RMV, filloi skriningu dypalësh për “Gjyqësorin dhe të drejtat themelore”

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, do të hapë sot në Bruksel takimin dypalësh të skriningut për kapitullin 23, “Gjyqësori dhe vlerat themelore”, transmeton Portalb.mk.

Në dy ditët e ardhshme, Grupi punues për negociata, përmes 24 prezantimeve, do të prezantojë pozicionin dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Maqedonisë së Veriut në raport me të drejtën evropiane në fushën e gjyqësorit, politikës kundër korrupsionit, të drejtat themelore, të drejtat dhe mbrojtjen e pakicave dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së, para ekspertëve të Komisionit Evropian.

Sekretarja shtetërore e Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe Zëvendës Kryenegociatorja me BE-në, Drita Abdiu-Halili, është pjesë e ekipit negociator maqedonas, ndërsa anëtarë të Grupit punues për negociata janë përfaqësues nga Kabineti i zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të mirëqeverisjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publikw, Komisioni Shtetëror për Parandalimi i Korrupsionit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane.

Kapitulli 23 “Drejtësia dhe të drejtat themelore” mbulon fushat e drejtësisë, politikës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore. Parimet evropiane për të drejtat themelore janë përcaktuar në Kartën e të Drejtave Themelore, e cila është ligjërisht e detyrueshme për shtetet anëtare pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Në këtë fushë, fokusi i Bashkimit Evropian është në luftën kundër diskriminimit, racizmit dhe ksenofobisë, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të dhënave personale si dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme, si fëmijët, gratë dhe minoritetet, informuan nga Sekretariati për çështjet evropiane.

Një nga objektivat kryesore të skriningut është përcaktimi i dallimit që ekziston në secilin nga kapitujt e negociatave, ndërmjet legjislacionit të vendit kandidat dhe atij të BE-së. Pas analizës, shteti kandidat pritet të tregojë nëse do të mund të pranojë legjislacionin e BE-së në një kapitull të caktuar dhe të harmonizojë dallimet e vërejtura në legjislacion apo synon të kërkojë periudha të caktuara kalimtare për harmonizimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit.

Edhe pse Maqedonia e Veriut filloi negociatat me Bashkimin Evropian së bashku me Shqipërinë dhe së bashku ndjekin takimet e skriningut shpjegues, ato ndahen për skriningun bilateral dhe secili vend vazhdon të udhëheqë veçmas këtë fazë të skriningut.

Sipas kalendarit të Komisionit Evropian, procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është planifikuar të zgjasë deri në fund të nëntorit 2023.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej më 11 nëntor, e deri më 9 dhjetor të këtij viti, vazhdon faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button