Analogji të gjenocidit në Ballkan dhe Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Bajden përkujtoi Holodomorin ukrainas, viktimat e urisë së qëllimshme të regjimit të Stalinit gjatë viteve të 30-ta të shek. 20. “ Ky nëntor shënon përvjetorin e Holodomorit. Gjatë regjimit të tij, Josif Stalini imponoi politika të ashpra dhe represive në Ukrainë, duke përfshirë krijimin e një urie të qëllimshme në vitet (1932-33) e që shkaktoi vdekjen e miliona grave, burrave dhe fëmijëve të pafajshëm ukrainas”. “Ne i përkujtojmë të gjitha jetët e humbura në këtë tragjedi të pakuptimtë dhe i bëjmë homazhe qëndresës së popullit ukrainas që duroi shkatërrimin dhe tiraninë për të krijuar përfundimisht një shoqëri të lirë dhe demokratike.” Më tej Shtëpia e Bardhë në kumtesë thotë se SHBA riafirmon angazhimin e palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. “Ne nderojmë popullin e guximshëm ukrainas që vazhdon t’i rezistojë me guxim sulmit të Rusisë ndaj demokracisë së tyre”. Së fundi Parlamenti gjerman po ashtu është afër shpalljes së Holodomorit si gjenocid ndaj banorëve të pafajshëm ukrainas. Në aspektin e dënimit të gjenocidit “Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit” është adaptuar me një rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 9 dhjetor të vitit 1948, kurse hyri në fuqi më 12 janar të vitit 1951. Më tej në konventë thuhet se ”gjenocidi është një krim sipas ligjit ndërkombëtar, në kundërshtim me frymën dhe synimet e OKB-së dhe i dënuar nga bota e qytetëruar. Konventa ka gjithsej 20 nene.

1. Tash t’i kthehemi Holodomorit. Sovjetikët, regjimi stalinist ishte kujdesur qysh më herët për këtë tragjedi. Me ardhjen në pushtet të Bolshevikëve dhe me një urrejtje të madhe ndaj etnive tjera, forcat sovjetike e shtypën me dhunë rezistencën dhe lëvizjen për pavarësi të popullit ukrainas. Më vonë regjimi i Stalinit bashkë me policinë sekrete bënë shfarosjen e elitës intelektuale ukrainase të cilit kishin për qëllim një Ukrainë të pavarur nga BRSS-ja. Si çdo regjim diktatorial edhe ai sovjetik bëri një spastrim të gjerë etnik dhe fetar për të dominuar dhe zgjeruar hapësirën territoriale sovjetike në dëm të popujve tjerë. Për lexuesit tanë po sjellim disa fakte të përpjekjeve të hershme të popullit ukrainas për shkëputje nga sovjetikët- Bolshevikët. Për shkak të sulmit nga sovjetikët, në janar të vitit 1918, “Këshilli Qendror i Ukrainës” i prishi raportet me Moskën duke shpallur një shtet të pavarur ukrainas. Nuk voni shumë ushtria sovjetike e pushtoi Kievin në shkurt të të njëjtit vit. “Këshilli Qendror i Ukrainës” për arsye të gjendjes së rëndë kërkoi ndihmë të jashtme duke nënshkruar “Traktatin e Brest-Litovskit” të 9 shkurtit të 1918-tës. Traktati kryesisht kishte të bënte me ndihmën ushtarake nga Gjermania dhe Perandoria Austro-Hungareze. Sovjetiket pas shpërbërjes së republikës së pavarur nuk u tërhoqën, ata vendosën në Kiev njerëz të besuar të Moskës. Më pas ndodhi grusht-shteti, kurse “Këshilli Qendror i Ukrainës”, u zëvendësua me qeverinë e Pavllo Skoropadskit. Jeta e kësaj qeverie nuk zgjati shumë. Përshkak të humbjes së Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore (LPB), Ukraina nuk kishte më garanci të jashtme dhe në fund të vitit 1918, Ukraina plotësisht ra në duart e sovjetikëve. Qeveria qendrore në Moskë nuk u ndal këtu, ajo vazhdoi me planin e vdekjes së madhe të shek. 20 atë të viteve (1932-33), duke lënë pas miliona të vdekur ukrainas në rajonin e Odesës, Kharkovit dhe Kievit.

2. Në anën tjetër të Evropës në Ballkanin Otoman, pas shpalljes së pavarësisë së Serbisë nga Perandoria Otomane, politika serbe ndërmori një seri masash për shpërnguljen e popullsisë jo ortodokse dhe asaj shqiptarëve që jetonin në Serbinë Qendrore. Projekti serb i dhunës dhe shkatërrimit të tokës pjellore dhe pasurive ishte i njëjtë me atë të sovjetikëve që përdorën më vonë në Ukrainë. Edhe pse një gjysmë shekull i zbatuar më herët nga serbët, gjatë kohës së Millosh Obrenoviqit dhe Millan Obrenoviqit, serbët, masovikisht bënë spastrimin e territorit nga shqiptarët etnikë, duke dashur të krijojnë një shtet të pastër etnik. Rasti sovjetik dhe serb edhe pse në kohë të ndryshme kanë një një të përbashkët: Dhe ai është gjenocidi mbi popullsinë e pafajshme. Në vitet e 30-ta të shek. 20, terrori sovjetik në Ukrainë u dokumentua në detaje, kurse vrasjet e fund shek. 19 në Serbinë Qendrore mbetën të pazbuluara deri në botimet e fundit të shek. 20 dhe fillim shek. 21. Përderisa mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largohen për në jug të Ballkanit ose në vende tjera, rezistenca e tyre ishte simbolike ndaj forcës së shteteve ballkanike që kishin hyrë në një aleancë të re pas Traktatit të Shën Stefanit dhe më pas Kongresit të Berlinit. Dhuna serbo-malazeze për gjatë luftërave ballkanike (1912-13) dhe pas krijimi të Mbretërisë Serbo-Kroate- Sllovene (1918-1929) dhe më pas, mbeti pa jehonë të fortë ndërkombëtare. Edhe pas luftërave të vitit (1991-99) si Serbia dhe së fundi Rusia nuk janë marrë me të kaluarën dhe të pranojnë gjenocidet shekullore mbi popujt tjerë. Në fund të luftës në Ukrainë, Moska për tu kthyer në botën reale dhe komunitetin ndërkombëtar duhet të pranojë gjenocidin e të gjitha formave ndaj popullit Ukrainas dhe kundër popujve tjerë të shtypur gjatë komunizmit sovjetik. Këtë aktualisht duhet të bëjë edhe Serbia, por duhet pranuar se komuniteti ndërkombëtar shumë pak presion po bën mbi Serbinë. Mbetet që qeveria në Prishtinë dhe në Tiranë të bëjnë më shumë në bashkëpunim me të huajt rreth njohjes së gjenocidit serb në Ballkan dhe natyrisht në Ukrainë nga Rusia. Ky presion duhet të vijë nga aktorët global. Për paqe të qëndrueshme detyrimisht qeveritë dhe shtetet duhet të pranojnë gabimet, dënojnë urdhërdhënësit dhe të jenë të gatshme për dëmshpërblime. Ndryshe e kaluara do të jetë përherë në kujtimet e popujve të prekur nga vrasjet dhe pengesë për raporte të mira në mes shteteve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button