Të premten do të bllokohen rrugët kryesore, shkupjanët para një kaosi të ri trafiku

“Jemi të indinjuar nga gënjeshtrat e vazhdueshme që përhapin autoritetet për ne, prandaj të premten do të radikalizojmë protestat dhe do të nxjerrim në rrugë të gjithë autobusët që kemi. Në rrugët kryesore të Shkupit do të parkohen diçka më shumë se 200 autobusë të transportuesve nga dy shoqatat “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” dhe në këtë mënyrë do ta “paralizojnë” Shkupin”. Këtë e bëri të ditur Lenin Jovanovski, i pari i autobusëve privatë nga “Sloboda prevoz”, i cili ndër të tjera informoi edhe se transportuesit privatë që dje me 30 autobusë bllokuan kryqëzimin te “Mavrovka” deri të premten nuk do t’i bllokojnë rrugët për shkak të vizitës së një delegacioni të lartë nga Gjermania, transmeton Portalb.mk.

„Duke pasur parasysh informacionin e Ministrisë së Brendshme se po vjen një delegacion i lartë nga Gjermania me presidentin, personalisht kam kërkuar që transportuesit të tregojnë me gjest se nuk duan të cenojnë reputacionin e shtetit dhe të komplikojnë protokollet e sigurisë – të tërhiqen nga bllokada në periudhën e prezencës së delegacionit, gjegjësisht deri të enjten, dhe nëse nuk arrihet marrëveshje me Qytetin e Shkupit dhe NTP-në, të premten do të dalin sërish në rrugë”, tha Jovanovski.

Sipas tij, saktësisht se cilat kryqëzime, rrugë dhe bulevarde të frekuentuara do të bllokohen ditën e premte, do të dihet pasi përfaqësuesit e kompanive private të bien dakord dhe të vendosin se çfarë hapash do të ndërmarrin në vijim. Megjithatë, siç theksoi Jovanovski, qytetarët do të informohen me kohë për çdo vendim të tyre.

“Shoferët e autobusëve janë të indinjuar. Në vend që të gjithë të përfshirët të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për situatën, kryetarja Danela Arsovska përhap gënjeshtra për ne”, thotë kreu i “Sloboda prevoz” i cili thotë edhe se përkundër të gjitha pretendimeve, ata si grup posedojnë 131 autobusë, ndërsa transportuesit privatë nga “Makekspres” kanë 77 autobusë.

Ndryshe, transportuesit privatë kishin marrë premtim nga Këshilli i Qytetit të Shkupit se do të bëjë gjithçka që është në kompetencën e vet për të tejkaluar problemin, me të cilin ballafaqohen transportuesit. Kryetari i Shoqatës së transportuesve privatë “Sloboda prevoz” Lenin Jovanovski në një deklaratë për media, të dhënë pas takimit me këshilltarët e qytetit të Shkupit, tha se autobusët e transportuesve privatë nuk do të lëvizin derisa të zgjidhet problemi.

Kujtojmë se, Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. NQP thotë se do t’i zëvendësojë me autobusë dhe shoferë të saj këto linja, transportuesit privat po mbajnë mbledhje pas situatës së krijuar.

Pas 9 ditësh bojkotim të punës dhe akuzave mes “Makekspresit” dhe Ndërmarrjes Publike për Qarkullim Publik (NQP), me nënshkrim të kryetares së Shkupit Danella Arsovska iu dha fund bashkëpunimit me këtë kompani private, të cilës Qyteti i ka borxh gjysmë milioni euro.

Tashmë disa ditë, edhe kompania “Slloboda prevoz” është në grevë për shkak të borxhit të papaguar të NQP-së ndaj transportuesve privat.

Rreth 1 milionë euro ka borxhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik “Shkupi” ndaj transportuesve privat, që ka nxitur që kompania private të ndalojë linjat e qarkullimit 9, 12, 22, 23 dhe 45.

NQP Shkup sot është transportuesi i vetëm i këtyre linjave.

Nga “Slloboda prevoz” deklarojnë që udhëheqësit e qytetit kanë informuar se nuk kanë para për pagesën e borxhit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button