“Kongresi enverist”, BDI largohet nga kërkesat e shqiptarëve dhe mban të paprekshëm klanet

Ashtu siç u paralajmërua më parë, Kongresi i BDI ishte me tepër zgjedhor dhe më pak përmbajtësor. Kongresi i partisë krahas gjërave të pritshme siç ishte konfirmimi liderit nuk dha asnjë ndryshim përmbajtësor ndërkohë që analistët vlerësojnë se edhe programi i BDI i elaboruar në kongres bashkë me fjalën e liderit Ahmeti po e bën këtë program jo një platformë të kërkesave shqiptare.

Kongresi i BDI, nxori në pah veprimin politik kontestues të kësaj partie e cila përpos mungesës së riformatimit kadrovik, solli edhe njëherë përcaktimin e saj programor ku kërkesat e shqiptarëve po bëhen gjithnjë e më periferike në favor të rahatisë maqedonase, vlerësojnë analistët.

Demiri: BDI parti e proveniencës së majtë ekstreme

Analisti Aljadin Demiri, për Portalb thotë se Kongresi i BDI-së, konceptualisht ishte jo përmbajtjesor, por kadrovik që në njëfarë mënyrë duheshe të ri-formatojë kadrovikisht këtë parti. Mirëpo sipas tij, BDI edhe njëherë tregoi se është parti e proviniencës së majtë ekstreme si e kohës së Enver Hoxhës.

“Nuk u tentua as të kandidojë dikush për postin e kryetarit të pakontestueshmit. Aklamacioni i qind për qind për kryetar dëshmon se kapacitetet politike të kësaj partie janë të kaluarës së afërt. Dhe veprimi politik i kësaj partie është krejtësisht kontestues”, tha Alajdin Demiri.

“Në vazhdën të këtij veprimi ishte edhe fjalimi i liderit të madh Ali Ahmeti i cili hoqi dorë nga kërkesat të shqiptarëve siç është kërkesa për gjuhën në favor të proceseve euro integruese, i vetëdijshëm se ai nuk paraqet asnjë lloj faktori në proceset euro-integruese. Me këtë platformë politike është duke u bërë heqja dorë nga kërkesat shqiptare në favor të rahatisë maqedonase. Dhe ky është ai koncept që e dëshmon atë se kujt i nevojitet BDI dhe pse vepron në këtë mënyrë me hipoteka”, tha Alajaidn Demiri.

Gashi: Ahmeti u tëhoq nga kërkesat e shqiptarëve për poste shtetërore

“Asgjë e re nga Perëndimi” është një thënie e njohur që shpjegon më së miri Kongresin e Tretë të BDI-së të mbajtur dje në Tetovë, vlerëson Afrim Gashi, për Portalb.

“Megjithëse BDI nuk i përket as Lindjes e as Perëndimit, thënia në fjalë mbetet kuptimplotë. Nga aspekti përmbajtjesorë i këtij Kongresi mund të them se Ali Ahmeti si kryetar i rizgjedhur në mënyrë indirekte u tërhoq nga kërkesa për dymbëdhjetë postet më të larta shtetërore për të cilat bëri bujë në Kongresin paraprak të para pesë viteve, kurse sa i përket gjuhës shqipe, ai ishte edhe më eksplicit duke u shprehur në mënyrë direket se ka hequr dorë nga zyrtarizmi i saj në nivel shtetëror, kinse në favor të integrimeve”, thotë Afrim Gashi.

Ai më tej kujton se e gjithë fushata parazgjedhore e BDI-së u realizua mbi premtimet se ose kryetari i shtetit ose ai i Kuvendit duhet t’u takojë shqiptarëve ndërsa në Kongresin e djeshëm kjo as që u përmend.

“Edhe me tej mbetet në pah figurat e njëjta, kuadrot e dëshmuara si të dështuara dhe nuk u la asnjë hapësirë për kuadrot e reja cilësore që padyshim i kanë shqiptarët, rrjedhimisht i ka edhe kjo parti. Mbetemi të shohim vetëm se çka do të na sjell “Këshilli i të urtëve” të cilin e paralajmëruan si organi të ri vendimmarrës të partisë, por ngaqë në krye të kësaj partie vlon nga të “urtët”, nuk besoj se e kanë problem ta themelojnë një organ të tillë, përveç që mendoj se do të jetë problem se kush bëhet kryetarë i tij, mbase zgjidhja më e mirë do të ishte Fazli Veliu”, thotë Afrim Gashi.

Sinani:  Individ të caktuar në këtë parti kanë filluar të fosilizohen

“Kongresi i fundit i BDI –së i mbajtur ditë më parë në Tetovë, gjykoj se është në vazhdën e veprimit të këtij subjekti që nga paraqitja e parë në skenë. Tashmë është betonuar teza se individë të caktuar në këtë parti kanë filluar të fosilizohen dhe ç’është më e keqja, askush nuk mendon se ato fytyra tashmë të vjetra, duhet të ikin”, thotë për portalb Ismail Sinani.

“Në këtë frymë, gjykoj se ishte edhe fjalimi i Ahmetit, një stereotip copy – paste, me disa ndërhyrje nga ajo që është thënë dhe premtuar më herët. Në fakt, ka një dallim minimal prej para 5 vjetësh kur u zhvillua Kongresi paraprak – atëherë vet Ahmeti në mënyrë bombastike pati premtuar ndryshime rrënjësore në rregullimin e sistemit politik të Maqedonisë, kurse kësaj radhe fjalimi i tij përmbante arsyetime se pse partia që e drejton ka hequr dorë nga premtimet që ua kishte bërë shqiptarëve, sidomos gjatë fushatës parazgjedhore. Pra, gjykoj se BDI me këtë retorikë politikë është futur një rreth vicioz, nga i cili as që dëshiron të dalë sepse kjo mënyrë e veprimit, strukturave drejtuese të saj, po shihet qartë se iu siguron komoditetin e të qenit në një pushtet të pa pushtetshëm”, thotë për Portalb Ismail Sinani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. keto lujn mastrapalla me krejt intelektualet dhe me milet!?
    luajn loje fjalesh, luajn loje me ndjenjat
    luajn e vetem luajn me lloj lloj stile!!!!

Back to top button