Debat: Ndikimi kinez në RMV rritet, ndërsa qytetarët e ëndërrojnë Kinën si një gjigand ekonomik

Investimet direkte në ekonomi, infrastrukturë, telekomunikime, media, bashkëpunimi akademik me universitetet dhe funksionimi i institucioneve Konfuçi janë instrumentet strategjike të ndikimit kinez jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vendet e tjera. Për “fuqinë e butë” kineze në vendin tonë nëpër mediat maqedonase nuk informohet mjaftueshëm, ndërsa tek qytetarët krijohet një perceptim abstrakt i idealizuar mbi Kinën. Këto janë konkluzionet e panel-diskutimit të sotëm “Të kuptuarit e mjeteve, narrativeve dhe ndikimit të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut, në organizim të Fondacionit Konrad Adenauer dhe Shoqatës ESTIMA, raporton Meta.mk, përcjell Portalb.mk.

Ana Kërstinovska nga ESTIMA në eveniment e prezantoi hulumtimin e realizuar “Të kuptuarit e mjeteve, narrativeve dhe ndikimit të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se sipas Indeksit global të fuqisë së butë, Kina në vitin 2022 ka arritur në vendin e 4 në botë në plasmanin gjeneral pas SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Hulumtimi i këtij viti i prezencës dhe shfaqjes së Kinës nëpër media ka treguar se ndikimi kinez në vendin tonë është mjaft i fortë, ndërsa Maqedonia mund të rangohet në vendin e 3-të nëse bëhet krahasim midis 17 vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore. “Ky rezultat kërkon një shqyrtim më të thellë mbi fuqinë e butë të Kinës si një ndër mjetet kryesore me të cilat ajo disponon për formimin e perceptimeve, si dhe mbi strategjitë specifike që përdoren për targetimin e grupeve të ndryshme, posaçërisht atyre që kanë ndikim mbi proceset politike dhe mendimin publik”, do të deklarojë Kërstinovska në këtë hulumtim.

Për dallim nga vendet e tjera në rajon, në Maqedoni nuk ekzistojnë prova konkrete për një ndikim direkt kinez në formë të financimit ose nëpërmjet strukturës pronësore të mediave. Gjithashtu, rrjetet sociale që përdoren në Kinë (Weibo, Wechat) janë praktikisht të panjohura për qytetarët e Maqedonisë, shënohet në hulumtimin e Kërstinovska-s. Megjithatë, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski sot në debat paralajmëroi mbi ngritjen aktuale të TikTok-ut, posaçërisht midis të rinjve në vend.

Hulumtimi i ESTIMA-s është kryer nëpërmjet realizimit të intervistave të gjysmë strukturuara me individë të përzgjedhur paraprakisht, fokus grupe dhe pyetësor anketues që të identifikohen mesazhet kyçe të cilat Kina dëshiron ti imponojë dhe që kanë përgjigje tek opinioni maqedonas.

Në një nga dimenzionet e prezencës së “fuqisë së butë” të Kinës, kategoria “menaxhimi me lajmet” është prezente nëpërmjet medieve të Maqedonisë, në të cilat kollumna dhe shkrime shkruan ambasadori kinez, e të cilat janë vërejtur në një pjesë të mediave të shtypura dhe atyre online në vend.

Kërstinovska thotë se tek dimensioni i dytë i “fuqisë së butë”, e që është kategoria “dërgimi i mesazheve strategjike”, Kina vepron nëpërmjet ofertës kulturore në kuadër të bashkëpunimit midis qyteteve të vëllazëruar ose nëpërmjet aktiviteteve të Institutit Konfuçi, nëpërmjet përkthimit dhe publikimit të librave, emisioneve televizive si “Nji Hao” që transmetohet në Telma dhe aktiviteteve të kompanive kineze (Huawei).

Ana Kërstinovska në panel-diskutimin përmendi se në vitet e kaluara rritet drastikisht numri i librave të përkthyer nga gjuha kineze në maqedonase. Nga viti 1978 e deri sot janë publikuar gjithsej 90 tituj kinezë në vend, por madje 50 përqind e tyre janë nga fillimi i vitit 2018 deri sot. Kështu, madje gjysma e librave të përkthyer janë në fakt libra për fëmijë.

Në dimensionin e tretë të prezencës së “fuqisë së butë”, në kategorinë e “ndërtimit të marrëdhënieve”, bëjnë pjesë jo vetëm aktivitetet e Institutit Konfuçi, por edhe oferta e bursave kineze, trajnimet nëpërmjet programit për zhvillimin e burimeve njerëzore, projektet hulumtuese të implementuara në bashkëpunim midis Kinës dhe vendit tonë, memorandumet për mirëkuptim dhe marrëveshjet për bashkëpunim dhe organizimi i evenimenteve të ndryshme – konferenca, panaire etj.

“Viteve të fundit Kina u bë më aktive në realizimin e projekteve të përbashkëta realizuese, deri në atë shkallë sa sot Maqedonia e Veriut ka më shumë projekte të këtilla bilaterale me Kinën se sa me cilindo shtet tjetër të botës (gjithsej 40 në 5 vitet e fundit)”, shënohet në hulumtimin e Kërtsinovska-s.

Sa i përket reagimit të opinionit maqedonas ndaj mjeteve dhe taktikave që i përdor “fuqia e butë” kineze, janë anketuar 163 persona, prej të cilëve 135 nëpërmjet pyetësorit elektronik, 20 nëpërmjet fokus grupeve dhe 8 nëpërmjet të intervistave të gjysmë strukturuara.

Asocimi i parë i qytetarëve të Maqedonisë për Kinën është biznesi, tregtia, investimet dhe temat e tjera ekonomike e në këtë fushë Kina kryesisht ka reputacion pozitiv. Në pjesën e menaxhimit, edhepse ka shumë dritë negative për faktin që Kina është shtet jodemokratik, një partiak dhe autoritar, përsëri qytetarët konsiderojnë se ajo është një vend i mirë menaxhuar, me procese funksionale dhe efikase të menaxhimit. Sa u përket mediave dhe komunikimeve, tek qytetarët ekziston një kuptim shumë i përhapur se mediat kineze janë nën kontroll të rreptë shtetëror.

Nga anketimi i qytetarëve është konstatuar se perceptim më pozitiv mbi Kinën ka në fushën e kulturës dhe trashëgimisë. Perceptim relativisht pozitiv tek personat e anketuar ka mbi arsimin dhe shkencën, ndërsa qytetarët e Maqedonisë e llogarisin shoqërinë kineze si tradicionale dhe konservative. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, hulumtimi tregoi se reputacioni i Kinës është neutral, me çka ajo tek qytetarët nuk llogaritet si vend i cili i ndihmon shumë vendet e tjera, e as që bën shumë përpjekje për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Hulumtimi sjell përfundim se edhe përkrah konsensusit se bashkëpunimi me Kinën deri tani ka qenë një mundësi jo mjaftueshëm e shfrytëzuar dhe nuk ka sjellë dobi konkrete ekonomike, qytetarët e Maqedonisë edhe më tej kanë shpresa dhe pritshmëri se Kina mund ta ndihmojë vendin tonë që ti tejkalojë vështirësitë ekonomike.

“Vetë fokusi tek aspektet pozitive nga bashkëpunimi me Kinën pa u diskutuar mbi pjesëmarrjen ose ndikimin kinez, në disa projekte kontestuese siç ishte për shembull, projekti për autostradat etj., asocojnë se modeli kinez është në fakt ajo që është në thelbin e suksesit kinez dhe se ne mendojmë se një replikim i tij tek ne do të kishte sjellë rezultate të ngjashme, që është një perceptim me të vërtetë i gabuar dhe që mund të ndikojë në perceptimet tona në lidhje me demokracinë dhe vlerat për të cilat përpiqemi”, paralajmëroi Ana Krstinovska.

Daniel Braun nga Fondacioni Konrad Adenauer deklaroi se hulumtimi i “fuqisë së butë” kineze nuk paraqet një dëshirë për konfrontim me Kinën, por diskutim të temës. Ai shtoi se Kina sot është në gjendje të mundësojë projekte infrastrukturore, është e pranishme në arsim nëpërmjet të promovimit të katedrave nëpërmjet të cilave e siguron “fuqinë e butë”.

“Kina planifikon që të ndikojë mbi botën në mënyrën e tyre dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Daniel Braun nga Fondacioni Konrad Adenauer.

Deputeti Antonio Milloshoski, i cili njëherit është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme, konsideron se duhet ti kushtohet kujdes gjithpërfshirës mbi ndikimin kinez tek ne, që nga përdorimi i aplikacionit kinez TikTok, nëpërmjet punës së Institutit Konfuçi e deri te lidhjet ekonomike që zhvilloheshin me këtë vend aziatik.

“Kina po përgatitet për një konflikt më të madh”, potencoi dy herë Antonio Milloshoski në debatin e sotëm, duke shtuar se Kina konsideron se ka ardhur koha për një rimodelim të rendit ndërkombëtar në mënyrën që asaj i konvenon.

“Mendoj se më e pakta që duhet është të jemi të kujdesshëm, e ato që kanë kompetencë më të madhe dhe mekanizma ndaj fushave për inteligjencë, grumbullim të të dhënave dhe siguri kombëtare, do të duhet gjithashtu të bëjnë kujdes dhe ti ndjekin aktivitetet e RP të Kinës. U përmend se Maqedonia nuk është mbase vend me interes strategjik ndaj të cilës Kina do të kish pasur qasje të tillë, por përsëri mendoj se potenciali kinez është mjaft i madh, edhe ekonomik, edhe diplomatik, edhe kulturor, edhe financiar”, deklaroi Antonio Milloshoski.
Instituti kinez Konfuçi në Bullgari ka edhe “lidhje ruse”.

Kristofer Nering në panel-diskutimin e sotëm pati një prezantim interesant mbi atë se si institutet Konfuçi paraqesin mjet dhe instrument strategjik të diplomacisë publike kineze. Si gazetar dhe anëtar i programit për mediat në Fondacionin Konrad Adenauer për Evropën Juglindore, Nering potencoi se edhepse në shikim të parë ky institut duket si i parrezikshëm, megjithatë në Gjermani ai monitorohet nga ana e shërbimeve të sigurisë.

Qëllimi kryesor i Institutit Konfuçi është të përhapë një pasqyrë të përkryer për Kinën, ndërsa në Bullgari ka dy institute të këtillë, ai i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Sofje dhe i Universitetit të Velikotërnovës. Kristofer Nering posaçërisht u ndalua te publikimet propaganduese që janë të disponueshme te këto institute, por edhe te lidhja ruse që e posedon personeli që punon për ato në Bullgari.

Kështu, në pjesën e publikimeve të disponueshme, Nering tha se Kina promovohet si model kundrejt demokracive liberale, ndërsa politika kineze ndaj kovid-19 promovohet si një përgjigje e suksesshme ndaj korona virusit dhe stagnimit ekonomik. Përshkrimi i masakrës së kryer në sheshin Tjenanmen në vitin 1989 në Peking, në publikimet e disponueshme kineze në Bullgari promovohet si “një konflikt i cili ka qenë me rëndësi kyçe për stabilizimin e shoqërisë kineze”.

Kristofer Nering në paraqitjen e tij para të pranishmëve përmendi edhe se publikimet e disponueshme në Institutin Konfuçi në Bullgari janë pro kineze, pro ruse, anti SHBA, anti kapitaliste dhe e lëvdojnë Partinë komuniste kineze, Mao-n dhe Deng Xiaoping.

Gjithashtu, ai ka vërejtur se midis personelit që punon në të dy institutet Konfuçi në Bullgari ka persona që janë arsimuar në Moskë gjatë viteve 1979 dhe 1980, ndërsa një pjesë e të punësuarve kanë qenë të lidhur me shërbimin sekret bullgar në vitet 1980 gjatë regjimit komunist. Nering shton se ky nuk është rast vetëm me Bullgarinë.

Në paraqitjen e tij, u theksua se universitetet bullgare dhe Kina kanë lidhur mbi 200 marrëveshje për bashkëpunim, e ajo që është e panjohura më e madhe, është se si kina në të ardhmen do ta shfrytëzojë këtë punë të dy instituteve dhe lidhjet dhe kontaktet e krijuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button