U vendos dialogu i parë strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës në fushën e mbrojtjes

Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, dy vendeve aleate në Aleancën e NATO-s po merr një vrull të ri, veçanërisht pas harmonizimit të Marrëveshjes së re për Bashkëpunim, e cila së fundi u nënshkrua në Paris nga ministrja Sllavjanka Petrovska dhe homologu i saj francez, ministri Sebastian Lekornu, njofton Portalb.mk.

Si vazhdimësi e bashkëpunimit të vendosur, sot në Ministrinë e Mbrojtjes filloi dialogu i parë strategjik i mbrojtjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, i cili u zhvillua në takimin e një delegacioni nga Ministria franceze e Mbrojtjes me një ekip të Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së.

Qëllimi i dialogut strategjik është të forcojë bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes në trajnime të përbashkëta, misione, edukim dhe mbështetje reciproke në përmbushjen e objektivave të aftësisë së NATO-s.

Delegacioni francez i kryesuar nga zëvendësadmirali Kristof Lukas, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për marrëdhënie ndërkombëtare dhe strategji në Ministrinë e Mbrojtjes së Francës, pati takim me ministren e mbrojtjes Petrovska, ku u shpreh kënaqësia për vendosjen e dialogut strategjik të mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, si dëshmia më e mirë e vendosmërisë së ndërsjellë për të vënë në praktikë me efikasitet bashkëpunimin e rënë dakord.

„Ky është fillimi i një periudhe të re të bashkëpunimit të mbrojtjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Francës. Franca është aleati ynë i rëndësishëm që mbështeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe ofron mbështetjen e saj për integrimin evropian të vendit. Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s sot kontribuon për paqen dhe sigurinë e Ballkanit. Ne po fillojmë një dialog strategjik që do të thellojë bashkëpunimin në mbrojtje me aleatin tonë Francën, me të cilën ndajmë të njëjtat vlera”, tha ministrja Petrovska.

Zëvendësadmirali Lukas shprehu kënaqësinë për fillimin e suksesshëm të dialogut strategjik dhe theksoi diturinë e Maqedonisë së Veriut si një aleat i NATO-s që jep një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë.

Në takim, ku mori pjesë edhe ambasadori francez në vend, Siril Bomgartner, u theksua se Aleanca është e bashkuar në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe në vendosmërinë e NATO-s për të projektuar stabilitet, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kolektive.

Blerja e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore, për të cilën u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, është një tjetër sinjal i fortë se të dy vendet bashkëpunojnë në nivelin më të lartë dhe se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut po modernizohet intensivisht me pajisje moderne dhe të sofistikuara.

Në kontekstin e Bashkimit Evropian, ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes të Unionit dhe se tani nevojitet një proces i shpejtë dhe efikas i integrimit evropian për vendin dhe rajonin.

Bashkëpunimi dypalësh i mbrojtjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës karakterizohet me takime në nivelin më të lartë, si dhe bashkëpunim në fushën e trajnimit gjuhësor, konsultimeve strategjike në mbrojtje, si dhe edukimin ushtarak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button