Për gabimet në teste gjëja më e vogël do të ishte dorëheqja!

Deri më tani askush nuk ka reaguar dhe nuk ka marrë përgjegjësinë për gabimet e shumta që janë prezent në testimin ekstern të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Posaçërisht janë të dëmtuar nxënësit shqiptar pasi që pyetjet janë të përkthyera (disa deri në gjys) nga maqedonishtja.
LEXO- Katrahura e quajtur testim ekstern
Nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur në një vend evropian, apo në një vend i cili kujdeset për cilësinë e arsimit, që moti do të ishin dorëhequr përgjegjësit më të lartë të arsimit, thonë ekspertët duke theksuar se kjo as në ëndërr nuk ndodh në Maqedoni.

Potencojmë se personi me post më të lartë në këtë sferë, zv/ministri Safet Neziri refuzon kategorikisht të përballet me pyetjet e Portalb.

Madje gabimet skandaloze dhe pyetjet e palogjikshme mund të jenë shkas për ndëshkimin e mësimdhënësve si dhe për rezultatet e dobëta të nxënësve shqiptarë. Ish zëvendës ministri i arsimit, Hasan Jashari, thotë se për këto gabime institucioni përkatës duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe etike.

“Secili person zyrtarë që ka pozitë vendimmarrëse duhet të ketë edhe përgjegjësi morale dhe etike. Fatkeqësisht te ne jo vetëm kjo ministri, por askush nuk mban përgjegjësi për asgjë. Në vend se të ecet përpara, ne kemi mbetur në gjendjen e njëjtë. Përderisa gabimet në testime përsëriten, ato nuk janë më të natyrës teknike, por tregojnë mos funksionimin e organizimit dhe përpilimit të pyetjeve”, tha për Portalb, Jashari.

Ai shtoi se kjo situatë kërkon dorëheqjen e personave të pa aftë, mirëpo pasi askush nuk merr përgjegjësi, askush edhe nuk do të tërhiqet.

“Përgjegjësia në këtë rast duhet të kërkohet tek Ministria e Arsimit, pasi që ajo kontrollon gjitha proceset qe zhvillohen për testimin ekstern. nuk besoj se dikush do te jep dorëheqje apo do të reagoje, sepse siç thash edhe më parë te ne askush nuk merr përgjegjësi për asgjë”, shtoi Jashari.

Nga ana tjetër pedagogu Xheladin Murati, vlerëson se mësimdhënësit tregohen pasiv dhe nuk reagojnë si duhet ndaj kësaj situate skandaloze.

“Fatkeqësisht arsimtarët dhe profesorët shqiptarë nuk janë të organizuar si duhet. Edhe pse në testime ekzistojnë gabime të mëdha gjuhësore dhe nuk respektohet asnjë normë gjuhësore, ata nuk reagojnë. Normal që për gabimet fajtore është vetë ministria, mirëpo përderisa mësimdhënësit nuk ankohen në mënyrë të organizuar, gabimet as që do të mënjanohen”, tha për Portalb, Murati.

Sipas tij përgjegjësi duhet të mbajë ministria mirëpo edhe lektorët, përkthyesit dhe vetë përpiluesit e pyetjeve.

“Si e para nuk e di se kush janë hartuesit e pyetjeve, e aq më shumë kush e bën përkthimin e tyre dhe kush është lektorë, mirëpo gabimet janë të shumta, njëlloj si edhe vitin e kaluar. Testimin ekstern apo të jashtëm, unë nuk e vlerësoj si metodë të duhur për të matur dijeninë e nxënësve si dhe vlerësimin e mësimdhënësve, sepse për tu notuar një nxënës ka metoda të ndryshme, siç është pyetja me gojë, të shprehurit e nxënësve, ana emocionale e tyre, shkrimet, e shumë e shumë mënyra tjera, të cilat nuk mund të përmblidhen vetëm me një testim”, shtoi Murati.

Ndërkaq, testimi ekstern në shkollat fillore dhe të mesme vazhdon ende me gjithë problemet dhe palogjikshmëritë e papranuara për një proces arsimor.   /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button