Maqedonia nuk e përdor mjaftueshëm dhe në mënyrë efektive masën e konfiskimit të pasurisë

Praktika në Maqedoninë e Veriut tregon për përdorim të pamjaftueshëm dhe joefektiv të masës së konfiskimit të pasurisë, thuhet në dokumentin e Institutit për demokraci -Societas Civilis, publikuar muajin e kaluar. Një shembull që vë në pah mangësitë në zbatimin e konfiskimit, thuhet në dokument, është rasti “Trust” i iniciuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike në vitin 2017, i cili së fundmi përsëri është aktual për publikun. Rasti i referohet korrupsionit të lartë, përkatësisht falsifikimit të dokumenteve për të përfituar tender me vlerë prej 17 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Aktgjykimi për këtë rast është dënim me burg për autorët dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, që ende nuk është zbatuar. Rasti ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale, shumica e të cilëve konsiderojnë se dënimi me burg nuk është sanksion i mjaftueshëm për veprat e korrupsionit të lartë dhe shteti duhet të bëjë përpjekje serioze për kthimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

“Përveç kësaj, ajo që është bërë e ditur së fundmi për publikun është se përderisa ka zgjatur procedura gjyqësore për rastin “Trust” dhe prona ishte ngrirë, persona të tretët fituan të drejtën mbi një pjesë të pasurisë së ngrirë, përkatësisht kompania arriti të arkëtojë një detyrim në vlerë prej 1.6 milionë denarë. Ndër të tjera, kjo tregon për mospërputhje në zbatimin e një pjese të konsiderueshme të procesit të konfiskimit, hetimit financiar. Zbatimi efektiv i hetimit financiar nënkupton monitorimin e rrjedhës së mjeteve të përfituara përmes korrupsionit, me të cilin do të parandalohej përdorimi, shumëzimi dhe integrimi i mëtejshëm në treg dhe më pas do të sigurohej ngrirja dhe konfiskimi i atyre mjeteve. Konkretisht në rastin e “Trust”, monitorimi i rrjedhës së pasurisë që do të duhej të konfiskohet do të pengonte palët e treta të disponojnë me atë pronë dhe do të ulte vlerën që do të arkëtohej nga shteti”, thuhet në dokumentin e IDSCS-së.

Qendrat e hetimit në prokuroritë publike luajnë një rol kryesor në zbatimin e hetimeve financiare. Qendrat hetimore aktualisht kanë mungesë të personelit dhe nuk kanë burimet dhe kapacitetet e nevojshme për funksionimin normal të tyre. Përpjekjet serioze në drejtim të zhdukjes së korrupsionit, i cili është prioritet strategjik i shtetit, do të nënkuptonin edhe investime më të mëdha në sigurimin e efikasitetit dhe efektivitetit të qendrave hetimore në prokuroritë publike.

Korrupsion, larje parash, konfiskim, foto: mohamed_hassan/Pixabay.com
Foto: mohamed_hassan/Pixabay.com
Kapacitetet e qendrave hetimore në prokuroritë publike

Qendrat hetimore në prokuroritë publike janë një mjet i rëndësishëm në kryerjen e hetimeve financiare. Përbëhen nga përfaqësues të policisë gjyqësore dhe persona të punësuar në prokurorinë publike. Punonjësit e qendrave hetimore janë në dispozicion të prokurorit publik, punojnë nën kontrollin dhe mbikëqyrjen dhe udhëzimet e tij, dhe për punën e tyre përgjigjen para prokurorit. Roli i qendrave hetimore është të marrin pjesë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore duke përgatitur zbatimin e tyre, pranimin e deklaratave dhe propozimeve, si dhe ndërmarrje në mënyrë të pavarur të veprimeve të caktuara hetimore, të ngarkuara nga prokurori publik. Qendrat hetimore zbulojnë rrugën e parave, mbledhin dëshmi dhe ndërtojnë një pasqyrë të plotë të rasteve. Prandaj, ata paraqesin organin operacional në zhvillimin e hetimeve dhe funksionaliteti i tyre është kryesor për zbulimin dhe ndjekjen penale të veprave krimeve, veçanërisht veprat nga krimi i organizuar dhe korrupsioni që kërkojnë përpjekje më të mëdha hetimore.

Në praktikë, qendrat hetimore në prokuroritë publike janë pothuajse jofunksionale. Janë vendosur me Ligjin për procedurën penale, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013 dhe vetëm në vitin 2018 është marrë vendim për themelimin e qendrave hetimore në katër prokurori publike, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një nga problemet kryesore me të cilat përballen qendrat hetimore, por edhe prokuroritë publike në tërësi, është kuadri i pamjaftueshëm me personelin e nevojshëm. Sipas Raportit për punën e prokurorive publike në vitin 20213 nga 1126 vende të planifikuara në prokuroritë publike, vetëm 354 janë plotësuar. Nga pozitat e plotësuara, 121 janë të punësuar në shërbimin profesional në prokuroritë publike nga gjithsej 278 pozita të planifikuara, përkatësisht mungojnë 157 punëtorë. Pozicione të hapura ka edhe në radhët e prokurorëve publike, të cilat sipas sistematizimit duhet të jenë 262, ndërsa aktualisht janë 172. Sa i përket Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shumica e pozitave të paplotësuara janë në Prokurorinë Publike. Aktualisht janë plotësuar 52% të vendeve të punës të planifikuara në shërbimin profesional, përkatësisht prokuroria ka 11 ndihmës prokurorë publikë, prej të cilëve 2 janë ndihmës të udhëheqësve prokurorë publikë nga gjithsej 20 të planifikuara, ndërsa nga 34 të planifikuara nëpunës të punësuar të prokurorit publik administrativ janë 17. Po ashtu, 14 prokurorë publikë nga 18 të planifikuar janë të punësuar në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, përkatësisht 4 prokurorë mungojnë.

Kjo mungesë e prokurorëve dhe personelit profesional në shërbim ndikon ndjeshëm në përdorimin dhe efektivitetin e masës për konfiskim të pasurisë. Sipas analizës së Platformës së Organizatave Civile për luftë kundër korrupsionit në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2019, nga 2.496 lëndë penale të monitoruara, prej të cilave 670 janë zhvilluar pranë Njësisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore të Shkupit, masa e konfiskimit të pasurisë është shqiptuar vetëm në 36 raste, ndërsa asnjëherë nuk është shqiptuar masa konfiskim i zgjeruar. Si sfida më e madhe në rastet kur është shqiptuar masa e konfiskimit të pasurisë, konstatohet gjetja e pasurisë dhe e sendeve dhe sigurimi i dëshmive për origjinën e tyre dhe bazën e konfiskimit. Nga analiza rezulton gjithashtu se lartësia e masës së shqiptuar për konfiskim pothuajse gjithmonë korrespondon me dëmin e shkaktuar, gjë që sugjeron për përpjekje të pamjaftueshme për monitorim të rrjedhës së pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, përkatësisht për zbulimin e shumëzimit, fshehjes dhe integrimit të saj në ekonominë legale. Gjithashtu, prokurorët shpeshherë nuk i përgatisin plotësisht dëshmitë mbi të cilat bazohen akuzat ndërkaq ka një koordinim të pamjaftueshëm në zbatimin e hetimeve financiare dhe penale. Kështu, në 10 nga 26 rastet e analizuara në të cilat është shqiptuar masa e konfiskimit të pasurisë, shuma e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme e përcaktuar nga prokurori publik, korrespondon me shumën e shqiptuar me të cilën është paraparë konfiskimi, ndërsa në tetë raste aspak nuk është caktuar lartësia e dëmit, përkatësisht pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme në vetë akuzën. Në tetë raste të tjera, shuma e përcaktuar fillimisht për dëmin e shkaktuar ndryshon nga shuma përfundimtare e përcaktuar me vendimin për konfiskim. Këto mospërputhje në zbatimin e konfiskimit më së shumti janë në fushën e kompetencave të qendrave hetimore, gjë që tregon më tej se nevojiten përpjekje më të mëdha për ekipim përkatës dhe aftësim profesional të tyre.

Hapat e ndërmarrë

Nevoja për forcimin e kapaciteteve të qendrave hetimore dhe sigurimin e funksionalitetit të tyre njihet në Strategjinë për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë për periudhën 2021-2023. Në këtë drejtim, një nga objektivat e Strategjisë është fuqizimi i kapaciteteve të prokurorisë publike, që përfshin sigurimin e qendrave hetimore funksionale, me staf dhe të digjitalizuara. Plani i veprimit përmban udhëzime të përgjithshme, përkatësisht që qendrat hetimore të plotësohen me burime njerëzore, ambiente dhe pajisje në fund të tremujorit të katërt të vitit 2021/tremujorit të parë 2022.

Për sa i përket formimit profesional të punonjësve, objektivat e Strategjisë përfshijnë ndërtimin e një sistemi të integruar dhe ndërdisiplinor të trajnimeve dhe ndërtimin e kompetencave. Këtu bëjnë pjesë trajnime fillestare, të vazhdueshme dhe të specializuara. Strategjia tregon mungesën e një qasjeje të koordinuar në hartimin e kurrikulave për trajnimin fillestar të personave përgjegjës për kryerjen e hetimeve financiare, si dhe nevojën për vendosjen e një qasje sistematike në lidhje me trajnimet e specializuara dhe ndërdisiplinore. Ndër të tjera, është planifikuar të zhvillohet kurrikulë dhe realizim të trajnimeve për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë për prokurorët publikë dhe personat e përfshirë në hetime financiare.

Megjithatë, ka mungesë informacioni për nivelin e përmbushjes së këtyre aktiviteteve. Në Strategjinë, Qeveria merr përsipër të publikojë raporte tremujore për realizimin e aktiviteteve të planifikuara, por raporte të tilla ende nuk janë të disponueshme për publikun. Kjo e bën të pamundur të shihet shkalla e zbatimit të Strategjisë dhe aktivitetet specifike që janë ndërmarrë, të cilat do të na mundësonin të dimë se cilët duhet të jenë hapat e ardhshëm.

Forcimi i kapaciteteve të qendrave hetimore është çelësi i suksesit të zbatimit të konfiskimit të pronës dhe luftës kundër korrupsionit. Për arritjen e objektivave të Strategjisë për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë, duhet të ndërmerren hapa sa më shpejt që të jetë e mundur për ekipimin e qendrave hetimore me numrin dhe profilin e duhur të personelit. Përveç punësimeve të nevojshme, është e rëndësishme që personeli në qendrat e hetimit të jetë i përgatitur për të kryer në mënyrë të pavarur çdo pjesë të hetimit financiar. Në këtë drejtim nevojiten investime në edukimin e mëtutjeshëm dhe aftësimin profesional të personelit për të fituar aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme. Përveç trajnimeve të planifikuara, shteti mund të lidhë partneritete me demokracitë e Evropës Perëndimore, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për edukim në fushën e kryerjes së hetimeve financiare. Në vende si Italia, Spanja, Britania e Madhe dhe Gjermania, ofrohen studime pasuniversitare, trajnime të specializuara, shkolla verore dhe kurse që lidhen me të gjitha fazat e zhdukjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shteti mund të kërkojë ndihmë nga universitetet, institutet dhe organizatat që ofrojnë këto programe për financimin dhe realizimin e këtyre trajnimeve me qëllim të trajnimit profesional të shërbimeve dhe qendrave hetimore në prokuroritë publike.

Konfiskimi i pronës është një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Në rastet e korrupsionit të lartë, mjetet e fituara në mënyrë të paligjshme më së shpeshti përdoren për rritjen e fitimit, për arritjen e ndikimit politik, për vendosjen e kontrollin mbi sistemin juridik dhe për evitimin e dënimeve për vepra penale të kryera. Kthimi i këtyre mjeteve në buxhetin e shtetit kompenson dëmet mbi buxhetin dhe të drejtat e qytetarëve dhe njëkohësisht parandalon përdorimin e tyre të mëtejshëm për vepra penale. Kjo e bën konfiskimin një masë veçanërisht të rëndësishme për vendet në zhvillim me nivele të larta korrupsioni si Maqedonia e Veriut.

Për zbatim më të suksesshëm dhe më të shpeshtë të masës së konfiskimit, është përgatitur ligji për prejardhjen e pronës, i cili nuk po arrin të kalojë në Kuvend. Drafti i ligjit parasheh konfiskimin e pasurisë së të gjithë atyre që nuk do të mund të dëshmojnë origjinën e pasurisë që është mbi 30 mijë euro të fituar vitin paraprak, kurse i njëjtë përveç për funksionarët, do të vlejë për të gjithë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button