Qytetarët e paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve për transportin publik, Qeveria s’do t’ia marrë kompetencat Qytetit të Shkupit

Qytetarët e Shkupit e paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit, shkruan Portalb.mk.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk theksojnë se ata vazhdimisht u ndihmojnë komunave me mjete financiare, ndërkaq për rregullimin dhe organizimin e transportit publik është kompetent Qyteti i Shkupit.

“Pushteti lokal është ajo që patjetër duhet të punojë për qytetarët. Sipas Ligjit për Qytetin e Shkupit, rregullimi dhe organizimin i transportit publik në qytet dhe periferi është kompetencë e vetme e Qytetit të Shkupit. Të gjitha kërkesat e transportuesve duhet të adresohen para se gjithash përpara autoriteteve të Qytetit të Shkupit të cilat në kohë dhe me përgjegjësi duhet të ofrojnë masa për tejkalimin e krizës”, thonë nga Qeveria.

Arsovska refuzon të bisedojë me kompanitë private, nuk u kemi borxh

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, mbrëmë gjatë intervistës në “Top Tema” në “Telma”, disa herë përsëriti qëndrimin se nuk do të lëshojë pe, ndaj siç tha ajo, shantazheve të dy kompanive private të cilat kanë qenë të kontraktuara për transport publik “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” dhe se ndaj tyre nuk NQP nuk ka borxh.

Ultimatumi i kompanive private për gjetjen e zgjidhjes skadon të enjten, ndërkaq Arsovska, deklaroi që refuzon të ulet në tavolinën e bisedimeve.

“Nuk negociohet me njerëz që shantazhojnë dhe ofendojnë dhe atë e bëjnë pasi që e vërteta nuk është në anën e tyre”, tha Arsovska.

Foto: Shtabi zgjedhor i Danella Arsovska
Foto: Shtabi zgjedhor i Danella Arsovska

Ajo tha se nëse tani lëshon pe, nesër çdokush që ka automjet dhe autobus mund të dalë dhe bllokojë rrugë.

E pyetur disa herë nga gazetari se kur do të ketë zgjidhje, Arsovska nuk dha përgjigje konkrete. Kryetarja e Qytetit e përsëriti qëndrimin se transportuesit privat do të mund të paraqiten nëpërmjet shpalljes publike individualisht dhe jo nëpërmjet dy kompanive transportuese.

Arsovska gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e transportuesve privat se NQP u ka borxh 1 milion euro.

“NQP i ka paguar deri në momentin kur nuk kanë ndodhur këto gjendje dhe situata. Ne u kemi paguar afërsisht 156 milionë denarë, prej të cilave 111 milionë “Slloboda prevozit” dhe 45 milionë “Makekspresit” deri në tetor. Pse deri më tani nëse kanë pasur ndonjë kërkesë një padi nuk e kanë dorëzuar. Ja padi le të dorëzojnë, thjeshtë nuk ekziston, nuk kanë dorëzuar. A nuk është kjo indicie për diçka, ku është borxhi nëse as nuk kanë paralajmëruar”, tha Arsovska.

E pyetur nga gazetari se për çfarë janë deklarimet e transportuesve privat se u ka borxh 1 milion euro, Arsovska tha se “ka filluar hetim serioz, po bëhet revizion aktiv, pasi atje ka gjendje ku nuk përputhen me atë që ndodh në terren”.

“Mjetet që janë dorëzuar në këto dy kompani, nuk e dimë se ku kanë mbaruar”, shtoi Arsovska.

Ajo përsëriti se marrëveshjet me dy kompanitë janë shfuqizuar pasi që njëra prej tyre, nuk ka ofruar shërbim të rregullt, gjegjësisht nuk e kanë respektuar orarin e qarkullimit, ndërkaq tjetra ka shitur bileta dhe nuk i kanë dorëzuar paratë.

Kompanitë private paralajmëruan se me mbi 200 autobusë do ta bllokojnë Shkupin

Rreth 30 autobusë privatë, të hënën bllokuan Autobusët privatë më 28 nëntor prej 7 të mëngjesit bllokuan udhëkryqin te Q.T. Mavrovka dhe për këtë u krijua kaos në mbarë Shkupin. Ata ndaluan me bllokadën për shkak të vizitës së presidentit gjerman Shtajnmajer, por dhanë ultimatum deri të enjten.

Lenin Jovanovski - Danella Arsovska
Lenin Jovanovski – Danella Arsovska, foto FB

Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz” i cili gjatë vitit 2021 bëri fushatë aktive për mbështetjen e Arsovskës insiston se NQP ka borxh ndaj kompanive private dhe se siç thotë ai, kanë bërë gjithçka për të shmangur situatën në të cilën ndodhet qyteti me transportin publik dhe se më parë kanë marrë disa premtime nga autoritetet se situata do të përmirësohet.

“Jemi përballur me premtime se situata se do të tejkalohet dhe se duhet pritur rebalanci i buxhetit. Disa herë më kanë premtuar se do t’i lëshojnë mjetet. Ata më kanë gënjyer mua, ndërkaq unë transportuesit, por kjo nuk shkon kështu”, thotë Jovanovski për “Makfax“.

Ai thotë se nëse Arsovska nuk ndjen përgjegjësi se çfarë do t’i ndodh Shkupit dhe se çështjet mund të radikalizohen, atëherë ai s’mund të bëjë asgjë.

“Nëse kryetarja e Qytetit dëshiron që të sillet me rrugaçëri, si diçka të bëjë në oborrin e saj dhe jo në qytetin e Shkupit, atëherë le ta marrë përgjegjësinë për atë se çfarë do të ndodh më tej”, tha Jovanovski.

Paraprakisht transportuesit privat kanë paralajmëruar se të premten do t’i radikalizojnë protestat dhe do t’i nxjerrin në rrugë të gjithë autobusët që ata i kanë.

“Në rrugët kryesore të Shkupit do të parkohen diçka më shumë se 200 autobusë të transportuesve nga dy shoqatat “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” dhe në këtë mënyrë do ta paralizojmë Shkupin”, deklaroi Jovanovski.

Saktësisht se cilat kryqëzime, rrugë dhe bulevarde të frekuentuara do të bllokohen ditën e premte, do të dihet pasi përfaqësuesit e kompanive private të bien dakord dhe të vendosin se çfarë hapash do të ndërmarrin në vijim. Megjithatë, siç theksoi Jovanovski, qytetarët do të informohen me kohë për çdo vendim të tyre.

This slideshow requires JavaScript.

 “Në vend që të gjithë të përfshirët të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për situatën, kryetarja Danela Arsovska përhap gënjeshtra për ne”, deklaroi Jovanovski.

Transportuesit privat kanë hedhur poshtë pretendimet e Arsovskës se kanë shitur bileta dhe paratë janë zhdukur.

Gjithashtu nga “Sloboda Prevoz” disa herë kanë theksuar se NQP u ka borxh rreth 1 milion euro për kryerje të shërbimit të transportit. Nga ana tjetër, edhe “Makekspres” ka deklaruar se NQP u ka borxh mbi 500 mijë euro.

Kujtojmë se, Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

D.m.th. të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Portalb.mk, është ndër mediat e para që ka shkruar për problemin me transportuesit privat, i cili pastaj u shndërrua në problem kryesor të qytetit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button