Rikonstruimi i pjesës së vjetër të qytetit të Strugës ende nuk ka mbaruar, opozita kritikon se po shkatërrohet origjinaliteti i saj

Në Strugë rikonstruohet pjesa e vjetër e qytetit. Projekti i cili arrin koston e 10 milionë denarëve vlerësohet si projekt madhor nga autoritet komunale përderisa në adresë të Komunës kanë arritur kritika rreth punimeve dhe ruajtjes së origjinalitetit të pjesës së vjetër strugane nga partia opozitare “Aleanca për Shqiptarët”, shkruan Portalb.mk. Rikonstruimi ishte premtim parazgjedhor i kreut të Strugës, Ramiz Merko dhe nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se ky premtim është në realizim e sipër.

Komuna e Strugës ka filluar rikonstruimin e pjesës së vjetër të qytetit, projekt ky i cili ishte premtim parazgjedhor i kreut aktual të Komunës, Ramiz Merko. Për redaksinë e Portalb.mk nga Komuna e Strugës thanë se ky premtim është drejt përfundimit.

“Ashtu siç ishte premtuar, filloi realizimi i rekonstruimit të rrugicave në pjesën e vjetër të qytetit dhe është drejtë përfundimit. Po kompletohen edhe dy rrugicat e fundit. Gjatë rekonstruimit u bë shtruarja me gurë e rrugëve “27 Marsi”, “Vëllezërit Miladinov” dhe “Niko Nestor” në pjesën e vjetër të qytetit. Përveç rekonstruimit, realizohet edhe ndërrimi i gypave të asbestit në sistemin për furnizim me ujë me tubacion të ri dhe lidhje e re për çdo shtëpi të kësaj lagjeje. Gjithashtu modernizohet infrastruktura tokësore e të gjitha kabllove ekzistuese.
Kjo pjesë e qytetit do të mbetet autentike ashtu siç ka qenë por duke u reksonstruuar dhe duke ofruar kushte më të mira për të gjithë”, deklaruan nga Komuna e Strugës për Portalb.mk.

Agjenda e gjelbër 2021 – 2025 /Ramiz Merko premton rikonstruimin e pjesës së qytetit të vjetër.
Agjenda e gjelbër 2021 – 2025 /Ramiz Merko premton rikonstruimin e pjesës së qytetit të vjetër

Fillimin e punës rreth këtij projekti nga Komuna e njoftuan më 21 qershor të vitit 2022 ndërsa zyrtarisht punët në terren filluan më 29 qershor. Madje, fillimi i punës në rikonstruimin e pjesës së vjetër të Strugës para më shumë se 6 muajsh nga Komuna u promovua si premtim i realizuar.

Nga inspektim jonë vërejtëm se ka akoma punë për realizimin final të këtij premtimi. Punëtorët që i takuam derisa ishin duke punuar nuk dinin të na thonë se edhe sa kohë ju duhen për ti përfunduar punimet e nisura para 6 muajsh.

Në galerinë më poshtë mundet të shikoni situatën aktuale të punimeve në rikonstruimin e rrugës në pjesën e vjetër të qytetit të Strugës.

This slideshow requires JavaScript.

Më 5 korrik, teksa kreu i Komunës ndoqi nga afër punimet e shtruarjes me gurë të rrugëve “27 Marsi”, “Vëllezërit Miladinov” dhe “Niko Nestor” në pjesën e vjetër të qytetit deklaroi se “Kjo pjesë e qytetit do të mbetet autentike ashtu siç ka qenë por duke u reksonstruar dhe duke ofruar kushte më të mira për të gjithë”.

Ruajtja e autenticitetit në pjesën e vjetër të qytetit është shumë e rëndësishme sa për imazhin turistik të vendit aq edhe për aspektin historik. Përderisa kreu i Komunës së Strugës u zotua se ky projekt me vlerë rreth10 milionë denarë do të ruajë origjinalitetin e pjesës së vjetër të qytetit nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët – Dega Strugë, akuzojnë se në këtë projekt punojnë njerëz jo-kompetent të cilët po “mbulojnë me shtresë betoni pllakat e vjetra”.

“Kjo pjesë e qytetit do të mbetet autentike ashtu siç ka qenë por duke u riksonstruuar dhe duke ofruar kushte më të mira për të gjithë. Për Strugën që duam!”, deklaroi kreu i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, gjatë një inspektimi të punimeve në pjesën e vjetër të qytetit më 5 shtator.

“Si person kompetent për këto çështje, por edhe të gjithë qytetarët e vjetër të qytetit të Strugës, besoj se e kanë të qartë se çfarë do të thotë autencitet i vërtetë i pjesës së vjetër të qytetit, rrugë me pllaka karakteristike të gurit, me elemente plotësuese urbane, dhe se nuk ka të bëjë asgjë me atë që ju i këtheni copat gurit ekzistues në shtresë të betonit të armuar, ose ndryshoni pozitën e gurëve ekzistues në shtresë të re betoni dhe i rehabilitoni gypat e çimentos së azbestit të ujësjellësit, me gypa të ri. Autenticiteti i pjesës së vjetër të qytetit dhe rrugëve të vjetra me pllaka të gurit, realizohet me projekte dhe plane zbatuese të detajuara, mirë të menduara nga Ente dhe persona profesional, për çdo segment dhe çdo hapësirë përkatëse të rrugës, në pjesët më të imta dhe sipërfaqet minimale me përmbajtje specifike”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i ASH – së, dega në Strugë.

Ai numëron edhe një sërë mangësish gjatë punës në realizimin e këtij projekti.
 “Nga punimet në rrugët e lartë përmendura deri më tani pikë së pari vërejmë mungesë të Tabelës Informuese për punimet me të gjitha të dhënat sipas ligjit. Gjithashtu vërejmë mungesë të kanaletkave për largimin e ujërave atmosferike, mungesë të paktën dy – tre pemëve, drunjëve me mini-hapsirën për ujitjen e tyre, vërejmë mungesë të ndonjë fontane – shatërvanë për gurgullimin e ujit, kandelabra prej hekuri të farkuar mirë e të dizejnuara, e të paktën një karrige për pushim të të moshuarve dhe kalimtarëve të rastit, si dhe kompleksin e objekteve me arkitekturë tradicionale për qytetin e Strugës, tashmë të dëmtuar dhe të azgjësuar”.

Pyetëm banorë të lagjeve përkatëse dhe kalimtarë të rastit se çfarë mendojnë për rekonstruimin e rrugës së vjetër dhe se sa është ruajtur origjinaliteti historik. Gati askush nuk kishte informacion për cilësinë e pllakave të gurit që po shtrohen ndërsa sa i përket origjinalitetit qytetarët e vjetër strugan na thanë se as gurët që tani hiqen dhe zëvendësohen nuk janë origjinale.

“Gurët e vjetër që po hiqen janë të shtruara rreth viteve 80.  Siç na kanë treguar më të moshuarit kalldërmaja e dikurshme ishte me gurë rrumbullake me madhësi të ndryshme dhe e vendosur me pjerrtësi kah mesi i rrugicës ku mblidhej uji”, u shpreh një qytetar strugan.

“Nuk kemi asnjë informacion për pllakat e gurit që po shtrohen. Nuk duket se janë as me cilësi, as me formë dhe as me ngjyrë si kalldërmaja e dikurshme”, u shpreh një banor i lagjes.
“Nuk e di se çfarë bëjnë saktësisht po shpresojë vetëm të bëjnë diçka të hajrit”, tha një kalimtar i rastit.
Edhe përkundër faktit se autoritetet lokale në Strugë deklaruan se realizimi i këtij premtimi është në fund, nga inspektimi jonë në terren konkludojmë se premtimi është në realizim e sipër, pra i pa-përfunduar.
Burime:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button