Bujare Abazi e akuzon për diskriminim, Mazneva insiston se janë verifikuar 112 të punësuarit e larguar nga puna

Drejtoresha e Higjienës Komunale Shkup Kosana Mazneva, vazhdon të insistojë se 112-të personat e larguar nga puna,më 4 nëntor (shumica shqiptarë), nuk kanë qenë të rregullt në punë dhe për këtë nuk u është vazhduar kontrata e punës. Këshilltarja e ASH-së në Qytetin e Shkupit, Bujare Abazi veprimin e Maznevës e quan diskriminues, ndërkaq këshilltari i BDI-së, Besnik Abazi kërkon që institucionet përkatëse të konstatojë nëse ka ose jo parregullsi dhe në bazë të asaj të reagohet. Higjiena Komunale nuk e jep listën me emrat dhe mbiemrat e personave të përjashtuar, shkruan Portalb.mk.

Kosana Nikoliq Mazneva
Kosana Mazneva

Nuk ka asnjë rast që ndonjëri prej 112-të të punësuarve të ketë qenë i rregullt në punë dhe NPK të mos ia ketë vazhduar kontratën. Kështu iu përgjigj pyetjes së Portalb.mk, drejtoresha Mazneva, pas storjes së publikuar në të cilën 4 të punësuar dëshmuan për Portalb.mk se kanë qenë të rregullt, por iu është vazhduar kontrata.

“Bëhet fjalë për persona të cilët, një pjesë e tyre nuk kanë ardhur fare në punë, ndërkaq një pjesë tjetër nuk kanë qenë të rregullt ose nuk i kanë kryer detyrat e punës sipas të gjitha dispozitave ligjore”, tha Mazneva, duke hedhur poshtë se mosvazhdimi i kontratës nuk ka pasur të bëjë me përkatësinë etnike të punësuarve.

Sipas storjes që shkruajti Portalb.mk, shumica e të përjashtuarve nga puna janë shqiptarë.

Bujare Abazi
Bujare Abazi

Por, këshilltarja e ASH-së në Qytetin e Shkupit, Bujare Abazi, veprimin e Maznevës e quan diskriminues duke e pasur parasysh përkatësinë etnike të të punësuarve.

“Veprimi i Kosanës është definitivisht diskriminues për arsye se nuk i tregon kriteret. Ajo thotë në përgjithësi se janë larguar personat që s’kanë ardhur në punë, por realiteti është tjetër. Ka persona që vërtetë kanë shkuar në punë, ka persona që 8 vjet kanë la kamionë, ka persona që 5 vjet shkojnë në punë, ka edhe prej tyre që nuk shkojnë në punë dhe ua ka vazhduar kontratën. Domethënë nuk mban sepse ajo nuk del me kritere. Përgjigjja e saj drejt Këshillit ka qenë se janë 207 të punësuar nëpërmjet Agjencia e i kam larguar 112-të, gjegjësisht nuk u është vazhduar kontrata. Nuk mundesh ti të gjithë t’i trajtosh si numra. Këtu bëhet fjalë për njerëz, duhesh të jaspësh arsyetim për secilin”, tha për Portalb.mk, Abazi.

Besnik Ajeti, foto: Qyteti i Shkupit
Besnik Ajeti, foto: Qyteti i Shkupit

Besnik Ajeti për rastin në fjalë, kërkon që organet përkatëse të shohin rastin nga aspekti ligjor dhe të miratojnë vendime në bazë të cilave do të munden të reagojnë ata si këshilltarë.

“Ne si këshilltarë s’kemi të drejtë të përzihemi në punët e brendshme të ndërmarrjes, atje ka drejtor, zëvendës, komplet strukturën te të cilët duhet të paraqiten. Nëse ka diçka që është nën kompetencë tonën unë jam i pari që e ngriti zërin në atë drejtim. S’na ka ardhur asnjë informatë se u është shkelur e drejta. Ne jemi të interesuar çdoherë që ta dimë se dikujt i është marrë e drejta. Kishte arsyetime që nuk shkojnë në punë, nga ta di unë nëse shkojnë apo jo? Nëse njerëzit dëshmojnë para ligjit, dhe në bazë të asaj ne kemi një dokument i cili nga ana e inspektoratit është konstatuar se kjo është shkelje ndaj tyre, atëherë ne drejtpërdrejtë do ta mbrojmë atë drejtë. Derisa s’i kemi, me çfarë do merremi, me muhabete çfarë ka thënë filani fisteku? Nëse i ka larguar prej punës dhe nuk ka bazë, ka çështje juridike që merret me atë vendim, pra ato le ta definojnë këtë çështje, jo ne”, deklaroi për Portalb.mk, Ajeti.

Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se Bordi Drejtues i Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale Shkup, në seancë i ka rekomanduar drejtoreshës Mazneva që t’i rikthejë në punë personat për të cilat ka prova se janë të rregullt, ndërkaq konkluzat e mbledhjes duhet të miratohen të hënën.

E pyetur për këtë, Mazneva tha se nuk ka informata se çfarë ka rekomanduar Bordi, por theksoi se ata nuk kanë të drejtë të vendosin për punësimet në ndërmarrje.

“Nuk jam e informuar, mendoj se Bordi Drejtues ka pasur një seancë në të cilën ka debatuar, por nuk e di saktë për cilat çështje, duhet ta shohë procesverbalin.  Bordi Drejtues nuk ka kompetenca as të punësojë as të angazhojë të punësuar nëpërmjet Agjencisë, kompetencat i ka vetëm Agjencia për punësime të përkohshme”, tha për Portalb.mk, Mazneva.

Higjiena Komunale Shkup
Higjiena Komunale Shkup

Portalb.mk, ka kërkuar përgjigje nga Ndërmarrja Higjiena Komunale Shkup në lidhje me akuzat e punëtorëve si dhe gjithashtu e ka kërkuar edhe listën zyrtare me emrat e të punësuarve të cilëve më 4 nëntor nuk u është vazhduar kontrata e punës. Deri në publikimin e tekstit, vetëm kemi marrë konfirmim se i kanë pranuar pyetjet tona, por nuk kanë kthyer përgjigje.

“Kjo paraqet të dhënë personale zbulimi i së cilës do të nënkuptonte shkelje të mbrojtjes së të dhënave personale. Publikimi i të dhënave personale të të punësuarve të cilëve nuk u është vazhduar kontrata e punës, gjithsesi paraqet shkelje të së drejtës së të dhënave personale, ndërkaq në këtë rast plotësisht ato janë persona të cilëve nuk është marrë leje për pajtueshmëri për publikimin e emrave dhe mbiemrave të tyre në opinion. Gjithashtu, rezultati i testit të dëmtueshmërisë tregoi në atë se dhënia e informatës së këtillë, ka pasoja më të mëdha ndaj interesit që mbrohet (të dhënat personale), se sa realizimit të interesit publik të konstatuar me ligj që do të arrihej me publikimin e informatës”, thanë nga Higjiena Komunale.

Ndaj vendimit të këtillë, Portalb.mk ka dërguar ankesë deri te Agjencia për Mbrojtjen e Qasjes së Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik.

Katër ish punonjës të Higjienës Komunale të Shkupit (HKSH), të cilëve më 4 nëntor u ka skaduar kontrata e punës dhe më pas nuk u është vazhduar për Portalb.mk treguan se si janë larguar nga puna.

“Na tha “nuk na duheni” dhe nuk na i vazhdoi kontratat 112 të punësuarve të rregullt në Higjienën Komunale, në vend tonin u.d. drejtoresha Kosana Mazneva punësoi 41 persona. Mbi 95% prej të përjashtuarve jemi shqiptarë, të cilëve pa asnjë arsye dhe paralajmërim na kanë thënë, prej nesër mos ejani në punë duke na lënë në udhëkryq në këtë kohë krize”, deklaruan ish punonjësit.

Më 9 nëntor, siç njoftoi “Slloboden Peçat“, Mazneva njoftoi se rreth 80 persona të punësuar nëpërmjet një agjencie të punësimit të përkohshëm, nga të cilët 46 operativë dhe 37 punonjës administrativë, nuk do të vazhdojnë punën në “Higjiena Komunale” pasi kompania nuk ka nevojë për angazhimin e tyre të mëtejshëm. Kontratat e tyre kanë skaduar më 4 nëntor dhe angazhimi i tyre është ndërprerë pas analizave të bëra nga drejtuesit.

Jozyrtarisht, Portalb.mk, ka arritur të ketë qasje deri te lista me emrat e të punësuarve që nuk u është vazhduar kontrata. E njëjta nuk është e plotë, pasi prej 4 faqeve mungon 1. Prej 112 personave, në listë janë emrat e 85-ve. Sipas asaj që pamë, shumica e të larguarve ishin me emra shqiptarë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të këtij viti, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Në gusht, drejtoresha Mazneva përjashtoi nga puna 33 punonjës, të gjithë shqiptarë. Mosvazhdimi i kontratave të punës, nxiti reagim të punësuarve, të cilët akuzojnë institucionin se “hakmarrja” është bërë për pazare politike dhe jo për parregullsi në punë.

Nga Higjiena Komunale asokohe deklaruan se të punësuarit nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rroga.

“33 personave të punësuar përmes Agjencisë për punësim të përkohshëm në Ndërmarrjen publike Higjiena Komunale Shkup, të cilët kanë marrë paga me muaj e vite dhe nuk kanë shkuar në punë, pas përfundimit të kontratave të njëjtat nuk u janë vazhduar. Duhet t’i jepet fund shpenzimit të kotë të parave të qytetarëve dhe të punojmë me përkushtim për përmirësimin e shërbimeve dhe përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve”, thonë nga N.P. “Higjiena Komunale” Shkup.

Por, të punësuarit demantuan pretendimet e drejtoreshës, duke akuzuar se vendet e tyre do t’i mbushin me militantë partiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button