21 NË XXI (II)

Universiteti i EJL-së është një markë apo brend që ka kaluar provincialen qëmoti, është shndërruar në një univers, në një kozmos të dijes: 1/3 e të diplomuarve nga ky institucion i kanë tejkaluar orbitat tona sociale, akademike dhe shkencore. Nga ky institucion kanë dalë kuadro që ligjërojnë në vende si SHBA, Suedia, Hungaria, Kosova, që udhëheqin kompani transnacionale, diplomatë, ministra të suksesshëm, menaxhues të OJF-ve të fuqishme, autorë e pena me emër… UEJL është universitet i brezit të tretë; ai bashkon akademinë me botën e biznesit. Liria akademike është e shenjtë në këtë vatër të arsimit. Studentët ishin pjesë e Plenumit studentor, profesorët të Plenumit Akademik (2015) në kohën kur synohej të ngushtohej liria akademike. Respekti ndaj fjalës së lirë është i padiskutueshëm: për 21 vjet karrierë në të, qëkur prodhojmë shkrime profesionale, artikuj shkencorë, kolumna, ese, deklarata për media, kritika publike, asnjëherë s’jemi marrë në telefon apo të kemi pranuar ndonjë mail nga udhëheqësia për “reduktime” të prononcimeve, për heshtje apo “agjërim fjalësor”. Menaxhmenti ka ndryshuar por politika e lirisë ka mbetur gjithnjë e njëjtë. Kjo është detektuar edhe nga raportuesit evaluatorë të jashtëm (Varantola, 2018: 28).

Vetëm në UEJL njeriu gjen mundësinë t’i ligjërojë kinezo-amerikanit, spanjolles, turkut, sllovenes, serbit, taxhikut, pakistanezit, e studentëve të përkatësive të tjera që përbëjnë botën në miniaturë. JIAO Tong University ranking, Webometrics e paraqesin në apogjeun universitar shqiptar dhe të RMV-së këtë shkollë superiore, citatet ndërkombëtare gjithashtu. Në vitin e kaluar QS World University Rankings 2021 duke shënuar universitetet më të mira në çdo vend, për RMV-në vendosi logon e UEJL-së. Shkurt, UEJL është një filozofi, një kulturë, një mënyrë jetese. Nuk është tavolina ngjyrëhiri të cilat disa i kanë bërë, i kanë imituar; kjo s’mjafton, duhet edhe një spiritus movens që do ta kalojë ballkaniken.

Ndërkohë, për të ruajtur ritmin dhe dinamikën, si të gjitha organizmat vizionarë, rektori me stafin e tij ka përgatitur strategjinë e zhvillimit të këtij institucioni për periudhën 2021-2024. UEJL-në  s’e dëmtojnë as propagandat se gjoja është në krizë mbijetese, se ka rënie drastike të numrit të studentëve etj. “Sivjet në studimet e ciklit të parë arrijmë ke rritje mbi 15% të studentëve të regjistruar, mbi rritjen e vazhdueshme në katër vitet paraprake, duke arritur në numrin e shtatë viteve më parë, atë të gjeneratës 2015/16.” (Bexheti, 2022) Shifra e 300 studentëve të huaj, numri treshifror i studentëve maqedonas flasin për kursin dhe kurbën e ngritjes. Zgjerimi i paletës akademike me Fakultetin e shkencave shëndetsore me dy programe bachelor, Infermeri dhe Fizioterapi të pajisuara me laboratoret dhe Qendrën simulative me teknologjinë e fundit në këto shkenca,  Programi i Arkitekturës dhe Dizajnit, 3E- Ekonomia, Energjia dhe Ekologjia janë risitë e fundit të këtij universiteti. Disa anëtarë të stafit akademik, kryesisht të moshave mesatare, kanë tejkaluar shifrat e citimeve mbi 5000 e njëri nga ata është pozicionuar në top 3% të autorëve më të cituar në botë nga fusha e menaxhmentit dhe ndërmarrësisë.

Sipas rektorit “fondi rritës i bursave universitare, alokimi i drejtë dhe efikas i resurseve, rritja e projekteve shkencore dhe aplikative, rritja e vazhdueshme e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit, zgjerimi e aktiviteteve komerciale edhe Parku teknologjik në suaza të Entitetit afarist për Biznes dhe Inovacion, kanë ndikuar dukshëm në rritjen e kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të Universitetit.” UEJL në kuadër të  Parkut teknologjik momentalisht ofron 700 start-up mundësi me suport edhe deri 50 mijë euro nga programi GIZ. 65% të të diplomuarve të UEJL-së arrijnë të punësohen që në vitin e parë të diplomimit, prej të cilëve 2/3 ne sektorin privat, ata nga shkencat kompjuterike dhe të biznesit edhe më shpejt.

UEJL, me sukses vazhdon të rrugëtojë si Universitet unik me nga 40 programe studimore deridiplomike dhe të ciklit të dytë, 2 programe specialistike dhe 12 programe studimore të ciklit të tretë. Në muajt e parë të vitit 2023, pas gjashtë vitesh përdorimi do të zëvendësohen të gjithë kompjuterët, e tërë Data Qendra, përfshirë edhe back-up sistemin. Do vijojnë investime në parkun fotovoltaik me mbi 5000 m² kulme të ndërtesave administrative dhe të konvikteve studentore me një kapacitet të installuar mbi 1 MWh që plotëson 20% nevojat konsumuese të Kampusit universitar në Tetovë që sjell pavarësi energjetike dhe reduktim klimaterik të CO2. Agjendë e këtij universiteti janë edhe projektet aplikative dhe shkencore: 7% e buxhetit vjetor; 3% dedikuar fondit individual për hulumtime dhe publikime në revista dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore relevante. UEJL organizon konferenca ndërkombëtare, ka revistën e vet prestigjioze shkencore “SEE Review” që publikohet në bashkëpunim me De Gruyter, botimet e veta akademike. Bashkëpunon me universitete si ai i Indiana-s, Pittsburgh-ut, Birmingham-it, Jönköping-ut, Alikante-s, Lubjanës, i Galatasaray-it etj.Specifike për këtë entitet është edhe struktura e qeverisjes, me anëtarë bordi ndërkombëtarë, nga komuniteti dhe akademia, ku kryetar Këshilli (Bordi) gjithnjë është nga vendet perëndimore, para të cilit Menaxhmenti i lartë raporton së paku 4 herë në vit për të gjitha aspektet, nga ato akademike, shkencore, e deri te qëndrueshmeria financiare.

UEJL është i përkushtaur në rrugën standarde të cilësisë, të fleksibilitetit të tregut dhe respektimit të plotë të kërkesave të tij. Vlera multikulturore, ndërkombëtarizimi e digjitalizimi permanent, bashkëpunimi ndëruniversitar në vend dhe jashtë, gjithnjë duke u bazuar në parimin e konkurrencës në bashkëpunim (coopetition) janë fjalët tjera kyçe të strategjisë së këtij institucioni që përbën një nga vlerat e mirëfillta dhe autentike të shqiptarëve të RMV-së dhe më gjerë. Diplomaci publike më të mirë për kauzën tonë se UEJL s’ka. Motot e 21 viteve, “Opportunities more than everywhere!”, “Access your future” dhe “Bringing knowledge to life” më së miri e ilustrojnë ethosin e këtij institucioni që ofron dije të përdorshme në një botë gjithnjë e më komplekse.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button