DJAJTË E ANKTHIT

Jetojmë në kohën e globalizimit të frikës, kur njerëzit gjithnjë e më shumë vuajnë nga ankthi. Pas sulmeve të ankthit zemra rreh fort. Humbet motivi për jetën. E ardhmja mbulohet me mjegull të zezë. Hyjmë në tunelin e ligështimit. Mbyllemi në botën e errët. E humbim shpresën se do të dalim në botën ku jetonim më parë, në botën me dritë, me ëndrra, iluzione, dëshira, ideale. U shmangemi njerëzve. Kemi frikë të rrëfejmë për atë që na ndodh. Gremisemi vazhdimisht në honin e gjendjes së pashpresë. Bëhemi si ajo figura e papërcaktuar që klith te piktura e njohur e Edward Munk-ut. Ngjajmë me këtë qenie të kapluar nga ankthi, që është e vendosur në hapësirën me ngjyra të pashpjegueshme të frikës.

Rreziku nuk është jashtë nesh, por brenda nesh. Frika na paralizon. Na mban në zonën e territ dhe të tmerrit, që nuk ia dimë shkaqet. Kështu, dalëngadalë, e humbim botën tonë, identitetin tonë.

Djajtë e ankthit luajnë me ne. Na ngjallin në qenie një frikë të pashpjegueshme, që nuk mposhtet me barna. Nëpërmjet barnave e përgjumin veten, por nuk i mposhtim djajtë e ankthit, të cilët kërkojnë t’u kushtojmë vëmendje të përhershme.

Djajtë e ankthit duhet të shpërfillen, siç i shpërfill protagonisti i filmit “Një mendje e bukur”.

Shpërfillja i shkatërron djajtë që duan të luajnë me ne pasi të na kenë paralizuar, ashtu siç macja luan me miun pasi e ka zënë ngushtë. Së pari e paralizon dhe e poshtëron gjahun dhe pastaj e gëlltit.

Djajtë e ankthit së pari na paralizojnë dhe pastaj i gëlltitin çastet e bukura të jetës sonë. Na shuajnë motivin për të dashuruar, për t’u gëzuar, për të jetuar.

Djajtë e ankthit duan të na bindin se e kemi humbur luftën me ata, se nuk vlejmë, se duhet t’u nënshtrohemi atyre. Ata duan të na humbin identitetin tonë, të na shpërfytyrojnë. Por ata nuk janë më të fuqishëm se ne që mund t’i mposhtim me shpërfillje. Duke e mposhtur frikën i orientojmë mendimet drejt realizimit të qëllimeve tona…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button