Nga ky muaj nuk ka subvencione për kontributet për rritje të pagave deri në 6.000 denarë, të cilat i futi qeveria e Zaevit

Shteti nga ky muaj, nuk subvencionon kontributet e sigurimeve sociale për rritjen e pagave të punonjësve në kompanitë private. Që nga 1 nëntori pushon vlefshmëria e Ligjit për subvencionimin e kontributeve nga sigurimet sociale të detyrueshme, i cili filloi të zbatohej nga 1 nëntori 2019. Si rrjedhojë, kompanitë që rritën pagat me këtë masë të qeverisë tani duhet të paguajnë vetë kontributet për të gjithë pagën në të cilën janë punonjës të regjistruar, transmeton Portalb.mk.

Me këtë ligj të miratuar në vitin 2019 kur kryeministër ishte Zoran Zaev dhe ministre e financave Nina Angelovska, kompanitë që i rritën pagat e punëtorëve nga 600 në 6000 denarë nuk paguanin kontribute për atë shumë. Mbi këtë shumë, kostoja e kontributeve të sigurimeve sociale është paguar nga shteti nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Duke e shpallur këtë masë, atëherë kryeministri Zaev tha se e shtyp masën gri dhe pagesën e pagave me para në dorë.

“Qëllimi është demotivimi i pagesës së një pjese të pagës me para në dorë. Me masën e re, punëdhënësit do të paguajnë vetëm 11 për qind taksës personale, ndërsa pjesa tjetër, pensionet, sigurimet shëndetësore dhe sociale, do të mbulohen nga shteti. Kështu, punonjësit do të marrin paga neto më të larta dhe do të motivohen për të qëndruar në punë. Është një masë që do të kontribuojë në motivimin e të rinjve dhe të gjithë të tjerëve që të qëndrojnë në shtet sepse do të rriten pagat”, tha Zaev në shtator 2019 në konferencën për shtyp për ribalancimin e buxhetit, i cili parashikoi para për këtë masë.

Ligji parashikonte që masa të zgjasë tre vjet, gjegjësisht të subvencionohen kontributet deri në tetor të vitit 2022. Mirëpo, ministrja e atëhershme e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Caravska, gjatë fillimit të masës tha se është e mundur vazhdimi i ligjit.

“Presim që nga 20 deri në 25 për qind e punëdhënësve të rrisin pagat e punëtorëve. Me këtë masë ndikojmë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë dhe standardin e qytetarëve. Masa është e vlefshme për tre vjet, por jemi të gatshëm të diskutojmë nëse ka nevojë për vazhdimin e këtij ligji”, tha në nëntor 2019 ministrja e atëhershme e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

Përkundër njoftimeve të tilla nga Qeveria, tani nuk mendojnë për vazhdimin e kësaj mase. Ata thonë se Qeveria ka marrë edhe shumë masa të tjera për të ndihmuar kompanitë, ekonominë dhe qytetarët që ofrojnë përfitime të dyfishta, si për punëdhënësit ashtu edhe për personat e mbuluar prej tyre.

“Gjatë krizës, Qeveria në disa raste krijoi një paketë masash për të mbështetur kompanitë, në mënyrë që ta kapërcejnë më lehtë periudhën e krizës. Nëpërmjet Planit operativ për programet dhe masat aktive, bartës i të cilit është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, dhe zbatues është Agjencia për punësim, kompanitë përfshihen në programe dhe masa që synojnë mbështetjen e kompanive dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Përmes masës së subvencionimit të pagave, ku përfituese janë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kompanitë marrin mbështetje financiare me kohëzgjatje të subvencionimit 3, 6 apo 12 muaj, me qëllim punësimin e të papunëve”, thotë Qeveria.

Qeveria thekson se po zbatohet një masë e mbështetjes financiare për punësime të reja nga grupe të caktuara të synuara, po paguhen trajnime për personat e papunë, si dhe po jepet mbështetje financiare e pakthyeshme për financimin e investimeve të reja të biznesit, që synojnë kalimin në ekonomi të gjelbër.

“Përmes menaxhimit të përgjegjshëm të buxhetit gjatë vitit, qeveria arriti të sigurojë masa antikrizë prej 760 milionë eurosh me të cilat ndihmojmë qytetarët dhe kompanitë që të ruajnë likuiditetin e tyre”, thonë nga qeveria, duke shtuar se subvencionojnë edhe çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe për kompanitë e vogla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button