A duhet RMV-ja të festojë Ditën ndërkombëtare të fëmijëve?

Deklarata e Gjenevës për të Drejtat e Fëmijës është dokumenti i parë ndëkombëtarë pas Luftës së Parë Botërore i cili garanton mbrojtje të veçantë të fëmijëve si dhe përgjegjësi të të rriturve ndaj fëmijëve, nën moton: Njerëzimi i detyrohet fëmijës për më të mirën që ka për të dhënë. Andaj, 20 nëntori si Dita ndërkombëtare e fëmijëve është simbol i dy ngjarjeve historike prej të cilëve kanë rezultuar dokumentet juridike më të rëndësishme për të drejtat e fëmijëve. Në vitin 1959 Asambleja e përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës, ndërkaq me 20 nëtor të vitit 1989 miratoi Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës është një nga dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare që ka ndikim shumë të madh në legjislacione dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në të drejtat e fëmijës.

Me anë të këtij dokumenti fëmijës i garantohen të drejtat si një individ i pavarur, ndër të cilat janë: të drejtat personale; e drejta në arsimim; të drejtat shëndetësore; të drejtat sociale; të drejtat ekonomike; të drejtat kulturore; të drejtat për mbrojtje gjyqësore. Pra, duke i garantuar të gjitha këto të drejtat, ajo përfshin gati të gjitha sferat e jetës së fëmijës. Kjo konventë të drejtat e fëmijëve i vendos në nivelin e të drejtave themelore dhe elementare, të cilave ju jepet një rëndësi e veçantë të vlerave juridike në sistemin juridik të një shteti. Karakteristikë e këtij dokumenti është se fëmijën e trajton si subjekt aktiv, si një qenie njerëzore individuale dhe autonome, i cili ka të drejta të patjetërsueshme.

Të drejtat e fëmijëve të përfshira në këtë “katalog” janë të pranuara gati në të gjitha shtetet e botës, përmes të cilit dokument shtetet anëtare marrin deyrimin e respektimit të këtyre të drejtave.  Përveç karakteristikës së cekur, për dallim nga dokumentet tjera ndërkombëtare, kjo konventë përmban një sistem të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës. Mirëpo, duke pasur parasysh se nuk ekziston mundësia që në nivel ndërkombëtar të paditet shteti që ka shkelur të drejtën e fëmijës, Konventa për të Drejtat e Fëmijës nuk ka një mbrojtje juridike efikase. Krahas, kësaj Konvente, të drejtat e fëmijës janë të rregulluara edhe me Konventën Evropiane për Realizimin e të Drejtave të Fëmijëve, Konventën për Kontaktet me Fëmijët, si dhe një sërë dokumentesh ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dispozitat e të cilëve mund të aplikohen edhe ndaj fëmijëve. Nga konventat e lartshënuara, më e rëndësishme është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo për të vetmen arsye, se për shkeljen e të drejtave të garantuara me këtë konventë vendos Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata në praktikën e saj të deritashme ka mundësuar që të mbrohen jo vetëm të drejtat dhe interesat e fëmijëve të garantuara me Konvetën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por në mënyrë të tërthortë ka mundësuar edhe mbrojtjen e të drejtave të parashikuara me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

Republika e Maqedonisë së Veriut, Konventën për të Drejtat e Fëmijës e ka ratifikuar në vitin 1993. Me këtë akt, shteti ynë iu zotua komunitetit ndërkombëtar që do të zbatojë të gjitha parimet dhe rregullat që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Shikuar nga aspekti juridiko- familjar, me anë të kësaj Konvente, në nivel ndërkombëtarë vendosen parime dhe standarde të reja juridike-familjare, si psh. respektimi i interesit më të lartë të fëmijëve, avansimi i formave familjare për përkujdesjen e fëmijëve, përgjegësia e përbashkët prindërore ndaj fëmijëve gjatë martesës dhe pas ndarjes së martesës, respektimi i identitetit gjenetik si dhe respektimi i mendimit të fëmijës. Implementimi i kësaj konvente si dhe harmonizimi me legjislacionin familjar të RMV-së len shumë hapsirë për debate. Nëse analizojmë parimin e respektimit të interesit më të lartë të fëmijës, konstatojmë që ky parim nuk është i inkorporuar si parim kryesor në Ligjin për Familjen.

Në Ligjin për Familjen fëmijëve ju mohohet e drejta e njohjes së prejardhjes gjenetike, në situatat e adoptimit si dhe në situatat e ngjizjes së tyre përmes metodave të fekondimit artificial; Ligji për Familjen ende promovon konceptin tradicional të kujdestarisë monoprindërore pas shkurorëzimit ose anulimit të martesës; në Ligjin për Familjen shprehimisht nuk përshihet e drejta e fëmijës për lirinë e mendimit (përveç në rastet e adoptimit nëse mbi moshën 12 vjeçare). Andaj, në dispozitat themelore të Ligjit për Familjen, Parimi i interesit më të lartë të fëmijës duhet të vendoset si parim kryesorë, i cili do të zbatohet në të gjitha dispozitat e tekstit ligjor. Edhe pëkundër politikave të shumta për mbrojtjen e fëmijëve, projekteve nga Organizatat joqeveritare në drejtim të avansimit të drejtave të fëmijëve, Republika e Maqedonisë së Veriut, përveç sferës juridike- familjare, çalon në respektimin e të drejtave të fëmijëve edhe në shumë sfera tjera. Fëmijët i janë ekspozuar trajtimit jo të barabartë, formave të ndryshme të keqpërdorimit, dhunës nga të rriturit si dhe dhunës fizike dhe bulizmit nga moshatarët e tyre.

Fëmijët në rrugë, fëmijët pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, fëmijët me probleme sociale, fëmijët delikuent, fëmijët me pengesa në zhvillim, fëmijët e etnitetit rom, fëmijët me invaliditet, vazhdimisht përballen me problemet e trajtimit jo të barabartë në sistemin e drejtësisë si dhe qasjes jo të barabartë në realizimin e të drejtave të tyre. Shteti me mekanizmat e tyre vetëm duhet të përmbush obligimet që i ka marrë përmes ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës si dhe të vendos fëmijën në qendër të vëmendjes së politikave ditore.

Autore: Arta Selmani-Bakiu, profesoreshë e së drejtës familjare

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button