Shtajnmajer porositi deputetët e RMV-së: Nuk është koha për ngjyrime nacionaliste, votoni ndryshimet kushtetuese

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake e priti presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk.

Në kuadër të vizitës është mbajtur takim tet-a-tet dhe mbledhje plenare të dy delegacioneve, pas së cilës presidentët mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.

This slideshow requires JavaScript.

“Republika Federale e Gjermanisë është një prej aleatëve më të afërt dhe partnerëve më të sigurt, ndërkaq autoritetet gjermane tanimë tre dekada në vazhdimësi, e demonstrojnë përkushtimin ndaj shtetit dhe rajonit tonë. Për atë president Shtajnmajer në emrin tim personal dhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ju falënderoj për këtë vizitë, e cila besoj se do të vendos vulë të fuqishme në marrëdhëniet tona dhe do të hapë kapituj të rinj për bashkëpunim”, tha presidenti Pendarovski.

Të dy presidentët kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin në NATO, eurointegrimet, lidhjet ekonomike, bashkëpunimi kulturor-arsimor, por edhe për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin më të gjerë të Evropës.

“Ne jemi tërësisht të përkushtuar në fazat e para të bisedimeve me Bashkimin Evropian pasi që anëtarësimi në Union mbetet orientin afatgjatë strategjik në të cilin vazhdojmë të punojmë me intensitet të pa zvogëluar. Në këtë kontekst, mbështetjen e padyshimtë që e marrim nga Gjermania është me rëndësi të madhe për ne, veçanërisht në kuadër të procesit të Berlinit, në të cilin Gjermania ka rol kyç“, ka deklaruar Pendarovski.

Presidenti Pendarovski theksoi se vizita e presidentit gjerman në kushtet e ndryshimit të gjeopolitikës, kërcënimeve të sigurisë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është konfirmim i miqësisë sonë dhe gatishmërisë së vendosur të Gjermanisë për të mbështetur rajonin tonë. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian, zhvillimit dhe agjendës reformuese të Maqedonisë së Veriut, dhe veçanërisht rolin e saj konstruktiv në procesin e Berlinit.

Duke folur integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paralajmërimet e zyrtarëve maqedonas se ky proces mund të rrumbullakohet deri në vitin 2030, kreu i shtetit gjerman, Shtajnmajer tha se askush nuk mund të premtojë diçka të tillë. Ai inkurajoi drejtuesit e institucioneve që të punojnë në përmbushjen e reformave të domosdoshme për anëtarësim.

“Do të doja që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet që procesi i reformave të lëvizë me shpejtësinë e nevojshme shikuar nga këndvështrimi evropian. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë në vitin 2030”.

“Ju duhet ta kuptoni se për momentin askush këtë nuk mund ta thotë, asnjë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani apo në Bashkimin Evropian. Këtë askush nuk mund ta premtojë, por duhet të punoni që të arrihet ky synim”, tha presidenti gjerman duke theksuar nevojën edhe për ndryshimet kushtetuese, obligim që del nga marrëveshja me Bullgarinë për zhbllokimin e integrimit evropian.

Presidenti gjerman po ashtu, është pritur në takim në Qeveri nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Dy bashkëbiseduesit në këtë takim, kanë shprehur kënaqësinë e dyanshme për raportet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, të cilat vitin e ardhshëm shënojnë 30 vjetorin, si dhe mbështetjen e fuqishme që ofron Republika Federale e Gjermanisë për integrimin euroatlantik për Maqedoninë e Veriut.

“Në takim është konstatuar bashkërisht se, gjithë mbështetja dhe përpjekjet që dy vendet i investojnë, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese janë në drejtim të sigurimit të ardhmërisë evropiane të qytetarëve. Përpos aleancës dhe partneritetit në NATO, OKB dhe OSBE, Gjermani këtë vit kishte edhe rol të suksesshëm në Procesin e Berlin, i cili rezultoi me tri marrëveshje të nënshkruara për njohje reciproke të kualifikimeve akademike/diplomave, kualifikimeve profesionale dhe dokumenteve të udhëtimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në kuadër të vizitës së tij në Shkup, Shtajnmajer mbajti edhe një fjalim para deputetëve në Kuvend. Me citata nga Blazhe Koneski, presidenti gjerman nga foltorja e Kuvendit drejtoi lutje ndaj deputetëve, por edhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të mos devijojnë nga rruga e BE-së, pasi tani nuk është koha për ngjyrime nacionaliste.

Ai në fjalimin e tij kërkoi nga deputetët që të tejkalohet pengesa e fundit, ndërsa ato janë ndryshimet kushtetuese.

“Protokolli me Bullgarinë dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese janë tema që prekin qytetarët sepse bëhet fjalë për çështje të identitetit nacional, për historinë, gjuhën dhe kulturën maqedonae dhe sigurisht se është e drejtë këto debate të zhvillohen me pasion. Vlerësoj se mundeni vet, të sigur t’i zhvilloni këto debate, njerëzit e Maqedonisë së Veriut, ju e përcaktoni çfarë përbën vendin tuaj, ju vendosi si duhet të duket identiteti maqedonas sot dhe si duhet të duket në të ardhmen”.

Ndryshe, Gjermania është udhëheqëse e procesit të Berlinit e cila është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në mbledhjen e fundit të 21 tetorit ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin arritën marrëveshje për lëvizje të lirë pa letërnjoftime mes këtyre vendeve si  dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button