UNT rinisi me rikonstruimin e objekteve në ish kazermën “Ilinden”

Për nder të 28 nëntorit, Ditës së flamurit kombëtar, Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup nisi rekonstruimin e objekteve të tij në ish-kazermën Ilinden.

Të pranishëm në këtë moment të lumtur ishin anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputetë, kryetar komunash, komunitete fetare dhe të biznesit, punonjës dhe studentë të UNT-së.

Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri në fjalimin e tij mirëseardhës tha se kjo ceremoni modeste e fillimit të punëve për rekonstruimin e godinës së parë të universitetit tonë, është një hap i vogël në dukje, i një projekti të madh në ardhje.

“Edhe pse në pamje të parë, siç edhe e shihni pamja e hapësirës ku gjendemi, lë shumë për të dëshiruar, gjendja është siç është, hapësira të lëna pas dore, ndërtesa të ruinuara, por besoni për ne që jemi pjesë e UNT-së, është vendi më i bukur që do donin të jemi. Kjo është shtëpia jonë, dhe ndjenja qe na ofron kjo ditë, është e papërshkrueshme”, tha rektori Zeqiri.

Rektori Zeqiri tha se u është falënderues gjithë kontribuesve të UNT-së, secilit ministër, zëvendës-ministër, deputet, kryetar komune, ndërsa me respekt dhe mirënjohje përmendi ish ministrin e Arsimit dhe Shkencës, të ndjerin Abdilaqim Ademi.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha se insitucionet e arsimit krijohen, por jetën e tyre e mbajnë gjallë punonjësit dhe studentët.

“Universiteti Nënë Tereza e ka dëshmuar që me programet studimore, me pesë fakultetet, mbi 40 programe studimore, shumë marrëveshje bashkëpunimi, është shumë i rëndësishëm, sepse shumë studentë të UNT-së janë pjesë e programeve në universitete të jashtme në bazë të këtyre programeve dhe marrëveshjeve”, tha ministri Shaqiri.

I pranishëm në event, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti shkurt para të pranishmëve tha se ai këtu e lë UNT-në, ndërsa prej sot e andej UNT ka detyrë të punon drejt konsolidimit të tij. “Le të flas universiteti, ku e lë unë, le të vazhdojë universiteti”, tha Ahmeti.

Pas ceremonisë, rektori Zeqiri dhe mysafirët e rastit vizituan godinat që do të rinovohen dhe hapësirën prej 50 mijë metrash katrorë, që tani më është pronë e UNT-së. Dy javë më parë UNT filloi me prishjen e tre objekteve jofunksionale në pronësi të saj, ndërsa vitin e ardhshëm fillon me ndërtimin e Kampusit të ri universitar, që paraqet një kompleks modern ndërtesash studimi.

Ndryshe, gjashtë vite pas themelimit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup e ka marrë kompleksin e tij të infrastrukturës. Me vendim të Qeverisë paraprakisht, institucioni i arsimit të lartë ka marrë lokacion në ish kazermën “Ilinden” të Shkupit. Objektet ekzistuese do të përshtaten për nevojat e kuadrit mësimor-shkencor dhe për studentët. Investimin do ta realizojnë Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe vetë universiteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button