Konsumojmë dy herë më shumë kripë se sa doza e rekomanduar nga OBSH-ja

Popullsia në vendin tonë konsumon të paktën dy herë më shumë kripë krahasuar me dozat e rekomanduara nga OBSH-ja. Konsumimi i kripës përmes bukës së bardhë është më karakteristik sepse ajo bukë kryeson në ushqimin e popullatës sonë dhe është vërtetuar se sasitë e kripës në këtë lloj të bukës janë ndër më të lartat, jo vetëm tek ne por edhe në botë. Sot u prezantua draft Programi me planin e veprimit për reduktimin e konsumit të kripës përmes ushqimit në Maqedoninë e Veriut (2023-2027). Pas fjalimeve të ministrit të shëndetësisë, Bekim Sali, si dhe të Dr. Ane Johansen, përfaqësuese speciale e OBSH-së për Maqedoninë e Veriut, u diskutua për hapat e ardhshëm prioritarë për zbatimin e programit, raporton Portalb.mk.

Programin me planin e veprimit për reduktimin e konsumit të kripës përmes ushqimit në Maqedoninë e Veriut (2023-2027), e prezantoi d-r. Igor Spiroski nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Konsumimi i tepërt i kripës ka një efekt të dëmshëm ndaj shëndetit të njeriut. Programi ka për qëllim që gradualisht të reduktohet konsumimi i kripës përmes ushqimit tek popullata në Maqedoninë e Veriut për 4 përqind në vit, pra 20 përqind deri në vitin 2027. Ose, nga mesatarisht 11,5 gram në ditë për 5 vitet e fundit, në 9,2 gram në ditë”, u tha në prezantim.

Njerëzit kanë nevojë për sasi të vogla natriumi për t’i rregulluar lëngjet e trupit dhe për t’i ruajtur funksionet kryesore të trupit.

“Kripa është mëlmesë e rëndësishme dhe burimi më i rëndësishëm i natriumit. Një gram kripë përmban 0,4 gram natrium. Ushqimet e përpunuara me sasi të mëdha të kripës, sheqerit dhe yndyrave ndikojnë në rritjen e konsumimit të kripës, domethënë, 75 deri në 80 përqind e kripës gjatë të ngrënit konsumohet përmes ushqimit të përpunuar. Nëse zvogëlohet konsumimi i kripës, kjo mund të ndikojë në uljen e morbiditetit dhe mortalitetit”, tha d-r. Spiroski.

Në listën e konsumit mesatar të kripës nga popullsia në vendet e Rajonit Evropian të OBSH-së, nga gjithsej 53 vende, vendi jonë zë vendin e shtatë.

Në këtë event u tha se ajo që duhet bërë është të rregullohen nivelet maksimale të kripës në bukë, të definohen nivelet maksimale në produktet e tjera të përpunuara, të bashkëpunohet me industrinë e shërbimeve për vigjilencë më të madhe për kripën e “fshehur”, si dhe të promovohen kompanitë me ndërgjegjësim më të madh për konsumimin e kripës në korniza të rregulloreve ligjore.

Sasi të larta të kripës ka në bukë, djathë dhe mish të përpunuar. Konsumimi i tepërt i kripës rrit tensionin e gjakut, i cili është shkaktari kryesor i goditjeve në tru dhe sulmeve në zemër, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve dhe invaliditetit në mbarë botën. Reduktimi i konsumimit të kripës në mbarë botën do të shpëtonte miliona jetë çdo vit dhe të gjitha vendet duhet të punojnë për reduktimin e konsumimit të kripës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button