Në Kosovë janë gjetur pajisje mjekësore të vjedhura nga spitalet e Maqedonisë

Policia e Kosovës ka parandaluar që pajisjet e vjedhura mjekësore nga Maqedonia të përfundojnë në poliklinikën kosovare “Avicena KS” në pronësi të biznesmenit nga Maqedonia Driton Shuki. Mediat kosovare kanë raportuar se bëhet fjalë për pajisje në vlerë prej 45 mijë eurosh dhe biznesmeni dyshohet se e ka blerë për 10 mijë euro, transmeton REL.

Se si pajisjet mjekësore të vjedhura nga spitalet në Maqedoni përfunduan në duart e biznesmenit Driton Shuki, përgjigje duhet të japë hetimi i policisë së Kosovës dhe Maqedonisë. Lajmi për pajisjet e vjedhura dhe për të dyshuarin Shuki nga Shkupi, të cilin e publikuan mediat kosovare, ka kaluar pa u vënë re në vend. Ai ka biznesin e tij në Kosovë dhe Maqedoni, dhe është i lidhur me politikanë nga të dyja vendet.

Pronari i poliklinikës “Avicena KS” në Prishtinë, Shuki, siç ka bërë të ditur policia e Kosovës më 17 nëntor, është marrë në pyetje dhe dyshohet se ka kryer vepër penale duke blerë pajisje mjekësore që dyshohet se është vjedhur në Shkup.

“Pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është inicuar rast ndaj personit të dyshuar: – D. Sh, mashkull 47 vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale“, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Mediat nga Kosova kanë raportuar se bëhet fjalë për pajisje mjekësore në vlerë prej 45 mijë eurosh, të cilën biznesmeni Shuki e ka blerë për 10 mijë euro. Ata nuk thonë se për çfarë pajisje bëhet fjalë dhe cilët janë të dyshuarit e tjerë. Një pjesë e mediave kosovare kanë raportuar se në këtë rast është përfshirë edhe Interpoli.

Nga MPB thonë se kanë informacione për rastin dhe se nga policia në Kosovë janë kërkuar të dhëna dhe informacione.

“Hetimi është ende në vazhdim dhe rasti është duke u punuar nga policia në të dyja vendet”, thanë për Radion Evropa e Lirë burime nga MPB-ja.

Për çfarë aparati bëhet fjalë, burimet e REL nuk zbulojnë, që të mos ndikojnë në hetim.

Në një prononcim për gazetën kosovare Insajder, Shuki ka demantuar policinë dhe ka thënë se është thirrur si dëshmitar dhe jo si i dyshuar.

Dikush kërkon të më dëmtojë imazhin”, tha Shuki.

“Avicena KS” nuk ka lidhje me laboratorin nga Maqedonia “Avicena”, por kanë vetëm të njëjtin emër.

Lidhja me BDI-në

Edhe pse biznesmeni nuk është shumë i njohur në publikun maqedonas, ai është i njohur në qarqet e BDI-së. Në dhjetor 2019 u bë anëtar i Këshilli qendror të partisë në pushtet nga blloku shqiptar.

Në të njëjtin vit, ai ishte edhe donatori më bujar i partisë. Sipas listës së donatorëve që BDI e ka dërguar në adresën e Entit Shtetëror për Revizion, Shuki në llogarinë e partisë ka paguar rreth 2 milionë denarë ose 32 mijë euro.

Është donacioni maksimal i lejuar, pasi Ligji për financimin e partive politike parasheh që personat fizikë mund të dhurojnë maksimumi 75 paga mesatare të paguara për donacion.

Shuki ende takohet rregullisht me zyrtarë të BDI-së në pushtet, duke gjykuar nga profili i tij në Facebook. Ai para një muaji ka publikuar një fotografi në shoqërinë e Visar Ganiut, kryetarit të Komunës së Çairit nga radhët e BDI-së. Shuki në shkurt të këtij viti ka publikuar një fotografi me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Lidhje me kryeministrin e Kosovës

Përveç politikanëve nga Maqedonia, Shuki ka lidhje direkte edhe me kabinetin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, gjegjësisht me një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Ajo që e lidh Shukin me Kurtin është bashkëshortja e shefit të kabinetit të tij, Luan Dalipi.

Sipas listës anketuese, të cilën Dalipi e ka dorëzuar në Agjencinë kundër korrupsionit, bashkëshortja e tij Eva është e punësuar në poliklinikën “Avicena KS” dhe merr pagë vjetore neto prej 14 mijë e 400 euro.

Biznese në Shkup

Shuki rregullisht në rrjetet sociale publikon fotografi lidhur me punën e “Avicena KS” në Kosovë, por edhe promovon bizneset e tij në Shkup.
Sipas dokumentacionit të Regjistrit Qendror, ai është pronar dhe drejtor i shoqërisë Rajana Engineering.

Rajana Engineering aktualisht është duke ndërtuar një kompleks prej 5 ndërtesash “Premium Residence” në afërsi të të ashtuquajturës rruga e Plastikave në Shkup, ndërsa Shuki rregullisht poston përmbajtje në Facebook se si po ecën projekti.
Si projekte paraprake të kompanisë ndërtimore, renditen hoteli Park dhe objekti banesor dhe komercial Park Residence dhe Next Door Park Hotel, të cilat gjenden buzë lumit Vardar në qendër të Shkupit.

Në të njëjtën kohë, kompania Rajana Engineering po ndërton hotelin Isra në vendbanimin Serava në komunën e Çairit, investitor i të cilit është Bashkësia Fetare Islame.

Përplasja e dytë me policinë e Kosovës

Në vitin 2020, Shuki u arrestua në pikën kufitare të Hanit të Elezit në kufirin Kosovë-Maqedoni. Policia atëkohë dyshonte se poliklinika e tij po kryente në mënyrë të paligjshme teste për Covid.

“Avicena KS” ka marrë mostra nga qytetarët e Kosovës për Covid-19 dhe i ka dërguar në laboratorët e Maqedonisë. Në atë kohë “Avicena KS” nuk kishte licencë për kryerjen e testimeve për Covid.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit ka gjetur një listë me emrat e 50 qytetarëve, përfshirë rezultatet e analizave të tyre për Covid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button