Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, krerët e vendit dërgojnë urime

Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ditë nuk munguan urimet e funksionarëve shtetëror të RMV-së.

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke thënë se me festimin e kësaj dite “konfirmojmë përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kultivimin e bashkëjetesës në shoqërinë multietnike dhe multigjuhësore maqedonase”.

“Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë festë rikujtojmë një nga momentet më të rëndësishme të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Të vetëdijshëm se, sipas fjalëve të Gjergj Fishtës, janë mbledhur të zgjedhin alfabetin, i cili do të jetë më i dobishëm për ngritjen arsimore dhe kulturore të popullit, delegatët në Kongresin e Manastirit në vitin 1908  kanë marrë vendime historike për unifikimin e gjuhës shqipe. Kështu, ata e hapën rrugën për zhvillimin e mëtejshëm arsimor dhe kulturor të popullit shqiptar dhe e çelën potencialin krijues të brezave të autorëve të cilët do të krijojnë vepra të vyeshme letrare”, thuhet në letrën e Pendarovskit.

Pendarovski shtoi se bashkëjetesa është fryt i besimit i cili zë rrënjë atëherë kur njerëzit e respektojnë dhe e mbështesin identitetin e tjetrit.

“Besimi i tillë është i domosdoshëm për ballafaqim më me sukses me sfidat tona të përbashkëta dhe të ndërtojmë shoqëri të drejtë me mundësi për të gjithë qytetarët maqedonas. Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, tha Pendarovski. 

Edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, përmes një kumtese, dergoi urime me rastin e kësaj dite.

“Kongresi i Manastirit, para saktë 114 vjetëve, ishte tubimi që e miratoi produktin më të çmuar për një popull, Alfabetin e njësuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën tonë, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike dhe akoma më me rëndësi, alfabeti me të cilin lindi dhe e filloi rrugëtimin e vet lufta kombëtare e pavarësimit kulturor në rrafshin botëror dhe mbështetje e fortë e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar. Uroj që festën ta kaloni në atmosferë solemne, me mendime dhe vepra të bukura, ashtu siç i takon kësaj dite”, thuhet në uriumin e Xhaferit.

Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button