fbpx

Të rinjtë dhe të arsimuarit – cak i papunësisë!

Historikisht, përqindja më e ulët e papunësisë prej 29,9%, e matur në kuartalin e parë të këtij vit, si e dhënë tregon se numri i të papunësuarve zvogëlohet. Megjithatë, kjo e dhënë hap një sërë dilemash ndërsa analiza e numrave zbulon një trend alarmues të asaj se – të rinjtë, me arsim të lartë gjithnjë e më vështirë gjejnë punë. 

Cilat janë arsyet për zvogëlimin e papunësisë – a bëhet fjalë për rritjen e numrit të të punësuarve (dhe nëse është kështu, a realizohen ato në institucionet shtetërore apo në sektorin privat) ose numri i zvogëluar i të papunësuarve është rezultat i operacionit masiv për “pastrim” administrativ të listave të Agjencisë për punësim? 

Analiza e “Portalb”-it tregon se vetëm për një vit (2012), nga lista e të papunësuarve të Agjencisë për punësim, nga evidenca e të papunësuarve janë fshirë 124 000 persona, ose mesatarisht çdo muaj janë larguar nga 10 000 të papunësuar që i kanë shkelur rregullat për paraqitje me kohë në Agjenci. 

Muaj kryesorë të fshirjes nga listat janë ato të periudhës verore: 

Persona të fshirë nga evidenca:
Gusht 11 338
Korrik 11 148
Qershor 11 147
Shtator 11 402
Nënntor 10 559
Përderisa pushteti thotë se nëpërmjet këtij operacioni krijohet një fotografi e mirëfilltë për gjendjen me numrin e të papunësuarve, njohësit e kësaj problematike dhe opozita janë të bindur se në këtë mënyrë numri i të papunësuarve zvogëlohet vetëm –  “në mënyrë administrative”.

Sipas statistikës, në kuartalin e parë të këtij viti pa punë kanë qenë 284 823 qytetarë të aftë për punë, ndërsa në punë kanë qenë gjithsej 668 957.

Ajo që është alarmante sipas ekspertëve, është rritja e numrit të papunësuarve me arsim të lartë dyvjeçar dhe katërvjeçar. Kështu, nëse kuartalin e parë në vitin 2012 ka pasur 37 774 të papunësuar, në kuartalin e njëjtë ka 40183 të papunësuar me arsim të lartë katërvjeçar. Paralelisht me këtë, është zvogëluar numri i të punësuarve me nivelin e njëjtë të arsimit. Gjegjësisht, në tre muajt e parë të vitit të kaluar, me arsim të lartë katërvjeçar janë punësuar 135 469, ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij viti ky numër është zvogëluar dhe është 131 916. Numri i të papunësuarve sipas arsimit:

Me arsim të lartë 40 183 
Me arsim të mesëm 4 vjeçar 121 360
Me arsim fillor 68 534    

Analizuar sipas përkatësisë nacionale, pas maqedonasve, në vendin e dytë për nga papunësia janë shqiptarët. Gjatë vitit 2012, numri i qytetarëve të papunësuarë shqiptarë ka qenë 51 413 persona ose diçka më shumë se 21 përqind nga numri i përgjithshëm i të papunësuarve të evidentuar në Agjencinë për punësim. 

Tetova e tejkaloi Shkupin sipas numrit të shqiptarëve të papunësuar, kështu që deri në fund të dhjetorit në Shkup ka pasur 13 590 të papunësuar, ndërsa në Tetovë madje 16 029 qytetarë të papunësuar shqiptarë. 

Pasojnë Kumanova me 7 752 të papunësuar, Gostivari me 5 292 dhe Kërçova me 2 299 qytetarë të papunësuar.   

Qeveria gjatë periudhës së kaluar publikoi edhe një sërë shpalljes për punësime në disa institucione dhe ndërmarrje publike, veprim ky që u kritikua nga një pjesë e ekspertëve dhe kompanive.

Punësimet në institucionet shtetërore paraqesin ngarkesë për sektorin privat, ku punojnë 509 495 persona. 

Përqindja e të papunësuarve formalisht u zvogëlua, por a është kjo e mjaftueshme që të thuhet se ka ndryshuar gjendja? Në raportin e saj më të ri, Banka Botërore doli me projektim më optimist për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, por nuk e anashkaloi papunësinë, duke e numëruar Maqedoninë në mesin e vendeve me përqindje më të lartë të papunësisë në Evropë dhe si vend i tretë për nga varfëria në Evropë. 

Edhe me papunësi të zvogëluar – Maqedonia lider në Evropë! 

Ajo që paralajmëron optimizëm për ekonomitë evropiane është zvogëlimi i përqindjes së papunësisë në nivel të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës. 

Maqedonia, edhe me përqindje të papunësisë prej 29,9 përqind, mbetet në grupin e vendeve me numër më të madh të të papunëve. Përqindje të ngjashme kanë vetëm ekonomitë kritike të Evropës që ballafaqohen me probleme të rënda financiare si Greqia me 26,8% dhe Spanja me përqindje të papunësisë prej 26,8%. 

Ja si duket papunësia në një pjesë të ekonomive evropiane: 
Kroacia 18,1%
Bullgaria 12,3% 
Sllovenia 10,2% 
Suedia 8,3% 
Gjermania 7,0% 

Në nivel të Bashkimit Evropian, në prill niveli i papunësisë ka qenë 12,2 përqind.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button