Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolloski me fjalorin e Gruevskit, kërkon 61 deputetë “për të mos u shantazhuar”

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në emisionin “360 Gradë” ka deklaruar se VMRO-DPMNE do të formojë qeveri me 61 deputetë që të mos shantazhohet nga askush. Deklaratë dhe fushatë të njëjtë ka bërë edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski në tetor të vitit 2016-të, kur kërkonte 63 deputetë që të mundej të formonte qeveri pa ndonjërën prej partive shqiptare, apo me atë që do t’i pranonte kushtet e tij, njofton Portalb.mk.

“Shpresojmë se do të marrim mbështetje nga populli që të mos pësojmë shantazhe dhe të mos varemi nga interesat e dikujt personale apo partiake. Në lidhje me atë se a do të ftojmë partner në qeveri ose jo, ajo është çështje tjetër të cilën mund ta bisedojmë pas mbarimit të zgjedhjeve”, deklaroi Nikolloski.

Ai tha se ata duhet ta zgjedhin partnerin dhe shtoi se dëshiron që BDI dhe LSDM të shkojnë në opozitë.

“Mendoj se partnerin duhet ta zgjedhim në bazë të pozitave të brendhsme dhe orientimit programor të cilat do t’i kishim. Dhe, gjithsesi, nëse tani është çështje e dëshirave, do të dëshironim që të bashkëpunojmë me opozitën shqiptare pasi që mendoj se është koha që të bëhen ndryshime dhe përfundimisht, edhe LSDM edhe BDI të shkojnë në opozitë”, deklaroi Nikolloski.

Prej tërë emisionit rreth 40 minutave, Nikolloski ka zgjedhur në Facebook të ndajë vetëm theksin “për t’i fituar 61 deputetë”.

“Do të marrim mbështetjen e popullit që të mos pësojmë asnjë shantazh dhe të mos varemi nga interesat personale apo partiake të dikujt!”, shkruan Nikolloski në FB.

Qëndrime të këtilla për të fituar shumicë parlamentare VMRO-DPMNE kishte edhe ish lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i cili propagandonte fushatë që nëse atij ia japin 63 deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit të 2016-tës, Maqedonia do të jetë stabile dhe e fuqishme.

“Opozita do që filmi i Zaevave dhe Verushevave të bëhet realitet, por më 11 dhjetor çdokush nga ne duhet të tregojë se në çfarë Maqedonie do të jetojë. Pas dy vjetëve agoni, ndokush prej juve e ka të qartë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, nuk na është e nevojshme fitorja, por na nevojiten 63 deputetë për fitore stabile dhe të fuqishme, për Maqedoni të fuqishme. 63 deputetët do të jenë fitore për VMRO – DPMNE-në dhe për koalicionin”, porositi Gruevski në fjalimin e gjatë të tij, gjatë një tubimi partiak në tetor të vitit 2016-të, duke porositur se zgjedhjet e 11 dhjetorit të atij viti do të jenë referendum për Maqedoninë.

Fushata e Gruevskit për 63 deputetë, ishte në vazhdën e propagandës dhe një sërë fushatash, për t’u rikthyer në skenën politike “më fuqishëm se më parë”, pas skandalit të përgjimeve në vitin 2015.

Sipas një analizës së Portalb.mk, të botuar në vitin 2017-të, Gruevski dhe partia që kryesonte ai, VMRO-DPMNE, për një vjet ka organizuar 16 fushata për ta rikthyer rejtingun e dikurshëm të Gruevskit.

  1. 17.02.2016 – fushata “përsëri kundër shqiptarëve”
  2. 26.02.2016 – fushata për thirrje të popullit për mbrojtje të Maqedonisë
  3. 24.02.2016 – fushata për përkrahje të VMRO-DPMNE-së nga qytetarët1
  4. 16.10.2016 – fushata 63 deputetë kundër shqiptarëve
  5. 08.12.2016 – fushata kundër dygjuhësisë
  6. 17.12.2016 – fushata për “desorosoizim” dhe kundër ambasadorëve të huaj
  7. 04.01.2017 – fushata për zbutje të fjalorit ndaj shqiptarëve
  8. 18.01.2017 – fushata kundër BDI-së
  9. 25.01.2017 – fushata “fituesi me fituesin” 
  10. 30.01.2017 – fushata për zgjedhje të reja
  11. 02.02.2017 – fushata kundër ambasadorit Bejli
  12. 01.03.2017 – fushata Ivanov hero
  13. 03.02.2017 – fushata kundër Shqipërisë dhe Kosovës
  14. 07.03.2017 – fushata lojë me emra
  15. 28.03.2017 – fushata “udhërrëfyesi”
  16. 02.04.2017 – fushata “Manifesti”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button