Transportuesit privat nesër do ta bllokojnë bulevardin “Ilinden”, prej të hënës tërë Shkupin

Trupi koordinues i transportuesve privat ka vendosur që nesër prej orës 6 të mëngjesit ta bllokojnë bulevardin “Ilinden” nga semafori te Qeveri deri te semafori te MI-DA në dy drejtime. Do të bllokohen vetëm korsitë e djathta të rrugës, kumtoi sot në konferencë për shtyp Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz”, njofton Portalb.mk.

Organizatorët e protestave nuk treguan nëse bllokadat do të vazhdojnë edhe gjatë vikendit, por Jovanovski tha se nëse problemi nuk do të zgjidhet deri të hënën protestat do të radikalizohen.

“Nëse askush nuk dëshiron të vetëdijesohet dhe të ulet në tavolinë që të diskutojmë për problemin thelbësor, nëse Arsovska edhe më tej përsërit se e ka të rëndësishëm interesin publik, dhe jo xhepat privat, nëse kujdeset për interesin publik, duhet të ulet, nëse nuk dëshiron ajo le të zgjedh ndonjë tjetër dhe të gjejmë zgjidhje përkatëse, që të dalim nga kjo krizë në transportin publik. A do shpallë thirrje të reja, ai është problemi i saj, fillimisht duhet ta zgjidhim këtë problem. Madje edhe po të kishim qenë kriminel, fillimisht le të sigurojë variant rezervë dhe pastaj le ta shfuqizojë marrëveshjen me ne”, deklaroi Jovanovski.

Nëse nuk ka zgjidhje, të hënën këta 200 autobusë do të rigrupohen dhe do ta bllokojnë komunikacionin prej 6 të mëngjesit dhe do të ketë bllokadë të plotë te “Mavrovka”, tek udhëkryqi te “Kryqi i Kuq” dhe “Ilinden”.

“Ndoshta do të përforcohen dhe radikalizohen protestat, nuk e dimë ende konceptim, nervozizmi dhe shqetësimi po rriten te transportuesit privat dhe gjendja është shumë e tensionuar. I lus të gjithë institucionet shtetërore që të kyçen si ndërmjetësues që të shohin dhe të mësojnë se situata mund të eskalojë dhe nervozizmi të shkojë deri atje që të pendohemi. Do të tentojmë edhe njëherë që dikush nga Asambleja e Qytetit të na ftojë të bisedojmë”, tha Jovanovski.

Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme informon se për shkak të protestës së nesërme, do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit në bulevardin “Ilinden”, gjegjësisht nga udhëkryqi në bulevardin “Ilinden” me bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit” deri te bulevardi “8 Shtatori” dhe rrugicat përreth.

MPB apelon deri te qytetarët që t’i respektojnë urdhrat e zyrtarëve policorë.

Portalb.mk paraprakisht informoi se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Sot Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”

D.m.th. të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Portalb.mkështë ndër mediat e para që ka shkruar për problemin me transportuesit privat, i cili pastaj u shndërrua në problem kryesor të qytetit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button