Kosovë, është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së

Një grua shtatëzënë dyshohet se është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, bënë të ditur autoritetet, raporton REL.

Autoritetet e rendit thanë se kanë pranuar informatën rreth orës 18:00 se në oborrin e QKUK-së gjendej një trup i pajetë.

Viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.

“Aktualisht, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë ngjarje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.

Sipas tij, dorasi ishte bashkëshorti i viktimës.

“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën”, shkroi Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet t’i jepet fund “valës kriminale” dhe “femicidit” ndaj grave, teksa kërkoi drejtësi për viktimat e dhunës.

“Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.

Kjo është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë, pasi më 25 nëntor u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë. Ngjarja kishte ndodhur po ashtu në Prishtinë.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button