Petrovska nga takimi ministror i Grupit A5: bashkëpunimi intenziv rajonal është përgjigja më e mirë ndaj sfidave të sigurisë globale

“Në këtë kohë sfidash të sigurisë, fillon një epokë e re e respektit reciprok edhe më të madh dhe bashkëpunimit reciprok edhe më të fortë. Ne duhet të zhvillojmë bashkërisht dhe kolektivisht shoqëri rezistente ndaj të gjitha llojeve të ndikimeve dhe kërcënimeve të jashtme. SHBA – Karta e Adriatikut është një platformë e shkëlqyer rajonale për bashkëpunim nga e cila përfitojnë më së shumti të gjithë qytetarët tanë”, tha ministrja Petrovska në takimin ministror të Grupit A5, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Ministrja tha se duke marrë parasysh sfidat e sigurisë, veçanërisht kërcënimet kibernetike dhe hibride, si dhe ndikimin e dëmshëm të dezinformatave, vendet e rajonit duhet të punojnë së bashku, sepse suksesi në përballimin e këtyre kërcënimeve varet pikërisht nga puna dhe veprimi ynë i përbashkët, si dhe nga vlerat dhe parimet tona.

“Në këto kohë të vështira, bashkimi nuk është vetëm shprehje e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit, por është një domosdoshmëri. Kriza moderne e sigurisë ka shkaktuar një efekt domino sepse të gjithë e ndjejmë ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, si dhe normat e larta të inflacionit, që është sfidë për ekonomitë tona”, tha Petrovska.

Ministrja dënoi edhe një herë agresionin rus kundër Ukrainës dhe tha se vendet duhet të solidarizohen me Ukrainën si një vend që mbron pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

“Liria nuk ka çmim dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë të qartë për Ukrainën. Maqedonia e Veriut e njohu urgjencën për t’iu përgjigjur nevojave të Ukrainës, për të cilat ofroi mbështetje sigurie, humanitare dhe mjekësore dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë sipas nevojave dhe kapaciteteve dhe në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët”, nënvizoi Petrovska.

Ministrat dhe përfaqësuesit e vendeve të SHBA-Karta e Adriatikut nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët në të cilën rikonfirmuan nevojën e bashkëpunimit të zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, mirëpritën zhvillimin e Konceptit të ri për rigjallërimin e SHBA – Kartën e Adriatikut, dhe në konteksti e krizës ruso-ukrainase e dënuan agresionin rus kundër Ukrainës dhe ripohuan mbështetjen për përpjekjet e popullit ukrainas në mbrojtje të sovranitetit dhe lirisë së tyre.

Në takimin ministror morën pjesë edhe Seleste Ualander, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, ministrat e mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, Sifet Poxhiq, i Kosovës, Armend Mehaj, ministri në detyrë i mbrojtjes së Malit të Zi, Filip Axhiq, si dhe përfaqësues të lartë të ministrive të mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë, Sllovenisë dhe Serbisë.

Nisma SHBA-Karta e Adriatikut u krijua me nënshkrimin e Kartës së Partneritetit ndërmjet SHBA-së, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Tiranë në vitin 2003. Në vitin 2009, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina iu bashkuan nismës, duke i dhënë iniciativës formatin A-5.

Qëllimi i nismës janë aktivitete të përbashkëta dhe të koordinuara për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve dhe standardeve të NATO-s, promovimin e bashkëpunimit në EJL dhe zhvillimin e ngjarjeve që synojnë ndërtimin e paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Aktivitetet e iniciativës kanë për qëllim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, avancimin e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse, pjesëmarrjen e përbashkët në stërvitje dhe trajnime, operacionet dhe misionet e NATO-s, bashkëpunimin ndërmjet qendrave rajonale të trajnimit, si dhe promovimin e politikës së dyerve të hapura në A-5 për vendet vëzhguese dhe vende të tjera të rajonit që kanë orientim euroatlantik dhe synojnë anëtarësimin në Aleancën e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button