhen e poshtërrohen shqiptarët, shpallen ardhacakë e qiraxhinj në trojet e tyre stërgjyshore etj…

Nga e sipërthëna (pa minimizuar edhe ndonjë të mirë të disa projekteve…) kuptohet lehtë se me çfarë serioziteti iu fut Maqedonia reformimit të sistemit të saj arsimor, që duhet t’i përgjigjej jetës dinamike të kohës aktuale.

Dështimi i projekteve në fjalë dhe kujdesi me të cilin shtetet normale i përgatisin gjeneratat e reja për jetën e sh. XXI, kuptohet nga analizat e vazhdueshme krahasimtare të suksesit të nxënësve, të verifikuara nga institucionet kredibile, si TIMSS – Trends in International Mathematics and Science Study, ku rezultatet e aftësive dhe shkathtësive konkrete të nxënësve të Maqedonisë janë tejet të dobëta dhe përherë ndër vendet e fundit në botë, aty ku janë dhe shtetet si: Jordani, Libani, Irani, Maroko, Tunisi, Gana…*

Nga e gjithë kjo më keq e ka pësuar shkolla shqipe, ndaj së cilës, për shkaqe të mirënjohura…, Maqedonia është dashur të bëjë diskriminim pozitiv, për aq kohë sa të arrijë nivelin e infrastrukturës dhe paisjeve të shkollave maqedonase dhe të fitojë autonominë e plotë për përgatitjen e programeve dhe teksteve unike mësimore për gjithë shqiptarët, veçmas ato të lëndëve me aromë etnie, duke nisur që nga abetarja…

Mjerisht, akoma nuk ndërmerret asgjë për ta përmirësuar substancialisht  pozitën e arsimit shqip në Maqedoni. Prandaj, në vendbanimet rurale të Velesit, Prilepit, Krushevës…, ka shkolla ku nxënësit shqiptarë diskriminohen në mënyrën më të ulët, duke u detyruar të ndjekin procesin mësimor në gjuhën maqedonase. Deri vonë një shkollë e tillë ishte ajo e fshatit Mallçisht të Velesit me emrin “Draga Stojanova”, në të cilën me shumë vështirësi u arrit që nxënësit shqiptarë të nisin të mësojnë në Gjuhën shqipe. Por, ka plot të tjera ku e drejta elementare e nxënësve shqiptarë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare mohohet nga ana e pushtetarëve maqedonas dhe heshtet nga politikbërësit e korruptuar e të hipotekuar shqiptarë (respekt përjashtimeve të rralla!). I tillë është rasti i shkollës fillore të Banjicës së Velesit, ku, për paradoks, shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si robër, si rajë, si gjynahë… në një shekull kur bota e qytetëruar, drejt së cilës marshojmë me tam-tame shurdhuese, pandeh se aparthejdi ka vdekur në Afrikën e Jugut*. Së këndejmi, me të drejtë shtrohet pyetja: Si është e mundur që në shekullin e XXI nxënësve shqiptarë t’u mohohet shkollimi në Gjuhën e shenjtë të nënës – t’u mohohet abetarja dhe alfabeti i njomur me gjak i shqipes?! Si është e mundur që në shekullin e teknologjisë dixhitale, në epokën e emancipimit të lirë gjithandej botës, fëmijët tanë detyrohen të udhëtojnë gjer në shkollat e fshatrave maqedonase, jo për të marë dije, po për t’u dresuar si shtazë, për të harruar si i thonë nënës, bukës, ujit dhe diellit shqip?!

*

Po ndalemi tani në gjërat që duhet bërë për të marë të mbarën arsimi, veçmas arsimi shqip, që është përballur dhe vazhdon të përballet me padrejtësi të shumëllojshme.

Si e para, arsimi duhet:

  • Të depolitizohet në të gjitha nivelet;të ndërpritet diskriminimi financiar i arsimit shqip; të sigurohen kushte për arsimimin e njëjtë të të gjithëve, pa asnjë përjashtim (të mos ketë më mungesa shkollash, shkolla pa hapësira të mjaftueshme, shkolla ku nxënësit shqiptarë mësojnë maqedonisht, tekste me të meta të patolerueshme gjuhësore e përmbajtësore, përpilues tekstesh mësimore pa kompetencë profesionale…); të hapen më shumë shkolla profesionale në gjuhën shqipe dhe të përgatitet kuadri i nëvojshëm mësimdhënës për to; të kenë kontinuitet ndryshimet pozitive dhe të mos varen prej nderrimit të ministrave; drejtuesit e institucioneve arsimore të jenë apolitikë dhe profesionistë të dëshmuar të fushës së arsimit, me vizione të qarta, të jenë menaxhues të aftë, ta kenë ndjeshmërinë e duhur për sektorët që drejtojnë dhe për të cilët sjellin vendime të rëndësishme…
  • Të kthehet dinjiteti i arsimtarit;arsimtari të mos jetë objekt i papërfillshëm, por subjekt i rëndësishëm i sistemit arsimor; të mos varfërohet e katandiset edhe më tej, të mos mendojë më për ekzistencë fizike…; të mos shndërrohet në punëtor administrativ…; të mos çorientohet me trajnime të pafundme, efektin e të cilave e mbykëqyrin kuadrot që nuk kanë asnjë lidhje me arsimin…; të mos lihet i vetëm në veprimtarinë e tij fisnike, për shkak se numri i profesionistëve të cilët duhet t’i ketë krahë ndihme (këshilltarët pedagogjikë, pedagogët, sociologët, psikologët…) është simbolik…
  • Të bëhet reformimi serioz i sistemit arsimor me strategji të mirëmenduar nacionale; të sigurohen mjetet financiare për reformim; të studiohet fillimisht gjendja aktuale e arsimit dhe të hidhen elementet që nuk i përgjigjen kohës; të zgjedhet pastaj modeli më i përshtatshëm, risitë e të cilit do të gjejnë zbatim praktik dhe do të japin rezultate në kushtet tona; asimtarët të trajnohen nga profesionistë të dëshmuar, që më pas do të kujdesen edhe për zbatimin e risive në terren…
  • Të fillojë ngritja e shkollave të sh. XXI; të pajisen shkollat me laboratore, kabinete teknologjike, mjete bashkëkohore pune…; të kenë prioritet në punësim mësimdhënësit që kanë: kompetencë profesionale(njohuri të pergjithshme, aftesi për të planifikuar dhe për kryerje efikase detyrash…); kompetencë pedagogjike – didaktike e metodike, që nënkupton: (respektimin e procedurave shkollore, përgatitjen e njësive mësimore, aftesinë për zgjidhjen e problemeve…) dhe kompetencë në punë  – njohuri praktike, (aftësi për bashkëpunim, parime pune, ndjenjë përgjegjësie, njohje të teknologjisë…); të stimulohen mësuesit që do ta lidhin punën e shkollës me bizneset dhe prodhimin; që do ta nxisin punën kreative dhe ekipore të nxënësve; që do t’i pajisin ata me vetëdije kulturore dhe me kompetenca shoqërore, qytetare, teknologjike e dixhitale; që do t’i aftësojnë të komunikojë në gjuhën amtare dhe të huaj; që do t’i bëjnë të aftë për mësim praktik dhe përdorim të teknologjisë në sferën e robotikës, animacionit, kodimit, programimit, energjisë solare…
  • Të faktorizohet BZHA, si institucion që do t’u prijë reformave; Biroja për zhvillimin e arsimit* ta ketë statusin e institutit, që krijon politika arsimore në bazë të hulumtimeve empirike; këshilltarët pedagogjikë të trajtohen si ekspertë, jo si punonjës të thjeshtë administrate*; të kompletohet kuadri shqiptar* me këshilltarë për gjithë lëndët mesimore të shkollës fillore dhe të mesme, në pajtim me standardet…; të punësohen përkthyes dhe lektorë në njësitë ndërkomunale të Birosë, që, në disa segmente, duhet të gëzojnë autonomi veprimi; nga Ministria e arsimit të përfillen mendimet profesionale të këshilltarëve mbi cilësinë e teksteve shkollore…
  • Të përgatiten programe dhe tekste të reja mësimorenga ekipe profesionistësh të lëndëve të caktuara dhe brenda afateve të arsyeshme për projekte të rëndësisë së veçantë; – në veçanti meritojnë kujdes programet dhe tekstet për shkollat profesionale, që duhet të jenë në pajtim me tregun vendor dhe global të punës, të shkarkuara prej informacioneve të parëndësishme për nxënësit…; – programet e lëndëve me aromë etnie (Gjuhë shqipe dhe letërsi, Histori, Kulturë muzikore…) t’i përgatisin kuadrot shqiptarë etj., etj.     Tani më kur është humbur mundësia e prapakthimit dhe e përmirësimit të gjërave që kanë ndodhur në të shkuarën, mund vetëm të ndjejmë keqardhje për efektet dhe përfitimet e pakta të arsimit në nivel shteti, që nuk përputhen as përafërsisht me paratë e harxhuara dhe mundin e dhënë të trajnuesve, shkollave dhe mësimdhënësve të përfshirë me vite të tëra në trajnimet e realizuara gjithandej. U tha edhe më lart se nga e tërë kjo ka një lloj përmirësimi në punë të ndryshimit të qasjes së arsimtarëve ndaj planifikimit të punës edukativo-arsimore (planeve të tyre të punës…), ndaj trajtimit të nxënësve si subjekt gjatë orëve mësimore, ndaj medotave dhe teknikave të shftytëzuara të punës, ndaj vlerësimit të njohurive dhe shkathtësive (aftësive) konkrete të tyre…, po kjo është minimale në raport me pritjet dhe vin si pasojë e mungesës së kontrollit të së tërës gjatë fazës së implementimit praktik të gjërave.

Kyçja e shkollave dhe mësimdhënësve në projekte të shumta brenda një periudhe të shkurtë kohore, në njërën anë dhe mungesa e përkrahjes morale e profesionale në momentin e zbatimit të risive të mësuara nëpër trajnime, në anën tjetër, solli zhgënjimin dhe humbjen e besimit në gjithçka që propagohej e imponohej si ndryshim pozitiv në sferën e arsimit. Arsimtarët, më mirë se kushdo tjetër, e kuptuan se njerëzit më kompetentë të arsimit u qasen gjërave me papërgjegjësi dhe nuk mërziten aspak për efektet e arritura të përpjekjeve reformuese, sepse posa përfundonin mjetet financiare të një projekti, përqafohet një projekt tjetër dhe humbet interesimi për projektet paraprake. Për pasojë, nuk egziston asnjë projekt i vetëm që është realizuar në tërësi dhe që sot jep fryte konkrete.

Megjithatë, rrugedalje ka dhe këtë duhet kërkuar prej ministrave të arsimit të vendit, duke insistuar fillimisht në rritjen e buxhetit të shtetit për sferën e arsimit; në zhvillimin e infrastrukturës shkollore dhe pajisjen me mjetet moderne pune; në përgatitjen dhe botimin e domosdoshëm të teksteve mësimore për shkollat e mesme profesionale, që mungojnë me dekada…; në ndërprerjen e përnjëhershme e traditës së përgatitjes së programeve dhe teksteve mësimore për afate tejet të shkurta; në punësimin e kuadrove përkatëse në Bironë për zhvillimin e arsimit institucionin përgjegjës për çësshtjet kyçe të arsimit dhe në përmirësimin e të ardhurave të mësimdhënësve të vendit, sepse vetëm arsimtarët që nuk mendojnë për ekzistencë fizike mund të jenë të dobishëm për edukimin e mirëfilltë të brezave që vijnë…

Hapin më serioz për ndryshimin e situatës në arsim duhet ta bëjë lidershipi shqiptar në Maqedoni. Ai duhet të hapë rrugën e natyrshme të bashkëpunimit me institucionet arsimore të shtetit amë – Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, duke kërkuar një status më të denjë të shkollës dhe të Gjuhës shqipe në Maqedoni, një koordinim e bashkëveprim të përhershëm ndërmjet institucionesh e njerëzish kompetentë të arsimit, ashtu siç vepron Maqedonia kur janë në pyetje maqedonasit e 7-8 fshatrave të Gollobërdës me vetëm 3-4 mijë frymë… Kjo duhet të nisë me trysninë që duhet të bëhet për pranimin e ABETARES gjithkombëtare që rrefuzohet nga pushtetarët maqedonas, thua ti se bëhet fjalë për shpërndarje narkotikësh, jo librash më të mirë për fëmijët tanë, që do të jenë ardhmëria e këtij vendi.

Kur të ndodhin këto ndryshime dhe kur të eliminohen pengesat aktuale me të cilat përballen arsimtarët dhe nxënësit tanë, kur të kuptohet seriozisht rëndësia e reformimit të sistemit arsimor të vendit përmes projektesh e hapash të mirëmenduar që do të pasojnë pas analizave të gjithanshme të bëra nga ana e ekspertëve dhe njohesvë të mirëfilltë të çështjeve arsimore, mund të shpresojmë se do të ecim drejt standardeve të aspiruara dhe të domosdoshme për kyçjen e vendit në bashkësinë e shteteve të përparuara. Ndryshe nuk do t’arrijmë kurrë të jemi të barabartë mes të barabartëve.

 

Sqarime plotësuese:

*  Projektet e realizuara me para donatorësh të huaj dhe të braktisura pa asnjë arsyetim në fazat kur pritej zbatimi i risive në praktikë:  Hap pas hapi, Bazat e demokracisë, Mësimi aktiv – të mësuarit interaktiv, Planifikimi i punës edukativo-arsimore, Notimi me shkrim, Përparimi i mësimit në matematikë dhe në shkencat natyrore, Arsimi për shkathtësitë jetësore, Tolkid-aouftver për mësimin klasor, E-scool,  Shkrimi dhe leximi gjuhësor, Mendo matematikisht, Koncepti për edukimin dhe arsimin fillor nëntëvjeçar, Teknologjia informatike kompjuterike, Paketa e gjelbërt (edukimi ekologjik), Standardet për vlerësim, Zbatimi i programeve të reja mësimore në arsimin nëntëvjeçar, PHARE, Planifikimi procesual zhvillimor në shkollat fillore dhe të mesme sipas programeve të reja mësimore, Parandalimi i dhunës nëpër shkolla, integrimi ndëretnik në arsim, Avancimi i mësimdhënies për lëndët Matematikë dhe Shkencat natyrore, TIK në arsim, Programet mësimore për lëndën Kimi – planifikimi tematik procesual, Programet e reja mësimore për lëndët e shkencave natyrore teknike (kl. VI), Zbatimi i maturës shtetërore, Zbatimi i standardeve për notim (notimi formativ dhe sumativ), Afarizmi dhe ndërmarrësia, Mësimi aktiv interaktiv, Leximi dhe shkrimi me të mënduarit kritik, Forcimi i bashkëpunimit ndëretnik…

*  Autori i këtij shkrimi ka qëne i kyçur që nga fillimi në projektin PHARE, që në lëndët e Gjuhëve amtare rezultoi me ndryshimin e programeve mesimore, duke inkuadruar dhe fuqizuar në programe fushën e rëndësishme programore të komunikimit, që kishte për qëllim të përmirësojë aftësite komunikuese të nxënësve. Për çudi, atëherë kur pritej që të hartoheshin tekste të veçanta mësimore për lëndët në fjalë (në lëndën Gjuhë dhe letersi shqipe akoma sot nuk ka tekste të veçanta për shkollat e mesme profesionale 4, 3 dhe 2 vjeçare, të përgatitura në përputhje me programet përkatëse mësimore…), dikujt iu tek t’i pezullojë programet mësimore të përgatitura enkas për shkollat në fjalë, duke e kthyer sërish gjendjen e para 10 viteve, me aktin e hjekjes nga programet të fushës programore të Komunikimit. Pa dashur të abuzoj me këtë gjest aspak arsimor, më duhet të them se, si duket, kjo u bë shkaku i një  tregu më të madh për shitje librash të ndonjë botuesi a autori tekstesh shkollore me ndikim politik jo vetëm në gjimnaze por edhe në shkollat e mesme profesionale. Me këtë rast askush nuk u lodh me faktin se fondi i orëve të gjuhës dhe letërsisë në gjimnaze dhe ai i shkollave profesionale është i ndryshëm; se janë të ndryshme dhe kërkesat etj., etj. Po të mos ishte diçka e tillë në pyetje, përse do të kërkohej që në mënyrë gati tinëzake të adaptohen programet mësimore të shkollave të mesme profesionale dhe të afrohen sa më shumë që është e mundur me programet e lëndëve të gjuhës në gjimnazet e reformuara?

*   Në kohën e realizimit të trajnimeve të arsimtarëve për përvetësimin e të rejave të projektit amerikan Hap pas hapi (1998 -2000), në shumëçka të ngjashëm me projektin Mësimi interaktiv…, doli në shesh e vërteta se ai ishte në fazën më eksperimentale të tij, duke qenë se kishte lindur vetëm para 5-6 vitesh në kokën e disa metodistëve të njërit prej 50 shteteve amerikane. Si i tillë, natyrisht, ai nuk kishte arritur të imponohet akoma as në shkollat amerikane të rajonit ku kishte lindur.

*  Numri i këshilltarëve pedagogjikë shqiptarë nuk përputhet me numrin e shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptarë. Diskriminimi u vërejt në veçanti në mungesën e gjatë të një këshilltari të Gjuhës dhe letërsisë shqipe, që është lëndë mësimore dhe gjuhë mësimi në shkollat me nxënës shqiptarë. Mungesa e një kuadri kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm zgjati pak më shumë se 10 vjet. Dëshmi se kjo s’është rastësore është e dhëna se, për vëllim të njëjtë pune, janë punësuar 7-8 këshilltarë të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase dhe vetëm 1 këshilltar i Gjuhës dhe letërsisë shqipe?!

*  Se në çfarë shkalle është diskriminimi në fjalë kuptohet që nga mbiemrat e shqiptarëve që akoma sot përfundojnë me prapashtesën sllave “ski”: Bakioski, Dautovski, Asanovski, Durmishovski…, tamam si para 100 e ca vitesh – në kohën e serbit a bullgarit, kur të gjithë mbiemrat tanë përfundonin me “ski” ose me “ov”

*  Biroja për zhvillimin e arsimit (BZHA) është institucion që vepron nën kulmin e Ministrisë së arsimit. Në të janë të punësuar këshilltarët pedagogjikë, të cilët i kryejnë detyrat më të rëndësishme të lidhura për mbarrëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Këshilltarët pedagogjikë janë profesionistë të fushave përkatëse, që mbulojnë lëndët mësimore të shkollës fillore, gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale me kohëzgjatje 4, 3 dhe 2 vjeçare. Selia e BZHA është në Shkup, por, me qëllim të funksionimit më të mirë të punës, ekzistojnë edhe njësitë ndërkomunale (rajonale) të saj. Në mesin e tyre është Njësia ndërkomunale e BZHA për Tetovë, Gostivar dhe Dibër, veprimtaria e së cilës kontrollohet nga qendra në Shkup. Kjo do të thotë se mbarëvajtja e punëve në njësitë ndërkomunale varet nga mbarëvajtja e punëve në gjithë BZHA-në.

*  Detyrat bazë të këshilltarëve pedagogjikë janë: përgatitja e programeve mësimore; dhënia e mendimeve profesionale për cilësinë e teksteve shkollore; dhënia e mendimeve profesionale për cilësinë e revistave shkollore dhe teksteve/ burimeve plotësuese; organizimi i seminareve dhe trajnimi i mësidhënësve; vëzhgimi i orëve mësimore dhe përgatitja e raporteve mbi cilësinë e tyre  (ofrimi i ndihmës profesionale për mësimdhënësit, me qëllim të tejkalimit të problemeve me të cilat ballafaqohen gjatë procesit të punës); kontrollimi i mbarëvajtjes së gjithë veprimtarisë edukative-arsimore në shkollat fillore dhe të mesme; ofrimi i ndihmës për funksionimin e mirë të aktiveve profesionale nëpër shkolla, nëpërmjet konsultimeve, këshillimeve dhe orientimeve të vazhdueshme; ofrimi i ndihmës profesionale lidhur me përpilimin e programeve për punën e shkollave fillore dhe të mesme; përgatitja e testeve eksterne për nxënësit e fillores dhe ato të shkollave të mesme, përfshirë këtu edhe kyçjen në punën rreth testeve të matures, që përgatiten në institucion të veçantë…, por të lidhur ngushtë me BZHA.

*  Të dhanat për numrin e këshilltarëve pedagogjikë dhe të punësuarve të tjerë në Njësinë ndërkomunale / rajonale të BZHA – Tetovë, Gostivar dhe Dibër janë të habitshme. Kështu, në dy qytetet e Pollogut, ku popullata shqiptare është dominante, numri i të punësuarve shqiptarë është i njëjtë me atë të punësuarve turqë, pa çka se numri i arsimtarëve dhe nxënësve turqë është pakrahasimisht më i vogël se numri i arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë. Kjo dëshmon se numri i këshilltarëve pedagogjikë shqiptarë nuk përputhet me numrin e shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve tanë. Me një fjalë: numri i pamjaftueshëm i këshilltarëve pedagogjikë për mësimin lëndor, veçmas i këshilltarëve të Gjuhës dhe letërsisë shqipe, gjeneron probleme të pazgjidhshme dhe ndikon në rrënien e cilësisë së arsimimit të nxënësve, sepse edhe mësimdhënësit shqiptarë, njësoj si ata maqedonas, kanë nevojë të përhershme për ndihmë profesionale, të cilën gjithsesi nuk mund t’ua japin kuadrot e munguara, as inspektorët e arsimit, që me profesionin e tyre prej juristësh, ekonomistësh…, nuk kanë asnjë mundësi të ndihmojnë në këtë aspekt, për shkak se nuk janë profesionistë të lëndëve të caktuara mësimore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button