Informacionet për bisedime për hyrje të ASh-së në Qeveri janë spekulime me të cilat nuk merremi, tha ministri Aliti

Ministri i Shoqërisë Informatike Admirim Aliti, i cili është nga radhët e Alternativës, thotë se në Qeveri nuk ka bisedime për rritjen e shumicës parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Nuk ka bisedime të tilla në Qeveri, rrjedh normalisht, ashtu siç ishte në janar kur shumica qeveritare kishte 64 deputetë. Kështu është edhe sot. Gjithçka tjetër është spekulim me të cilin nuk duam të merremi”, tha Aliti, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Aleanca për Shqiptarët është e pranueshme për Alternativën në Qeveri.

Aliti hodhi poshtë si spekulime edhe informacionet se ishte ministria e tij ajo që u sugjerua të sakrifikohej për të rritur shumicën parlamentare.

“Të gjitha këto lajme tani për tani janë spekulime dhe as unë dhe as ministria ime nuk jemi të përfshirë në to. Nëse do të ketë një ministër të ri pas një muaji, unë dhe MShIA do të punojmë sa më profesionalisht edhe në ditët e fundit. Nuk ka rëndësi kush do të jetë ministër, rëndësi ka që reformat të vazhdojnë, pra të ecim përpara”, u përgjigj Aliti.

Informacioni se po negociohet hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri doli muajin e kaluar kur kryeministri Dimitar Kovaçevski thirri në takim liderin në detyrë të ASh-së Arben Taravari. Pas takimit edhe Kovaçevski edhe Taravari dolën me të njëjtat përgjigje se në takim nuk është diskutuar për zgjerimin e shumicës parlamentare. U.d kryetari i Aleancës për Shqiptarët tha se edhe nëse do të kenë ofertë për të hyrë në qeveri, partia nuk do t’i kalojë vijat e kuqe të veta.

“Kemi një sërë masash që i kemi thënë dhe nëse përfundimisht i fillojmë negociatat, ato masa me gjasë do të jenë kushti ynë për të mundësuar hyrjen në Qeveri”, tha Taravari.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pak ditë pas këtyre deklaratave tha se në Aleancën për shqiptarët ka ende negociata dhe se ato negociata janë në fazën fillestare dhe se nuk është arritur asnjë marrëveshje për ndarjen e resorëve.

Atëherë kryeministri Kovaçevski tha se nëse negociatat me Aleancën për Shqiptarët vazhdojnë me frymë të mirë, atëherë mund të ketë zgjerim të shumicës qeveritare.

Rreth hyrjes së ASh-së në Qeveri, qëndrim kishte edhe Blerim Bexheti, i cili është kryetar aktual i Sarajit nga radhët e BDI-së, i cili ishte një nga nënshkruesit e letrës së të ashtuquajturit grupi i zjarrit. Ai tha se as BDI-ja, as LSDM-ja dhe as e gjithë shumica qeverisëse nuk kanë nevojë për një partner shtesë, konkretisht Aleancën për shqiptarët që të jenë pjesë e qeverisë.

“Në mandatin e kaluar kanë qenë me BDI-në dhe LSDM-në, pastaj kanë dalë nga Qeveria, e tani duan të kthehen sërish. Nuk është se po bëjmë turizëm”, tha Bexheti lidhur me njoftimet gjithnjë e më të shpeshta për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në pushtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button