Anulimi i tenderit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shkup do të kërcënojë anëtarësimin në BE

“Të mos ëndërrojmë, nuk do të ketë anëtarësim të vendit në BE nëse nuk ndërtohet një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup dhe qytete të tjera. Kemi dy vjet e gjysmë që merremi me tenderin aktual për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit në Shkup dhe nëse përfundimisht dështon tenderi, do të humbasim edhe tre vite të tjera për një tender të ri. Afati i ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup është katër vjet, që do të thotë se me një tender të ri të mundshëm nuk do të kemi një objekt funksional deri në fund të vitit 2030”, paralajmëroi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, pas zënkave të fundit mes kryetares së komunës Danela Arsovska dhe VMRO-DPMNE-së për procedurën e tenderit për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ministri Nuredini thekson se javën e kaluar është takuar me nënkryetarin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe me ambasadorin evropian David Geer, ku të gjithë thonë se procedura aktuale e tenderit është në rregull dhe duan të vazhdojnë procedurën e tenderit me përzgjedhja e ofertuesit më të favorshëm. Ndryshe, BE-ja ka dhënë një grant të pakthyeshëm për ndërtimin e impiniatit në vlerë prej 72 milionë euro, ndërsa fondet e mbetura janë siguruar përmes një kredie nga BEI dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në shuma prej 137 milionë euro.

“Nëse ata thonë se duhet të vazhdojmë, unë do të them të njëjtën gjë që thonë ata. Kemi dy vjet e gjysmë që merremi me këtë tender. Nëse diçka nuk është në rregull, më besoni se asnjë bankë nuk do ta nënshkruajë”, tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Ministri Nuredini thotë se vlerësimi i ofertave të procedurës së tenderit ka përfunduar dhe tani anëtarët e komisionit duhet të ulen dhe të miratojnë ofertën më të favorshme për të zgjedhur kompaninë që do të ndërtojë stacionin për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup.

Në konferencën e djeshme për media, ministri Naser Nuredini theksoi se për përshtatjen e plotë të vendit me kërkesat e anëtarësimit në BE në sektorët e Ujit dhe Menaxhimit të Mbeturinave do të nevojiten rreth 3 miliardë euro, ku dy miliardë janë të nevojshme për sektorin e ujit. Këtu hyjnë edhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

Ministri tha se vendi mund të harmonizojë plotësisht legjislacionin e vet me rregulloren evropiane, por nëse vetë infrastruktura nuk ndërtohet në terren, atëherë Maqedonia nuk do të jetë kurrë anëtare e BE-së.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se kontrata për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup pritet të nënshkruhet në shkurt të vitit 2023, pas çka mbeten obligimet e Qytetit të Shkupit për kompletimin e dokumentacionit urbanistik për lokacionin në Trubarevë dhe të përfundohet procesi i shpronësimit të tokës.

Meta.mk të hënën i ka dërguar pyetje NP “Ujësjellësi dhe kanalizim”-Shkup si zbatues i projektit për të pyetur se deri ku është procedura për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm që do të ndërtojë stacionin për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. Dy kompani/konsorciume hynë në fazën përfundimtare me ofertat e tyre. Pyetje për këtë temë dje Meta i ka dërguar edhe qytetit të Shkupit, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje për pyetjet.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha javën e kaluar se Qeveria është duke punuar me ekipin e saj për të marrë autorizimet nga Qyteti i Shkupit për ndërtimin e disa objekteve kapitale, përfshirë edhe stacionin për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, për të cilën reagoi kryetarja Danela Arsovska, e cila porositi pushtetin qendror që të shikojë t’i përfundojë projektet e veta që i ka nisur dhe nuk i ka përfunduar.

Për shkak të tenderit për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, kryetarja Arsovska në fillim të kësaj vjeshte u “grind” me VMRO-DPMNE-në, me mbështetjen e së cilës u zgjodh në pozitën  e kryetares së Qytetit të Shkupit. Në shtator, Arsovska e shkarkoi Zlatko Perinskin, drejtorin e NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, për shkak se dyshonte se e manipulonte tenderin. Perinski i mohoi akuzat e tilla të Arsovskës, duke theksuar se ndërhyrja e Arsovskës mund të rrezikojë tenderin për zbatimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza.

Përndryshe, procedura e tenderit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza është shpallur në qershor të vitit 2020 dhe zbatimi praktik i tij në terren duhet të kishte filluar tashmë këtë vit. Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit ishte 2026. Objekti kapital i Shkupit duhet të mbledhë ujërat e zeza nga rreth 500.000 banorë të kryeqytetit dhe t’i derdhë të pastruara në lumin Vardar, me çka do të tejkalohet problemi me ndotjen ekzistuese të ujërave të lumit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button