Zelensky e quan Rusinë “shtet terrorist” pasi u vra një foshnje në spital

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën e quajti Rusinë “shtet terrorist” që bën “terror dhe vrasje”, pasi një foshnje u vra në një repart të maternitetit pas një sulmi me raketa, në një spital në pjesën jugore të Zaporizhjas, shkruan REL.

“Edhe një herë, armiku vendosi të tentojë ta arrijë përmes terrorit dhe vrasjeve atë që nuk ka qenë në gjendje ta arrijë që nëntë muaj dhe që nuk do të mund ta arrijë”, tha Zelensky në Facebook, pas sulmit që ndodhi në spitalin e Vilnyansk.

“Në vend të kësaj, kjo do të shërbejë vetëm si dëshmi për të gjithë të keqen që i është sjellë vendit tonë”, shtoi ai.

Sulmi erdhi përderisa betejat në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk janë intensifikuar, pas ofensivave nga Rusia.

“Gjatë natës, përbindësha rusë qëlluan me raketa të mëdha në repartin e vogël të maternitetit të spitalit në Vilnyansk. Zemrat i kemi plot dhimbje – një foshnjë që sapo kishte ardhur në këtë botë u vra”, shkroi guvernatori rajonal Oleksandr Starukh në Telegram.

Shërbimet e urgjencës thanë se ekipet e shpëtimit arritën t’i shpëtonin dy persona nga rrënojat e repartit të maternitetit.

Në fushën e betejës, forcat ukrainase zmbrapsën sulme të shumta ruse në Donjeck dhe Luhansk, sipas informatave të dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës të mërkurën.

Rusia ka nisur një ofensivë përgjatë frontit në perëndim të Donjeckut, duke përdorur disa nga forcat që u tërhoqën nga Hersoni.

“Armiku nuk po ndalet së bombarduari pozicionet e trupave tona dhe vendbanimet pranë vijës së frontit (në rajonin e Donjeckut)”, tha ushtria ukrainase.

Ushtria ukrainase tha se i zmbrapsi sulmet ruse në 11 lokacione në Donjeck dhe Luhansk, duke përfshirë këtu në Bilohoryivka, Bakhmut, Kurdyumivka dhe Severniy.

“Gjatë ditës së kaluar, armiku nisi pesë sulme me raketa në zonat e populluara të rajoneve të Harkiv dhe Donjeck dhe kreu rreth 45 sulme me raketa të shumëfishta në pozicionet e trupave tanë”, tha ai.

Ushtria ukrainase tha gjithashtu se ka identifikuar një qendër për trajnimin e operatorëve të dronëve të prodhimit rus dhe iranian në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

“Kohëzgjatja e trajnimit për operatorët e specializuar të dronëve është deri në tri javë. Aktualisht po trajnohen rreth 30 ushtarakë,” shtoi ushtria.

Deklarata erdhi pasi guvernatori i Sevastopolit, i vendosur nga Moska, tha se mbrojtja ajrore ruse zmbrapsi një sulm me dronë në një central elektrik dhe për ngrohje në lagjen Balaklava të qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button