Pjestarë të Armatës së RMV-së sot nisen për misionet e NATO-s në Bullgari dhe Rumani, Petrovska: Jini krenar për veten

Pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut nisen sot për në misionet e NATO-s në Bullgari dhe Rumani. Me këtë rast, ministrja e Mbbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, iu tha që të ndjehen krenar me veten e tyre, pasi ata janë mbrojtës të vlerave moderne qytetëruese, transmeton Portalb.mk.

“Kam nderin të qëndroj para jush, pjesëtarë të Ushtrisë së Maqedonisë, ushtrisë sonë të NATO-s. Ju jeni njësitë e para në grupet luftarake të Aleancës në Bullgari dhe Rumani, ku së bashku me pjesëtarët e forcave të armatosura aleate jeni pjesë përbërëse e sistemit kolektiv të parandalimit dhe mbrojtjes. E di që do të përshtateni në mënyrë të përkryer në ekipin e përbashkët në këtyre dy vendeve dhe se do të jeni pjesëtarë të ushtrisë tek të cilët mund të mbështeten të gjithë”, tha ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në ceremoninë e sotme në kazermën “Ilinden” në Shkup me rastin e dërgimit të dy togave nga Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në grupet luftarake të NATO-s në Bullgari dhe Rumani.

Ministrja theksoi se realiteti i sotëm është i mbushur me sfida të sigurisë, por se NATO është e fortë dhe e vendosur në synimin e saj për të mbrojtur zonën euroatlantike, duke përfshirë rajonin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

This slideshow requires JavaScript.

“Përgjigja jonë aleate është e qartë dhe e zëshme. Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrezikojë sigurinë tonë dhe sigurinë e qytetarëve tanë, të dashurve tanë dhe familjeve tona. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe nuk përbën kërcënim për asnjë vend, por NATO është e përgatitur dhe e bashkuar në mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit aleat, dhe ky është një fakt që mund ta shohim edhe sot në këtë dërgim ceremonial“, tha ministrja.

Anëtarëve të armatës, të caktuar në këto dy grupe luftarake u dërgoi mesazh që të krenohen me veten sepse janë mbrojtës të vlerave moderne qytetëruese dhe janë pjesë përbërëse e mbrojtjes kolektive që na mundëson të jetojmë në paqe dhe siguri.

“Tregoni gjithçka që dini dhe jeni të aftë sepse profesionalizmi juaj është i dukshëm dhe motivimi juaj është i lartë. Ndihmoni përpjekjet kolektive për të forcuar sigurinë e NATO-s dhe për t’u kthyer në shtëpi te familjet tuaja. Presim që me përvojë edhe më të madhe dhe me motiv më të fortë të vazhdoni të punoni çdo ditë për prosperitetin e kombit tuaj”, tha Petrovska.

Grupet luftarake në Bullgari dhe Rumani janë pjesë e aktiviteteve të vigjilencës së zgjeruar të NATO-s (NATO enhanced vigilance activities – NATO eVA), me qëllim forcimin e kufijve lindorë të NATO-s dhe janë pjesë e katër grupeve luftarake shumëkombëshe të formuara pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button