fbpx

Grekët gjejnë thesarin

Qeveria greke ka zbuluar një thesar të vërtetë, të harruar për afro një shekull në bodrumet e bankave të saj.

Sipas Ministrisë greke të Financave, një thesar me vlerë afro 2 miliardë euro u gjet dhe pritet të shfrytëzohet prej qeverisë, në tentativë për të pakësuar barrën e rëndë sociale, që ka pllakosur popullsinë vendase.

Në kasafortat e bankës shtetërore, që siguron garancitë e tenderave dhe sendet e sekuestruara prej qeverisë, gjenden sasi të mëdha bizhuterish të sekuestruara, sasi parash “cash”, shufra floriri, piktura, vepra arti, si dhe mijëra sende të tjera të çmuara, vlera e të cilave llogaritet në afro 2 miliardë euro.

Qeveria ka gati një ligj, i cili do të lejojë shfrytëzimin dhe përdorimin e këtyre parave, pasi – sipas ekspertëve të financave greke, – tashmë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore që e pengonin këtë.

Një gjë e tillë i lejon ekzekutivit të sigurojë një sasi të madhe parash, për të lehtësuar barrën e rëndë financiare, që familjet greke po paguajnë çdo ditë, janë shprehur ata.

Që prej fillimit të krizës ekonomike, qeveria ka nisur një plan masash të rrepta për të parandaluar falimentimin e vendit, ndërsa popullsia greke po mban një barrë të rëndë fiskale.

Rrogat dhe pensionet janë pakësuar në gati 50%, papunësia është mbi 26%, ndërsa kredidhënësit dhe FMN kanë shtuar presionin për vazhdimin e reformave të thella.

Riformatimi në të gjithë sektorët e ekonomisë përfshin pakësimin e numrit të punonjësve në sektorin shtetëror, si dhe privatizimin e shumicës së pasurisë shtetërore, duke filluar prej kompanive energjitike, aeroporteve, porteve, bankave, telefonisë së qendrueshme, e deri në pronat e patundshme, si dhe një numër i madh i ishujve të vegjël, nga Joni në Egje. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close