Transporti publik në Shkup para kolapsit, mungojnë 200 autobusë në linjat që i mbanin kompanitë private – NTP funksionon me orar të reduktuar

Transporti publik në Shkup është në prag të kolapsit pasi transportuesit privatë nuk lëvizin në linjat që ata mbajnë, ndërsa autobusët e NTP-së janë të rrallë. Vetëm një vit pas mandatit të kryetares së komunës Danela Arsovska, e cila fitoi zgjedhjet me premtimin për transport të shpejtë, modern, ekologjik dhe falas, banorët po luftojnë për të shkuar në punë, te mjeku, në shkollë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga fillimi i muajit nëntor autobusët e transportuesit privat “Makekspres” kanë ndërprerë qarkullimin për shkak se NTP-ja dhe Qyteti nuk ua kanë paguar linjat që drejtojnë dhe u ka borxh rreth gjysmë milioni euro. Prej dy ditësh për të njëjtat arsye kanë ndërprerë qarkullimin edhe autobusët e transportuesit privat “Sloboda prevoz”. Në fushatën zgjedhore, drejtori i “Sloboda pravoz” Lenin Jovanovski ishte një nga përkrahësit e Arsovskës dhe publikisht u angazhua për zgjedhjen e saj, ndërsa tani ka shpallur grevë dhe ka paralajmëruar padi për shkak se nuk janë paguar mbi një milion euro.

Transportuesit privatë ishin pjesë e transportit publik me 200 autobusët e tyre. Ato u përfshinë në sistemin tarifor të vetëm, gjegjësisht iu paguhet përmes NTP-së nga një euro për çdo kilometër të kaluar, pikërisht sepse pa to transporti publik nuk mund të funksionojë sepse NTP nuk ka autobusë të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha linjat.

Problem shtesë për qytetarët është se NTP funksionon me orar të reduktuar apo veror, që do të thotë se autobusët janë më të rrallë. Për shembull, në linjën 4, e cila shkon nga Kisela Voda deri në lagjen Hrom, për vite me radhë sipas orarit dimëror, i cili është në fuqi gjatë vitit shkollor, autobusët kanë qenë çdo 20 minuta deri në orën 17:00 dhe më pas çdo 40 minuta. Tani ka autobusë çdo 20 minuta vetëm në mëngjes deri në orën 9 të mëngjesit dhe nga ora 14:00 deri në orën 17:00, në pjesën tjetër të periudhës janë çdo 45 minuta. Situatë e ngjashme është edhe me linjat e tjera, ndaj qytetarët debatojnë vazhdimisht me drejtuesit e mjeteve pse nuk ka autobusë dhe pse presin gjatë në stacione.

Pas ndërprerjes së funksionimit të transportuesve privatë, kryetarja Arsovska tha se NTP do t’i mbulojë ato linja. Megjithatë, ato nuk janë plotësisht të mbuluara, pra nuk janë lëshuar i njëjti numër autobusësh si më parë.

Një nga lagjet që ka problemin më të madh që kur nuk janë privatët është Shuto Orizari.

“Nuk ka autobusë, nuk është e vërtetë që kanë lëshuar më shumë. Presim me orë të tëra të vijë një autobus dhe kur vjen, mbushet plot dhe nuk i merr të gjithë pasagjerët. Ne gratë e lagjes që i ushqejmë familjet me mirëmbajtjen e shtëpive, nuk kemi si të shkojmë në punë në mëngjes, mëditjen ua japim taksive”, thanë banoret e Shuto Orizarit.

Kryetarja Arsovska vlerëson se nuk ka asnjë problem në transportin publik dhe se ka autobusë si më parë, dhe thotë se informacionet janë spekulime sepse njerëzit presin me orë të tëra në stacionet e autobusëve. Ajo pohon se NTP i ztëvendëson të gjitha linjat e privatëve, ndërsa e pyetur se pse ndërmarrja publike lëviz me orar të reduktuar, na tha të pyesim drejtorin Aleksandar Stojkovski. As Stojkovski dhe as nga NTP nuk thonë pse autobusët janë më të rrallë, ndërsa në fuqi duhet të jetë orari dimëror. Stojkovski vazhdon ta mbyllë telefonin kur i bëhen pyetje rreth transportit publik.

Arsovska konsideron se nuk është problem që privatët të mos qarkullojnë dhe thotë se nëse duan, mund ta ndërpresin kontratën me ta në mënyrë miqësore. Nuk u përgjigj saktësisht se si do të kompensohen linjat e tyre, kur NTP nuk ka më shumë se 200 autobusë, por vetëm tha se do të bëhet riorganizim.

“NTP tani është në një gjendje shumë më të mirë se kur ishte lënë e shkatërruar, ndërsa do të ishte në gjendje të shkëlqyer nëse nuk do të ishim në një krizë të tillë ekonomike dhe energjetike. Nuk është e vërtetë që Qyteti u ka borxh privatëve dhe nëse mendojnë se është kështu, kanë mjete juridike dhe le të nisin procedurat. Atyre iu ofrua ndërprerje miqësore e kontratës nëse dëshironin të mos punonin më me Qytetin. Ka shumë spekulime në opinion dhe presione nga të gjitha anët. Vite më parë, qeveria i jepte vazhdimisht para qytetit për transportin publik. Tani nuk jepet asnjë qindarkë dhe kemi krizë ekonomike dhe energjetike. I bëj thirrje përfaqësuesve të “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” që protestat t’i zhvendosin në selitë e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, drejtorët e të cilëve gjeneruan borxhin që tani duan ta paraqesin si dështim të kryesisë së qytetit”, tha Arsovska.

Drejtori i “Sloboda prevoz” Lenin Jovanovski thotë se të gjitha ato që thotë kryetarja janë të pavërteta dhe konsideron se dikush po i jep këshilla shumë të këqija. Ai kërkoi publikisht të takohet me të për t’i shpjeguar gjendjen e transportit publik, i cili asnjëherë më parë nuk është vënë në pikëpyetje si tani.

“Arsovska thotë se më e rëndësishmja për të ka qenë interesi publik. Epo pa ne nuk do të ekzistojë interesi publik sepse qytetarët do të mbeten pa transport. Pa ne nuk do të ketë transport të rregullt sepse NTP “Shkup” nuk ka mjaftueshëm autobusë për të zëvendësuar të gjitha linjat në të cilat lëvizim. Nëse Arsovska nuk cakton takim me ne, do të thotë se nuk ka vullnet nga ana e saj për ta zgjidhur këtë çështje. Kryetarja tha se e kemi politizuar situatën, a është politizim që po kërkojmë paratë që na kanë për tre muaj? Ne u përfshimë politikisht vetëm kur i dhamë mbështetje Arsovskës dhe ishte hera e parë që i dhamë mbështetje publike dikujt. E kemi përkrahur publikisht Arsovskën sepse ajo në takime na ka premtuar se do të kemi kushte më të mira për punë”, thotë Jovanovski.

Kryetarja Arsovska në fushatën zgjedhore premtoi transport falas me autobus për të gjithë qytetarët dhe 250 autobusë të rinj ekologjikë. Në vitin e parë të mandatit të saj, u rikthye vetëm transporti falas të martën, të premten, të shtunën dhe të dielën për pensionistët, i cili u anulua gjatë koronës. Nuk ka transport falas për të gjithë qytetarët dhe as nuk ka nisur procedura për blerjen e 250 autobusëve të premtuar. Në vitin e parë të mandatit të Arsovskës, për herë të parë në histori, Shkupi mbeti pa transport publik, pasi autobusët e NTP-së nuk funksionuan për shkak të mospagesës së punëtorëve. Pas 30 vitesh edhe transportuesit privatë kanë ndërprerë vozitjen, kontrata me “Makekspres” është ndërprerë dhe nuk janë më pjesë e transportit publik, ndërsa e njëjta paralajmërohet të ndodhë edhe me “Sloboda pervoz”.

Kujtojmë se, Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. NQP thotë se do t’i zëvendësojë me autobusë dhe shoferë të saj këto linja, transportuesit privat po mbajnë mbledhje pas situatës së krijuar.

Pas 9 ditësh bojkotim të punës dhe akuzave mes “Makekspresit” dhe Ndërmarrjes Publike për Qarkullim Publik (NQP), me nënshkrim të kryetares së Shkupit Danella Arsovska iu dha fund bashkëpunimit me këtë kompani private, të cilës Qyteti i ka borxh gjysmë milioni euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button