Cuculi në orbitën e të kuqve nga Tirana

Eksperienca e trajnerit Shpëtim Duro te Shkëndija e Tetovës mund t’i vlejë shumë Partizanit të sezonit të ri, pasi 54-vjeçari mund të gjejë disa alternativa te tetovarët për “demat e kuq”. Mësohet se një nga futbollistët e Shkëndijës që trajneri Duro pëlqen ta ketë edhe te Partizani është mbrojtësi i krahut të majtë, Ardian Cuculi. 26-vjeçari ka kaluar një sezon të mirë me Shkëndijën dhe falë kësaj paraqitjeje, ai u bë pjesë e Kombëtares së Maqedonisë në dy ndeshjet e fundit miqësore.

Përpos përforcimit të sulmit, të kuqtë kanë edhe disa mangësi të tjera në pozicione të ndryshme, ku bën pjesë edhe krahu i majtë i mbrojtjes. Prandaj Cuculi shikohet si një mundësi për ta përforcuar këtë sektor dhe favorizues është fakti se trajneri Duro e njeh mirë lojtarin, i cili nuk ka nevojë që të provohet. Mbrojtësi ka qenë titullar i padiskutuar te Shkëndija këtë sezon, por mësohet se lojtari nuk ka qenë shumë i kënaqur me trajtimin që i është bërë, pasi kohë më parë iu mor shiriti i kapitenit.

Ardian Cuculi është emri më i freskët që vjen si alternativë për përforcimin e Partizanit të sezonit të ri. Është thënë se gjurmët e trajnerit Shpëtim Duro mund t’i ndjekin edhe disa futbollistë të tjerë të klubit tetovar.

I pari ka qenë sulmuesi brazilian Stenio Zhunjor, por drejtuesit e Shkëndijës e shikojnë si të pamundur lirimin e tij. Gjithashtu, një nga pëlqimet e trajnerit Duro për të kuqtë është edhe mesfushori Bunjamin Shabani si dhe sulmuesi kosovar, Astrit Fazliu. / panorama-sport/

Lajme të ngjashme

Back to top button