Policia doli në rrugët e qyteteve të mëdha kineze për të parandaluar protestat e reja kundër masave kovid

Protestat kundër masave të rrepta kovid në Kinë, të cilat shpërthyen gjatë fundjavës, janë ulur pasi autoritetet filluan të marrin masa për t’i zbutur ato. Prani e madhe e policisë u vërejtë në disa qytete dhe sot nuk pati shenja të tubimeve më të mëdha në Pekin, Shangai dhe qytete të tjera të mëdha, transmeton Portalb.mk.

Nga Kina ka raportime se autoritetet kanë nisur një hetim ndaj disa pjesëmarrësve në protesta dhe se po kontrollohen telefonat.

Protestat filluan pasi një zjarr në një ndërtesë banimi në qytetin perëndimor të Urumqis vrau të paktën dhjetë persona. Besohet se ata kanë vdekur pasi nuk kanë mundur të arratisen nga ndërtesa për shkak të karantinës së vendosur, të cilën autoritetet e mohojnë.

Për shkak të kësaj, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë ditët e fundit, duke kërkuar heqjen e karantinave mbi të cilat bazohet politika e Kinës për zero kovid dhe ka pasur thirrje për dorëheqjen e Presidentit Xi Jinping.

Megjithatë, protestat e planifikuara në Pekin dje nuk u realizuan pasi policia rrethoi zonën ku po mblidheshin protestuesit dhe në Shangai u ngritën barriera të mëdha përgjatë rrugës kryesore të protestës. Një protestë e vogël në qytetin jugor të Hangzhou u shua shpejt.

Autoritetet rajonale kanë njoftuar një lehtësim të disa masave për Covid, por qeveria ka konfirmuar se mbetet e përkushtuar ndaj strategjisë së saj zero kovid, për shkak të të cilës, disa zona janë në karantinë me muaj të tërë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button