RMV-Bullgari, vazhdon mbledhja e Komisionit të përzier për çështje historike dhe arsimore

Sot në Shkup vazhdon mbledhja e Komisionit maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, pasi takimi i djeshëm për përmbajtjen e teksteve për klasën e shtatë në Maqedoninë e Veriut përfundoi pa marrëveshje konkrete, transmeton Portalb.mk.

Pas takimit të djeshëm, përfaqësuesit maqedonas në Komision vlerësuan se takimi ka qenë pozitiv, ka pasur diskutime konstruktive, por për momentin nuk është arritur marrëveshje.

Përfaqësuesi maqedonas dhe bashkëkryetar në Komisionin, Dragi Gjorgjiev, pas mbledhjes së djeshme deklaroi se është biseduar vetëm për tekstet shkollore dhe se janë respektuar interesat tona, por nuk tha nëse sot pritet të merret ndonjë vendim konkret lidhur me këtë çështje.

Përfaqësuesi bullgar në Komision, Angel Dimitrov, megjithatë nuk ka dashur të deklarohet para gazetarëve pas takimit të djeshëm. Ai tha se do të kishte thënë gjithçka sot.

Më 15 gusht të këtij viti, Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike miratoi dhe publikoi rekomandime për përmirësimin e teksteve të historisë për klasën e gjashtë në Maqedoninë e Veriut dhe klasën e pestë në Bullgari, si dhe rekomandime për nderim të përbashkët të figurave nga mesjeta – Shenjtorët Kirili dhe Metodi, Shën Klementi, Shën Naumi dhe Car Samuel.

Këto rekomandime janë miratuar nga Komisioni i Përbashkët Ndërqeveritar, i themeluar në përputhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button