21 NË XXI (I)

“Misioni e universitetit është krijimi i një ardhmërie ku do të mbizotërojë mendimi racional dhe mënyrat e qytetëruara të vlerësimit.”

  1. N. Whitehead

Krizat jo gjithherë sjellin vetëm gjëra negative. Ato janë edhe shtytëse të ndryshimeve pozitive, konstruktive, që ndryshojnë fate individësh, grupimesh, kombesh, civilizimesh e më gjerë. 2001-shi përbën vitin e parë të shekullit dhe mileniumit të ri, kur sipas mijëvjeçaristëve apo milenaristëve sekularë, pas një rrënimi të fuqishëm fillon një periudhë e re, më e mirë për njerëzimin. Dhe pikërisht ai vit i konfliktit në kontekstin e Maqedonisë (së Veriut), në nëntorin e pavarësisë dhe flamurit shqiptar, solli një diçka të re: një univers diturie, një universitet. Ideja për iluminim kolektiv, brenga e kamotshme për arsimimin e brezave cilësisht u trupëzua në një institucion të veçantë, sui generis, për kontekstin ballkanik, Universiteti i Europës Juglindore, një frymë dhe narracion i ri i vektorit edukativ, arsimor.

Faktori ndërkombëtar i nxitur nga ai vendor largpamës vendosi të hapë një kapitull të ri në “romanin vendor”. Një ekol i ri i kulturë-ndërtimit, i asaj që Robbins e quan “botë-bërie” (world-making) përkundër “botë-prishjes” (world-breaking). Dhe storia nisi: me infrastrukturë specifike (kampusi i parë ndër ne), me kuadër profesional të paktë, me mbështetje eksterne akademike, me mësimdhënës të rinj, por me standarde euro-amerikane, për të arritur pas një dekade deri te majat e icebergut akademik të RMV-së dhe më gjerë, duke u rritur në një aktor të cilësisë që institucionet e tjera e shikojnë me miradi.

UEJL është një institucion që nisi të frymojë me objektivin e promovimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe të rritjes së përqindjes së rinisë shqiptare në arsimin e lartë.  Brenda 21 viteve të shekullit XXI UEJL arriti të avancojë shkencën, teknologjinë dhe bashkëpunimin, të kontribuojë në hapjen dhe zhvillimin e shoqërisë, në avancimin e botëkuptimit të multikulturalizmit, të tolerancës dhe mirëkuptimit të çdokujt, në implementimin e drejtësisë dhe meritës, pa marrë parasysh përkatësinë etnicitetin dhe identitetin, u bë model i mirëkuptimin interetnik. Për një kohë relativisht të shkurtër, siç është shprehur komisioneri i BE-së Olli Rehn, UEJL u shndërrua në “krijesën më europiane të  Ballkanit Perëndimor”.

Është ky një universitet internacional dhe multilingual ku kryqëzohen dhe sintetizohen përvoja perëndimore me veçanësitë lokale, hapësirë ku me plotkuptimin e fjalës “komunikon dhe përhapet mendimi”, ku “intelekti mundet që në mënyrë të sigurt të qarkullojë dhe të spekulojë”, ku “kërkimi shtyhet përpara, … zbulimet verifikohen dhe perfeksionohen dhe … ku ndodh përplasja e mendjes me mendjen, e njohurisë me njohuritë tjera”, “ku një një brez formon një tjetër” (Newman, 1852)

UEJL është entitet i brenduar, i etabluar me të arriturat e veta në këtë çerekshekull. Për dy dekadat e rrëfimittsë suksesit të UEJL-së flasin numrat dhe opinioni publik, elozhet githandej, imazhi i ndërtuar me punë të palodhur të kësaj familjeje të madhe që siç u shpreh rektori aktual, akademik A. Bexheti në jubileun e paradoditshëm, shpërfaq “një dritë që rrezaton mbi 21 gjenerata, me rreth 15.500 studentë të diplomuar, pjesa dërmuese e tyre të punësuar në sektorin privat, publik dhe qytetar, në nivelet e ndyshme, deri në majën e piramidave koorporative, institucionale …”

Ky institucion nga ditët e para është pjesë e shoqërisë informatike (internet në gjithë kampusin nga 2001, rrjet intern komunkimi me e-mail adresa të profilizuara me @seeu.edu.mk për çdo anëtar stafi), duke implementuar strategji kreative ligjërimi, mësimxënieje, evaluimi intern dhe ekstern permanent, të avancimit akademik me kritere të mirëfillta, me platformë digjitale kur entitete të tjera të arsimit të lartë ende janë te letra, me Bolonjë të implementuar, me staf të huaj që s’heqin dorë nga cilësia, me studentë nga pjesë të ndryshme të botës. UEJL, gjithnjë në shërbim të studentit dhe komunitetit, ishte i vetmi që gjatë Covid-19 mbeti dinamik, duke realizuar mësimdhënie hibride pa ndërprerje; ai nuk pati një intermezzo akademike. Biblioteka e këtij institucioni është vatër me infrastrukturë fizike dhe virtuale që s’dallon nga ato perëndimore, me sirtarë të qasshëm që funksionojnë sipas sistemit “merre librin vetë, përdore dhe ktheje në raft”, me platforma me akces falas në tekste, revista, databaza, biblioteka prestigjioze. Studentët e UEJL-së kanë edhe një program eksterritorial për mjedisin tonë: work and study, kanë konvikte të nivelit hotelierik.

Profesorët dhe studentët me logon SEEU kanë kartela për regjistrim të çastit të prezencës në leksione, e veçantë kjo për vendin dhe rajonin. Në UEJL ligjërohet tregjuhësisht, shqip, maqedonisht dhe anglisht, pa barriera dhe komplekse. Aty studenti nuk e pret profesorin, ky i dyti është gjithnjë në vendin ku duhet të gjendet. Leksionet qëmoti janë katërdimensionale: me dëgjim dhe kontakt ballë për ballë, në letër, në power point, virtuale (word-pdf). Diktat-shkrimi dhe tekstet e shtypura me makinë “Olivetti” s’kanë pasur vend kurrë në UEJL. “Angel”, “Libri” kanë qenë pararendëset e “Google Classroom”-it, për postim të materialeve, komunikim dhe evaluim, që për shumë universitete ende janë terra incognita. Aty stafi evaluohet në bazë vjetore, në bazë të performancës në mësimdhënie, mësimnxënie, publikime shkencore, sociabilitet, digjitalizim. Thomson-Reuters, ISI Web of Science, Clarivate, Scopus, impact factor janë kritere të pandashme të atletikës universitare në SEEU. Bailey list është diskutuar dhe është shmangur para shumë vitesh në këtë institucion. Komiteti Qendror për Kërkim observon publikimet duke vigjiluar mbi shkarjet e mundshme, gjithnjë duke targetuar cilësinë. IMVDS ka arritur të bëhet pjesë e projekteve të shumta ndërkombëtare deri në “Horizon”. Profesorati evaluon njëri-tjetrin, studentët profesorët. Habitati i UEJL-së është futurist, mjedis ekologjik, me gjelbërim, kapacitete recikluese, kursyese, me disa ndërtesa energjetkisht të vetëqëndrueshme. Bile edhe byfeja, sipas vizitorëve, të bën të ndjehesh ndryshe, sikurse s’je në këtë vend, sikur je diku jashtë. Në UEJL regjistrimet, pagesat e semestrave dhe të tjera, të gjitha pa pritje, online, me një klik, ashtu siç finalizohen edhe notat, siç merren transkriptat dhe shumë dokumente që ju duhen studentëve. Jeta sociale dinamike në kampus i kalon të rinjtë në një atmosferë  tjetër, përtej asaj të mësimit dhe obligimeve të tjera akademike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button