Gjykatat fshehin të vërtetën dhe mbrojnë fajtorët për Llaskarcën dhe Besa Transin, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me dy procese gjyqësorë në Maqedoninë e Veriut, rastin “Durmo Turs” dhe “Besa Trans”, raste ku tashmë kanë humbur jetën dhjetëra qytetarë, transmeton Portalb.mk.

“Sot i gjithë opinioni ishin dëshmitarë për një veprim tejet skandaloz të gjykatës. Sot edhe një herë u lënduan familjarët e viktimave në tragjedinë e Llaskarcës, përmes anulimit të seancës me arsyetimin më banal, se nuk është kryer superekspertiza”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata theksojnë se superekspertiza është teknikë për të shtyrë seancat, ndërsa kërkojnë nga organet e drejtësisë që të mos tallen me viktimat dhe familjarët e rastit “Durmo Turs” dhe “Besa Trans”.

“Dje u mbushën 1 vit edhe nga tragjedia me autobusin e “Besa Trans” në Bullgari. As ky e as rasti i Llaskarcës nuk po marrin epilog dhe gjithë kjo falë gjyqësorit të kontrolluar jo vetëm nga politika, por edhe nga grupet e interesit”, deklarojnë nga Aleanca.

Ndryshe, superekspertiza në procesin gjyqësor për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë, për të cilën po pritet një vit, përsëri është arsyeja për shtyrje të reja të seancës, por edhe për protesta të familjeve të prekura. Ata sot para Gjykatës Themelore Penale me lot në sy, të revoltuar kërkuan përgjegjësi nga fajtorët e fatkeqësisë.

Gjyqi për aksidentin filloi më 5 shtator 2021, por edhe pas më shumë se tre vitesh është ende e pamundur të arrihet një vendim i shkallës së parë. Në proces janë kryer ekspertiza nga palët, por është kërkuar edhe një superekspertizë, për të cilën është dhënë urdhër më 11 nëntor 2021, por nuk është përgatitur deri më sot

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar është marrë informacion për problematikën e superekspertimit se fakultetet në vend kanë refuzuar kryerjen e ekspertimit. Fakulteti Teknik në Manastir më pas e ka njoftuar gjykatën se e kanë kthyer lëndën sepse ekspertët e tyre të licencuar në inxhinieri mekanike janë ekspertë vetëm në energjetikë dhe nuk mund t’i kontrollojnë automjetet dhe ekspertët e tjerë të tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e paraprake. Pastaj gjykata tha se kanë kontaktuar Universitetin e Shtipit dhe Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku po ashtu janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion, të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizat paraprake. Pas refuzimit të fakulteteve, çështja i është dërguar Byrosë së ekspertizës gjyqësore, e cila ka mundësinë të formojë një ekip ekspertësh të licencuar që do të kryejnë një superekspertizë.

Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtin vepër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button