Agjencia e Kadastrës: Shërbimet nuk janë shtrenjtuar, por janë kthyer në nivelin e vitit 2017

As çmimet e shërbimeve e kadastrës nuk janë rritur për 500 përqind, e as institucioni nuk është para falimentimit, tha Boris Tunxhev, drejtor i Agjencisë për Kadastër, dhe shtoi se çmimet e tyre janë rritur mesatarisht nga 25 deri në 30 përqind dhe tashmë po bëhet një analizë për të parë nëse ka mundësi për korrigjim sapo “të normalizohen” çmimet e energjensëve, transmeton Portalb.mk.

Tunxhev thekson se çmimet e shumicës së zërave tariforë madje janë ulur dhe me ndryshimet e bëra në metodologji tani në vend të 5 ka vetëm 2 tarifa. Ai sqaron se ndryshimet në çmimore pas pesë vitesh janë rezultat i një analize sistematike të bërë nga Agjencia dhe shtoi se nuk ka rritje të çmimit të shërbimit të regjistrimit të hipotekës.

“Në vitin 2017 Kadastra ka ulur çmimet për 30 deri në 90 përqind. “Nëse bëhen krahasime me vitin 2014, shumica e shërbimeve janë në nivelin e vitit 2014, gjegjësisht të vitit 2017”, thotë Tunxhev.

Drejtori i AKP-së informon se nëse deri para disa vitesh faturat vjetore të energjisë elektrike të Agjencisë ishin nga 8 deri në 9 milionë denarë, tani ato janë rritur në 39 milionë denarë. Shpenzimet janë rritur edhe si pasojë e rritjes së shpenzimeve për mirëmbajtjen e sistemeve operative, IT softuerëve dhe atyre gjeodezike, numrit të madh të licencave të punës…

“Ne, si edhe subjektet e tjera juridike, nuk jemi imunë nga ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe burimeve të tjera energjetike në tregun botëror, gjë që e komplikon shumë punën e përditshme”, tha Tunxhev.
Drejtori i Kadastrës njoftoi edhe se në përgatitje e sipër është një ligj i ri, i cili do të dorëzohet në Ministrinë e Drejtësisë muajin e ardhshëm dhe i cili do të mundësojë që një pjesë e shërbimeve të jenë falas.

Jemi duke bërë një përzgjedhje për pjesën e të dhënave që do të jenë të hapura, pra falas për përdoruesit e shërbimeve tona. Tani nuk kemi mundësi për këtë, edhe pse legjislacioni evropian e rekomandon një gjë të tillë – shpjegoi Tunxhev, i cili për momentin nuk mund të specifikojë se sa të dhëna do të jenë të hapura.

Sa i përket akuzave të shoqërive gjeodezike se sistemet elektronike të Kadastrës nuk janë në funksion tërë kohën, Tunxhev tha se institucioni dalëngadalë po e merr veten nga sulmet e fundit të hakerëve. Ai theksoi se për momentin po punohet për rindërtimin e serverëve dhe rritjen e sigurisë së tyre, për të cilat paguhen licencat, por se janë në funksion faqet kryesore që u duhen klientëve.

Për funksionimin normal nevojitet një përmirësim serioz i aplikacioneve softuerike, të cilat përdoren nga pushteti vendor, institucionet shtetërore, noterët, përmbaruesit, kompanitë private gjeodezike dhe qytetarët. Por sistemi ynë është i lidhur me tre të tjerë dhe nëse njëri prej tyre nuk funksionon, atëherë edhe ne “biem””, shton Tunxhev, dhe shton që kohëve të fundit dy institucione kanë bërë ndryshime sigurie dhe nuk i kanë njoftuar për këtë.

Pak ditë më parë Oda e Shoqatave Tregtare për Punë Gjeodezike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Tregtisë kërkoi rishikimin e menjëhershëm të tarifave të reja të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Patundshme, e me të cilat, siç thonë nga Oda, shërbimet për marrjen e të dhënave të caktuara janë bërë më të shtrenjta për 100, 200, madje edhe për 500 përqind, në kurriz të kompanive gjeodezike, noterëve, avokatëve dhe qytetarëve që përdorin shërbimet e kadastrës.

Ndërkaq, në brifingun për gazetarët të mbajtur në Kadastër ka dashur të marrë pjesë edhe kryetari i Odës së Shoqatave Gjeodezike, Nikolla Ribaroski, por nuk i është lejuar me arsyetimin se eventi ka pasur për qëllim informimin e mediave, ndërsa ai mund të kërkojë pranim për takim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button